LAJMI I FUNDIT:

Vendimi për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, opozita: Qeveria po e shkatërron sistemin e drejtësisë

Vendimi për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, opozita: Qeveria po e shkatërron sistemin e drejtësisë

Partitë opozitare kanë reaguar ndaj vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës për t’i ulur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit, ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017.


Kryeministri Albin Kurti tha se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë.

E një vendim i tillë është shkatërrues për sistemin e drejtësisë, ka thënë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Albin Kurti ka marrë mision shkatërrimin e shtetit. Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë”.

“Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Haradinaj ka thënë se prokurorët dhe gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga “kryeministri i shkatërrimit”.

I pari i AAK-së gjithashtu i ka bërë thirrje kreut të ekzekutivit që menjëherë të kthejë pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë.

“Sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia. Nëse nuk ndalesh pasojat do të jenë të pariparueshme!”, ka përfunduar ai.

Këtë vendim të ekzekutivit e ka kundërshtuar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Ajo ka pyetur se pse një vendim është marrë pikërisht në ditën kur është votuar edhe Ligji i Pagave i hartuar nga Qeveria Kurti II.

“Në kohë turbulente për gjithë vendin, në mbledhjen e 109-të të Qeverisë, Kryeministri/Qeveria, në pikën e 3-të e rendit të ditës, nxjerr vendim që t’i ulë pagat për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët me arsyetimin se tani ka bazë për ta bërë një gjë të tillë, pasi që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Kryeministri po harron se këto kushte janë përmbushë nga 30 qershori 2020, kur Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Ligjin për Pagat. Pyetja është pse pikërisht tani ky vendim?!”.

“Edhe me kontradiktore kjo bëhet kur në të njëjtën ditë votohet Ligji i Pagave i hartuar nga vetë Qeveria Kurti II dhe i përcjellët Kuvendit”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Reagim të ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës ka bërë edhe shoqëria civile, pasi sipas tyre, ekzekutivi në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe duke përdorur të pavërteta, ka nxjerrë vendim për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në reagim thuhet se “ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë”.

“Për arsyet si më lartë, Organizatat e Shoqërisë Civile, i kërkojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/