Komandanti i KFOR-it: Jemi të përgatitur për çdo skenar, përfshirë një situatë të ngjashme me Banjskën

Komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk Özkan Ulutaş, ka deklaruar se misioni i NATO-s në Kosovë është i përgatitur për çdo skenar të mundshëm të sigurisë, përfshirë një situatë të ngjashme me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Në një intervistë me shkrim për KosovaPress, Ulutaş tha se si forcë ushtarake KFOR-i nuk merr asnjë zhvillim si të mirëqenë dhe vazhdimisht punon për të ruajtur gatishmërinë operacionale.
“Nuk dua të hyj në spekulime. Si ushtarakë, ne asnjëherë nuk marrim asgjë si të mirëqenë dhe jemi gjithmonë të përgatitur për çdo skenar. Për këtë arsye, KFOR-i zhvillon rregullisht aktivitete për të përmirësuar aftësitë e personelit tonë dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”, ka thënë ai.
Sipas komandantit të KFOR-it, situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësim gjatë viteve të fundit, ndërsa prania e këtij misioni ka luajtur rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit.
“Duhet të ndërtojmë mbi këtë progres dhe të sigurohemi që arritjet e fituara me shumë përpjekje të ruhen. Për këtë arsye, do të vazhdojmë të garantojmë që KFOR-i të mbajë një prani efektive operacionale në terren”, ka deklaruar Ulutaş.
Pas sulmit në Banjskë, ku një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës, NATO dislokoi trupa shtesë në Kosovë. I pyetur nëse kjo prani e përforcuar do të vazhdojë, Ulutaş nuk dha detaje operacionale, por tha se vendimet do të merren në bazë të analizave të vazhdueshme të situatës së sigurisë.
“Nuk jam në pozitë të zbuloj detaje operacionale. Kjo është thelbësore për të ruajtur efektivitetin dhe fuqinë parandaluese të KFOR-it”, tha ai.
Ai shtoi se optimizimi i pranisë së KFOR-it do të bëhet gradualisht dhe në përputhje me zhvillimet në terren, ndërsa mund të rikthehet në rast se situata e sigurisë e kërkon një gjë të tillë.
Duke komentuar kritikat në Kosovë se KFOR-i nuk reagoi mjaft shpejt gjatë sulmit në Banjskë dhe se duhej të kishte pasur më herët informacione për grupin e armatosur, Ulutaş mbrojti veprimet e trupave të NATO-s.
“KFOR-i veproi në mënyrë profesionale dhe me shpejtësinë e nevojshme, në përputhje të plotë me mandatin e tij afatgjatë të OKB-së dhe sipas procedurave e protokolleve të vendosura”, tha ai.
Sipas tij, pas ngjarjeve në Banjskë, KFOR-i ka përshtatur më tej praninë dhe kapacitetet e tij në terren për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të sigurisë.








































