Vëllai i Kylian Mbappes mund të transferohet në klubin nga La Liga

Vëllai i vogël i Kylian Mbappes, Ethan Mbappe, mund të jetë një nga surprizat e afatit kalimtar të verës, pasi raportohet se është futur në radarët e Real Betisit.
Sulmuesi anësor 19-vjeçar po konsiderohet si një nga talentet më premtuese të futbollit francez pas paraqitjeve të tij me Lille, ku ka treguar potencial të madh dhe ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve evropiane.
Megjithatë, Betisi duket se ka marrë avantazhin në garën për transferimin e tij.

Klubi andaluz, i cili ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, synon të përforcojë repartin ofensiv dhe e sheh Ethan Mbappen si një investim për të tashmen dhe të ardhmen.
Drejtuesit e klubit besojnë se shpejtësia, aftësia për të luajtur në të dy krahët dhe kreativiteti i tij mund t’i japin më shumë alternativa trajnerit Manuel Pellegrini.
Edhe pse ende nuk ka arritur nivelin e vëllait të tij të famshëm, Kylian Mbappe, talenti francez konsiderohet një lojtar me potencial të madh zhvillimi.
Betisi shpreson ta bindë atë me projektin sportiv ambicioz, mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe hapësirat që mund të ketë në ekipin e parë.

Aktualisht, Ethan Mbappe vlerësohet me rreth tetë milionë euro në treg, ndërsa Lille mund të pranojë një ofertë që do të arrinte afërsisht 12 milionë euro.
Një shumë e tillë konsiderohet e arsyeshme për një futbollist të ri me perspektivë të madhe dhe potencial për të rritur ndjeshëm vlerën e tij në vitet e ardhshme.
Drejtori sportiv i Betisit, Manu Fajardo, është i vendosur të lëvizë shpejt për të shmangur konkurrencën nga klubet e tjera evropiane.
Nëse marrëveshja realizohet, Ethan Mbappe mund të bëhet një nga investimet më interesante të klubit andaluz dhe një armë e rëndësishme për objektivat e tij në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/











































