LAJMI I FUNDIT:

Shoqëria civile: Ulja e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve rrit potencialin korruptiv

Shoqëria civile: Ulja e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve rrit potencialin korruptiv

Organizatat e Shoqërisë Civile kanë reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila sipas tyre, në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe duke përdorur të pavërteta, ka nxjerrë vendim për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më 20 dhjetor 2017, Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila asokohe drejtohej nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, kishte nxjerrë vendim të rritjet e pagave të kabinetit qeveritar. Sipas Ligjit Nr.03/L-199 për Gjykatat [ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L -036], ky vendim kishte efekt edhe në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Atë kohë, shoqëria civile kishte reaguar ndaj këtij vendimi, të cilin e kishin cilësuar si të kundërligjshëm dhe të përfshirë në konflikt të interesit. Shoqëria civile kishte reaguar edhe ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas tyre , kishte prezumuar kushtetutshmërinë e vendimit arbitrar të Qeverisë”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

“Më 12 shkurt 2020, Qeveria e Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kryeministri aktual, Albin Kurti, ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e vendimit të ish-Qeverisë Haradinaj. Sipas dispozitivit të këtij vendimi, ky vendim nuk do të ndikonte në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese. Sipas vendimit të datës 12 shkurt 2020, ky vendim do të vlejë deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin KO219/19 për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”.

Përkundër faktit se shoqëria civile vazhdimisht ka theksuar se vendimi për ngritje të pagave ka qenë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin, kushtetutshmëria e këtij vendimi është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Ky vendim nuk është shfuqizuar nga asnjë institucion tjetër, derisa nuk është konfirmuar as përgjegjësia penale për nxjerrjen e këtij vendimi.  I njëjti po ashtu është reflektuar edhe në vendimin e Qeverisë të datës 12 shkurt 2020. Sa i përket vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përkitazi me Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, Gjykata Kushtetuese në këtë rast ka nxjerrë vendim për shfuqizimin e këtij ligji. Kështu, çështja e pagave nuk është rregulluar me këtë ligj. Tutje, që nga koha e publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përkitazi me këtë ligj e deri më sot, kanë kaluar mbi dy (2) vite e katër (4) muaj”.

“Në këtë mënyrë, përtej pretendimeve, ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanimë është konfirmuar në rrugë institucionale. Kështu, përtej kualifikimit formal, vendimi i sotëm i Qeverisë paraqet ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Vendimi i Qeverisë për ngritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendim ky i nxjerrë si nga Qeveria Haradinaj ashtu edhe nga Qeveria Kurti, thuhet se tanimë ka krijuar pritje legjitime për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e pagave të tyre tanimë është konfirmuar.

“Vendimi i sotëm i Qeverisë, me arsyetimin e nxjerrjes së aktgjykimit për Ligjin Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik, i cili aktgjykim është nxjerrë para dy (2) vite e katër (4) muajve qartazi cenon pritjet legjitime të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo shkelje e pritjeve legjitime paraqet shkelje të së drejtës në pronë, mbrojtja e së cilës garantohet përmes nenit 46 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Tutje, bëhet e ditur se Komisioni i Venecias ka përcaktuar standardet se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është e lejuar, përjashtimisht rasteve shumë specifike, të cilat nuk paraqiten në situatën konkrete.

“Në shkurt të vitit 2020, kur në procedurë në Gjykatën Kushtetuese ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Ligjit për Pagat, Gjykata i ishte drejtuar Komisionit të Venecias me një pyetje dhe disa nën pyetje thelbësore në lidhje më çështjen e uljes së pagës për pushtetin gjyqësor. Përgjigjet e Komisionit të Venecias ishin se “Ulja e pagave të gjyqësorit mund të ndodhë vetëm nën kushte të një krize të theksuar ekonomike dhe financiare dhe e cila për më tepër duhet të jetë e njohur zyrtarisht si të tillë” dhe se  “Pavarësia gjyqësore kërkon një shkallë themelore të sigurisë financiare nga ndërhyrjet arbitrare nga ekzekutivi ose degët e tjera të pushtetit”. Për këto arsye, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet qartazi ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit dhe është në kundërshtim me standardet e ndërtuara nga Komisioni i Venecias. Për më tepër, sa ishte në opozitë, vet Lëvizja Vetëvendosje në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese kishte theksuar se ‘…ulja dhe rritja e tyre[pagave], është kompetencë e Kuvendit të Republikës së Kosovës…’”.

“Nisur nga fakti se, siç u tha, gjyqtarët dhe prokurorët tanimë kanë krijuar pritje legjitime për pagat e tyre, të cilat pritje janë manifestuar edhe në kuptim të hyrjes së tyre në obligime financiare, ky vendim i Qeverisë tanimë ngrit potencialin korruptiv në sistemin e drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.

Për arsyet si më lartë, Organizatat e Shoqërisë Civile, i kërkojnë Qeverisë së Republikës së Kosovës që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Organizatat mbështetëse të këtij reagimi:

  1. Columbus
  2. Çohu
  3. Grupi për Studime Juridike dhe Politike
  4. Iniciativa për Progres
  5. Instituti i Kosovës për Drejtësi
  6. Lëvizja Fol

Në trend Lajme

Më shumë
PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Një derë e re për drejtësi: Si do të mund t'i drejtohen kosovarët Gjykatës së Strasburgut?

Drejtësi
Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Juristat e UP-së të tretët në botë në garën ndërkombëtare për drejtësi

Arsim
Kalo në kategori