LAJMI I FUNDIT:

Virgjiniteti dhe himeni

Virgjiniteti dhe himeni

Cipa në hyrje të vaginës ose në terminologjinë mjekësore, hymeni, është emërtuar në bazë të zotit të martesës Hymenaeus (sipas mitologjisë greke). Kjo është një membranë e hollë (mukozë) e cila pjesërisht mbyllë hyrjen e vaginës (introitus vaginae).

Dr. sci. Naim Shabani
Gjinekolog-onkolog

Cili është funksioni i himenit?


Himeni në të vërtetë nuk ka ndonjë rol të veçantë biologjik. Në disa kultura në të kaluarën, por edhe sot, ai ka një rëndësi psikosociale. Kjo vërehet nga besimi se himeni i paprekur (intakt) është dëshmi e virgjinitetit, pra mungesës së përvojës seksuale, andaj edhe është emërtuar cipa e virgjinitetit. Në të vërtetë, kjo paraqet më tepër një besëtytni sesa që i përgjigjet realitetit.
Duke marre parasysh anatominë e himenit dhe variacionet e ndryshme, ekzaminimi i një femre për të konstatuar se a është virgjine, nuk jep rezultat real. Në anën tjetër, si një membranë e hollë te vajzat e reja, himeni mund të pëlcasë lehtë gjatë përdorimit të tamponëve, futje pa dëshirë të gishtërinjve gjatë kruarjes si dhe gjatë aktiviteteve fizike apo sportive.

Anatomia e himenit

Himeni ka një apo më shumë vrima të vogla, gjë që mundëson daljen e sekretit dhe gjakderdhjes mujore që nga menstruacioni i parë deri në kalimin në menopauzë.

Ekzistojnë disa variacione të formës së himenit:
Hymen (h.) anularis (në formë unaze), h. semilunaris (në formë të gjysmëhënës), h. falciformis (në formë drapri), h. septus (me 2 hapje të mëdha dhe një mur në mes), etj.

Me rastin e marrëdhënies së parë seksuale vjen deri te pëlcitja e kësaj membrane (deflorimi) që përcillet me gjakderdhje. Pas shërimit mbetjet e himenit (Carunculae hymenalis) mund të vërehen në pjesën mediale të buzëve të vogla të vulvës (labia minora pudendi).

Tradicionalisht në shumë kultura, por edhe te ne, kjo konsiderohet si shenjë që femra ka qenë virgjine. Mosshfaqja e kësaj gjakderdhjeje gjatë aktit të parë seksual konsiderohet (shpesh gabimisht) se femra nuk është virgjine, vjen deri te dyshimi i partnerit e madje edhe deri te prishja e lidhjes apo martesës.

Duhet theksuar se, gati në 50% të rasteve, gjatë marrëdhënies së parë seksuale, nuk vjen deri te gjakderdhja ‘e pritur’ edhepse, të themi kushtimisht, femra është virgjine ose më mirë të shprehemi, himeni është intakt. Kjo ndodhë sidomos kur himeni është elastik dhe përkundër marrëdhënieve seksuale, për shkak të këtij elasticitetit nuk vjen deri te pëlcitja e tij, pra as deri te gjakderdhja e pritur. Femra për këtë mund të ketë dhimbje gjatë aktit seksual, ndjen fajësi, ndërsa partneri mbetet i zhgënjyer dhe ndjehet ‘i tradhtuar’. Në këto raste sot, gjithsesi preferohet që të dy partnerët të konsultohen me gjinekologun.

Ekzistojnë raste kur himeni nuk posedon vrimën e lartpërmendur, pra është komplet e mbyllur (himen jo i perforuar) dhe vajzat e reja përkundër moshës. psh 13-15 vjeçare. ende nuk kanë patur menstruacionin e tyre të parë (menarrche) si dhe ankohen me dhembje të fundbarkut. Këtu kemi të bëjmë me anomali të lindur ku cikli menstrual ka filluar ndoshta disa muaj apo vite më parë, por gjaku i liruar në vend se të zbrazet, grumbullohet në vaginë dhe mitër). Bëhet fjalë për hematokolpos dhe hematometra që nëse vazhdojnë për kohë të gjatë, sjellin deri te dëmtimi i mitrës dhe vepërçuesve me grumbullim të gjakut menstrual në abdomen (menstruim retrograd). Gjithsesi në këso rastesh, prindërit duhet ta dërgojnë vajzën e tyre (e cila, përkundër moshës në krahasim me shoqet e veta, nuk po i vjen ‘menstruacioni i parë’) te gjinekologu.
Në të dyja rastet, si te himeni elastik, ashtu edhe te ai jo i perforuar, mund të rregullohet ky defekt i cipës himenale me intervenim të vogël operativ…

Rekonstruksioni ose ‘kthimi i virgjinitetit’

Rekonstrukcioni i hymenit (hymenorhaphia) paraqitet si nevojë në rastet kur femra dëshiron, përkatësisht, duhet të rikthej virgjinitetitn. Kjo procedurë në aspektin kulturor ka një rëndësi vendimtare ngase rrezikohet akti i martesës dhe krijimi i familjes. Shumë me më interes është aspekti etiko-mjekësor i rekonstruksionit operativ të himenit.

Në praktikën gjinekologjike jemi dëshmitarë të rritjes së kërkesave të femrave për rikthimin e virgjinitetit. Kjo vjen si pasojë e presionit të shtuar ndaj këtyre femrave nga rrethi social dhe kulturor ku ato veprojnë.
Vazhdimisht në shtetet e BE-së zhvillohen debate ekspertësh (mjekë, sociologë, pedagogë, psikologë, etj), për këtë problematikë tejet kontroverse dhe të rëndë.
Po shkëpus disa citate:
1… A dëshirojmë ne këtu në BE të ndihmojmë (në aspektin medicinal) një kulturë e cila moralin dhe fatin e një femre e bën të varur prej himenit intakt?
2… Ky operacion në një aspekt paraqet një mashtrim eklatant karshi bashkëshortit të ardhshëm. Kemi të bëjmë me një manovrim mashtrues me ndihmën e mjekëve qysh në fillim të planifikimit të një lidhjeje afatgjate…
3…Empatia për femrën e prekur nga kjo problematikë është gjë e mirë. Tentimi për një arsyetim shkencor për këtë veprim, për shkak të njëanshmërisë, ka dështuar…

Kërkesa për një intervenim të tillë edhe në vendet evropiane është në rritje e sipër dhe mjeku duhet të jetë i përgatitur se si do të reagojë në raste të tilla. Në aspektin etiko-mjekësor, ky intervenim është mjaft problematik dhe vetëm në raste të veçanta mund të arsyetohet. Ana etike në mjekësi bazohet në principet e autonomisë së pacientit, moslëndimin nga ana e mjekut (primum non nocere), përfitimin nga ana e pacientit dhe arsyetimit të veprimit mjekësor. Te hymenraphia kemi të bëjmë me autonomi problematike të pacientes ngase kemi ndikim masiv të rrethit për një vendim të tillë. Poashtu, në esencë nuk kemi një indikacion mjekësor dhe as përfitim mjekësor nga ky intervenim. Duhet patur parasysh edhe rreziqet që u nënshtrohet pacientja gjatë këtij intervenimi (narkoza, infeksioni, etj). Sipas gjithë kësaj, nga këndvështrimi mjekësor, ky operacion do të duhej të refuzohej.
Nga ana tjetër, kemi situata konfliktuoze dhe çdo rast duhet të shqyrtohet individualisht për të evidentuar dhe zgjidhur konfliktet në mënyrë që shëndeti dhe jeta e femrës të mos vihet në rrezik.

Intervenimi mjekësor operativ, nga këndvështrimi etik, mund të arsyetohet nëse përkundër këshillimit psikosocial dhe ofrimit të alternativave, pacientja argumenton intervenimin dhe është këmbëngulëse për t’iu nënshtruar atij.

Ekzistojnë metoda apo teknika të ndryshme operative për rikthimin e virgjinitetit që nuk më duket e rëndësishme të përshkruhen në këtë artikull. Shoqata gjermane për gjinekologji dhe obstetrikë (Deutsche Gesellschaft für Gynäkologie und Geburtshilfe- DGGG) nuk jep ndonjë rekomandim për teknikën më të mirë. Përkundrazi, ajo potencon se rekonstruksioni i himenit është operacion i panevojshëm që në vete bartë mundësi të komplikimeve.

Si përfundim:

Ne si shoqëri duhet të angazhohemi me organizimin e debateve, ligjëratave edukative, etj, që në njërën anë, çështja e virgjinitetit të demitizohet, të detabuizohet dhe nga ana tjetër (aspekti mjekësor) t’u dalim në ndihmë atyre rasteve ku kërcënohet autonomia e femrës. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori