Vdes në moshën 81-vjeçare Rick Davies, bashkëthemelues i Supertramp

Rick Davies, muzikanti britanik dhe një nga anëtarët themelues të grupit legjendar të rock-ut Supertramp, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin.
Ai ndërroi jetë të premten në shtëpinë e tij në Long Island, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme muzikore.
Lajmin e bëri të ditur vetë grupi përmes një deklarate publike, ku u shprehën ngushëllime për bashkëshorten e tij, Sue, shkruan DailyMail.
“Patëm privilegjin ta njihnim dhe të luanim me të për më shumë se pesëdhjetë vjet. Rick do të mbetet gjithmonë pjesë e shpirtit të Supertramp”, shkruhej në njoftim.
Davies themeloi Supertramp në vitin 1970 së bashku me Roger Hodgson. Grupi u bë një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës rock progresive dhe pop të viteve e 70-ta dhe të 80-ta, me hite të pavdekshme si “Breakfast in America”, “The Logical Song”, “Give a Little Bit” dhe “Take the Long Way Home”. Albumi i tyre Breakfast in America fitoi sukses botëror dhe u nominua për çmimin Grammy në vitin 1980.
Pas largimit të Hodgson në vitin 1983, Davies vazhdoi me grupin, duke mbajtur gjallë emrin e Supertramp për dekada. Edhe pse u përball me probleme shëndetësore pas diagnostikimit me mielomë multiple në vitin 2015, ai mbeti një figurë frymëzuese për fansat dhe muzikantët e rinj.
Homazhe të shumta kanë vërshuar nga bota e muzikës dhe fansat në mbarë botën, të cilët e kujtojnë Davies si një talent të rrallë, një kompozitor me ndikim dhe një artist që i dha zë një brezi të tërë.
“Një legjendë e vërtetë”, “një zë i shpirtit” dhe “një kujtim i paharrueshëm i rinisë sonë” janë disa nga fjalët me të cilat fansat e kanë përshkruar ndarjen e tij nga jeta. /Telegrafi/

































































