LAJMI I FUNDIT:

Vetura amerikane që synon ‘ta rrëzojë nga froni’ Ferrarin si më e shpejta ndonjëherë

Vetura amerikane që synon ‘ta rrëzojë nga froni’ Ferrarin si më e shpejta ndonjëherë

Chevrolet ka prezantuar modelin më të fuqishëm ndonjëherë të prodhuar nga marka – Corvette ZR1X, një superveturë hibride që sfidon hapur ikonat italiane si Ferrari dhe Lamborghini.

ZR1X përfaqëson një hap të guximshëm përpara për markën amerikane, duke sjellë një përzierje eksplozive të motorit V8 twin-turbo 5.5 litra me një sistem hibrid elektrik, që e çon fuqinë totale në 1.250 kuaj fuqi dhe e pajis atë me sistem AWD (të gjitha rrotat aktive).

Sipas GM, vetura është në gjendje të arrijë nga 0 në 96 km/h për më pak se 2 sekonda, përcjell Telegrafi.


ZR1X është varianti hibrid i ZR1, i cili tashmë është konfirmuar me 1.064 kuaj fuqi dhe shpejtësi maksimale prej 375 km/h, duke u bërë Corvette më i shpejtë ndonjëherë.

Përveç performancës së jashtëzakonshme, ZR1X vjen me aerodinamikë aktive, një spoiler të madh, difuzorë të avancuar dhe një dizajn që mishëron fuqinë dhe agresivitetin amerikan.

Modeli synon të shënojë rekorde në pista dhe të bindë entuziastët se Amerika mund të prodhojë një hiperveturë të nivelit më të lartë.

Ndërkohë që Ferrari, Lamborghini dhe McLaren mbeten emra legjendarë në industrinë e superveturave, Chevrolet po i sfidon me një model që nuk kursen në teknologji, stil apo performancë – por që ofrohet me një çmim fillestar shumë më të arritshëm, rreth 175.000 dollarë.

ZR1X pritet të dalë në shitje brenda vitit 2025, dhe tashmë ka nisur të tërheqë vëmendjen globale si hipervetura që synon fronin. /Telegrafi/