LAJMI I FUNDIT:

Vetëvendosje të hënën mban tubim në Pejë, si përgatitje për protestën e 29 Shtatorit

Vetëvendosje të hënën mban tubim në Pejë, si përgatitje për protestën e 29 Shtatorit

Lëvizja Vetëvendosje, në kuadër të aktiviteteve të saj për mobilizimin për protestat e 29 shtatorit që do të mbahet në Prishtinë, organizon të hënën, në Pejë, tubimin me qytetarë.

Tubimi do të mbahet në teatrin “Istref Begolli” në Pejë, në ora 18:00, ku folës pritet të jenë lideri i LVV-së, Albin Kurti, nënkryetarja Fatmire Kollçaku Mulhaxha dhe shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca.


Anëtarët e këtij subjekti politik, kërkojnë mbështetje të qytetarëve për të ndalur presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin për ndryshimin e kufirit me Serbinë, derisa Kurti do t’i bëjë ftesë qytetarëve të Komunës së Pejës që t’i bashkëngjiten protestës më 29 Shtator.

Ndryshe, Peja sipas degës së LVV-së në këtë qytet, është mbushur me parullën “ Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.

Ata më tutje kanë theksuar se LVV në Pejë ka paralajmëruar se gjatë javës do të zhvillohen takime në lagje e fshatra të ndryshme për të mobilizuar qytetarët për protestën e 29 Shtatorit në Prishtinë. /Telegrafi/