Industria gjermane po përballet me një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit.

Rreth 15 mijë vende pune që po humbin çdo muaj, ka deklaruar Tanja Gönner, drejtuese e Federatës së Industrisë Gjermane (BDI).


Ajo e përshkroi situatën në sektor si “kritike”, duke paralajmëruar se ekonomia më e madhe e Evropës ka humbur një pjesë të avantazhit të saj konkurrues për shkak të presionit nga disa drejtime.

Sipas Gönner, industria gjermane po ndikohet nga tarifat amerikane, konkurrenca e deformuar nga tregu kinez dhe kostot e larta të prodhimit brenda Gjermanisë.

Të dhënat tregojnë se punësimi në sektorin e prodhimit ka zbritur në nivelin më të ulët të dekadës, shkruajnë mediat.

Vetëm gjatë vitit të fundit, industria ka humbur rreth 174 mijë vende pune, ndërsa rreth dy të tretat e kërkesave për punë me orar të shkurtuar kanë ardhur nga kompanitë industriale.

Ekspertët paralajmërojnë se dobësimi i industrisë, e cila për dekada ka qenë shtylla kryesore e ekonomisë gjermane, mund të ketë pasoja të mëdha për rritjen ekonomike dhe tregun e punës. /Telegrafi/