0Shares

Festimeve të Ditës së Verës në Tiranë i është bashkuar dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e nisi ditën duke mbjellë pemë të reja në periferi të Tiranës.

“Dua t’u uroj nga zemra, në emër të Bashkisë të Tiranës dhe gjithë qytetarëve tanë gëzuar Ditën e Verës! Sot kemi pasur një ditë me aktivitete, të gjithë parashikonin që do ishte shi dhe sterrë, por na pa Zoti si i thonë dhe kemi patur një ditë fantastike. E filluam me disa mbjellje masive në rrethinat e Tiranës, pastaj nga Liqeni, ku kemi patur pafund aktivitete e tani këtu në sheshin “Skënderbej”. Dua të falënderoj aeuronatikën dhe dua t’ju uroj të gjithëve një stinë të mbarë. Stina e pranverës, stina e verës, ardhja e një moti të ri është ndoshta një moment për të reflektuar e për të kuptuar që kur ne jemi bashkë, ne bëjmë mrekulli”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës siguroi se pavarësisht disa debateve, puna për ndërtimin e Tiranës do të vijojë, ndërkohë që siguroi nisjen e disa projekteve të rëndësishme për qytetin sikurse Piramida , Teatri i ri dhe pjesa e mbetur e Bulevardit të Ri.

“Pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam këndin e lojërave pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam Pazarin e Ri, pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam bulevardin e ri, pavarësisht debateve që pati, do të vazhdojmë në këtë mot të ri për të ndërtuar më shumë në Tiranë pavarësisht debateve që do kenë. Kjo do të jetë Piramida, do të jetë teatri I ri, do të vazhdojmë me fundin e bulevardit. Ne kemi mësuar që çdo ndryshim vjen me një rrëmujë të madhe, por kur ndryshimi vjen, të gjithë e përqafojnë dhe harrojmë që shumë prej gjërave që kemi kritikuar e debatuar janë sot pikat më të nxehta të qytetit”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se është momenti që të gjithë të fokusohen te puna dhe të tregohen bashkëpunues dhe mbështetës për të mos humbur kohë. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)