LAJMI I FUNDIT:

Vetura e çiftit italian që qëndroi pa lëvizur në një vend për 47 vite, bëhet “atraksion turistik”

Vetura e çiftit italian që qëndroi pa lëvizur në një vend për 47 vite, bëhet “atraksion turistik”

Në një qytet italian Lancia Fulvia qëndron e parkuar prej më shumë se 47 vite, dhe atë në të njëjtin vend.

Vetura me ngjyrë të kaltër i takon 94-vjeçarit Angelo Fregolent, ish-shitësit lokal të gazetave që me gruan e tij 10 vite më të re Berila – për 40 vite menaxhuan një kioskë para shtëpisë së tyre, transmeton Telegrafi.


“Kur filluam punën, ishte normale që Lancia të jetë e parkuar para lokalit, pasi gazetat i nxirrja nga bagazhi dhe i fusja në shtëpi”, ka shpjeguar Angelo, shkruan Independent.

Por kur dyshja u pensionuan, vetura mbeti në të njëjtin vend. Për afro gjysmë shekulli u bë simbol lokal .

Turistët dhe banorët bënin selfie para veturës dhe u bë një prej “destinacioneve atraktive” pasi që fotografitë e mjetit motorik “vërshuan” rrjetet sociale.

Megjithatë sipas ligjeve të reja për rrugët, vendi ku vetura gjendet nuk lejohet parkimi. E pas debateve të shumta nëpër media, më në fund zyrtarët lokale morën vendim që ta “rehatojnë”.

Vetura fillimisht u largua më 20 tetor dhe u dërgua në panairin e veturave në Padovë, ku u ekspozua së bashku me dhjetëra vetura tjera klasike.

Më pas u dërgua në një garazh për t’ia sanuar dëmet. E pasi që të restaurohet plotësisht, Lancia Fulvia do të prezantohet para një shkolle jo larg shtëpisë së Angelo dhe Berilas, që do të thotë se nga dritarja do të mund ta shohin veturën derisa turistët e vizitojnë dhe fotografohen pranë saj.

Ndryshe, Lancia Fulvia (Tipo 818) është një veturë që fabrika e Lancia e prodhoi nga viti 1963 deri më 1976. Emrin e ka marrë Via Fulvia, e u prezantua në panairin e veturave në Gjenevë gjatë vitit 1963.

Atë e ka dizajnuar Piero Kastaniero dhe u bë e njohur në botën e veturave sportive pas suksesit në gara ndërkombëtare të vitit 1972. /Telegrafi/