LAJMI I FUNDIT:

VARI-i poli(e)tik: Targat që ngrijnë dialogun dhe mërdhijnë duart

VARI-i poli(e)tik: Targat që ngrijnë dialogun dhe mërdhijnë duart

Kjo çështja e reciprocitetit me targa të automjeteve duket se do të bëhet shkas i ngrirjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo puna e targave nuk është edhe kaq e thjeshtë.


Ato ma kujtuan një histori, që ia kishte mërdhirë duart edhe autorit të këtij teksti, 23 vjet më parë.

Ishin pikërisht targat e automjetit “Lada”, që në dimrin e vitit 1998 na i mërdhinë duart, mua, Xhevës, Ferkiut dhe Lulit, derisa po shkonim të realizonim një reportazh për gazetë në zonat e luftës në Kosovë.

Në hyrje të fshatit Shalë të Lipjanit na ndali patrulla e UÇK-së dhe, pasi na legjitimuan, kërkuan t’i hiqnim targat e automjetit, sepse në to figuronte simboli i flamurit të atëhershëm trengjyrësh jugosllav.

Nuk kishim tjetër opsion, o t’i hiqnim targat e të vazhdonim tutje, o të ktheheshim prapa.

Natyrisht, zgjodhëm opsionin e parë. Por, vidat ishin ndryshkur dhe procesi po shkonte vështirë.

Duke e parë që po na mërdhinin duart, ushtarët tanë u treguan të mëshirshëm.

Mjaftoi veç t’i mbulonim targat me leckat që na kishin qëlluar në bagazhin e veturës, për ta vazhduar rrugën tutje në zonën e kontrolluar nga UÇK-ja.

E, ne, as u zemëruam, as u ankuam.

Përkundrazi.

Ndjeheshim të lumtur, sepse ishte ky paralajmërimi i fundit të epokës së flamujve dhe simboleve serbe në Kosovë.

Megjithatë historia e targave vazhdoi …

Qytetarët e Kosovës tash e dhjetë vjet, sa herë kanë dashur të hyjnë në Serbi me automjetet e tyre, është dashur të heqin targat dhe t’i vendosin ato serbe “Proba”.

S’ka faj Vuçiqi – shërbëtor dhe pasues i politikës së Millosheviqit.

Tash e 22 vjet, jo veç tabelat, por edhe fytyrën do të duhej ta mbulonte Vuçiqi dhe shërbëtorët e tjerë të regjimit të Millosheviqit, jo veç kur hyjnë në Kosovë, por sa herë e përmendin Kosovën.

Tash, kur ka skaduar një marrëveshje, e cila ua mundësonte qytetarëve të Serbisë të futeshin lirshëm jo vetëm me targa të qyteteve të Serbisë, por edhe me targa paralele të qyteteve të Kosovës “PR”, “KM”, “UR” … na zemërohet keq Vuçiqi dhe nga Beogradi urdhëron bllokimin e rrugës që shpie në dy vendkalimet kufitare me Serbinë në veriun e Kosovës.

Sakaq mobilizohen të dëgjueshmit e Vuçiqit dhe aparatit shtetëror serb në Kosovë.

Serbët bllokojnë rrugën me kamionë dhe bëjnë roje pranë rrugës.

Përveç që bëjnë roje dhe dëshmojnë nacionalizmin, provokojnë dhe fyejnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Rruga mbahet e bllokuar. Policia nuk bie në provokimet e grupeve të serbëve – instrument në duart e Vuçiqit – për të nxitur trazira dhe eskalim të situatës.

Ndërsa, snajperistët e Njësisë Speciale të Kosovës dhe ata të Ushtrisë Serbe – të pozicionuar në kodrën përballë – shikohen përmes nishaneve të pushkëve.

Presidenti serb vazhdon të luajë rolin e babës së “botës serbe”. Ia lejon vetes të shkojë aq larg dhe të kërkojë largimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu dhe jo vetëm.

Kjo puna e targave atij i erdhi si një peshqesh, para zgjedhjeve presidenciale në Serbi, që janë paralajmëruar të mbahen në prill të vitit 2022.

Ai do të vazhdojë ta përdor Kosovën si kartën me të fortë të nacionalizmit për të fituar edhe një mandat presidencial.

Prandaj, do të vazhdojë me deklarata agresive e kërkesa nga më të ndryshmet karshi faktorit ndërkombëtar, për (mos)vazhdimin e dialogut.

Asgjë e re nga Beogradi.

Në Prishtinë, kryeministri Kurti nuk pritet të dorëzohet përpara trysnisë dhe presionit ndërkombëtar. Ai do të qëndrojë në pozicionet e tij dhe me kokëfortësi do të mbrojë reciprocitetin e vendosur për targat dhe jo vetëm. Mbase, ai [Kurti] nuk do ta bëjë këtë për shkakun se në Kosovë tashmë jemi në muajin e zgjedhjeve.

Le ta kujtojmë se njëri nga paraardhësit e tij në krye të qeverisë, pas vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe pati promovuar reciprocitetin gjithandej me pllakate “100% shtet”. Por, rezultati i kësaj fushate në zgjedhje ishte ZERO.

Ndërkohë, nga Brukseli e Uashingtoni e qendra të tjera ndërkombëtare, do të vijnë zëra për uljen e tensioneve, dhe të mos merren vendime të njëanshme (duke aluduar në vendimin e Qeverisë së Kosovës) dhe palët të kthehen në tavolinën e dialogut.

Sidoqoftë edhe Albini në Bruksel i ka parashtruar disa kushte për vazhdimin e dialogut.

Dialogu.

Dhjetë vjet “dialog” me Serbinë. Dhjetë vjet dëshmi se me Serbinë – e cila edhe 22 vjet pasi e humbi luftën në Kosovë vazhdon ta mbajë në hartën dhe kushtetutën e saj Kosovën si pjesë përbërëse të shtetit të saj – mund të ketë ‘dialog’ edhe 100 vjet. E, marrëveshje???

Dhjetë vjet dëshmi se Bashkimi Evropian, si ndërmjetës, nuk e ka fuqinë as autoritetin që ta përmbyllë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje përfundimtare të njohjes reciproke.

Derisa Serbia vazhdon ta “shohë” Kosovën pjesë të saj, Bashkimi Evropian nuk e ka vullnetin, që t’i obligojë pesë vendet anëtare të saj që ta njohin Kosovën.

Ndërkohë, Kosova vazhdon të mbetet vend i vetëm i izoluar në Evropë. Qytetarët e saj mund të shkojnë pa viza e me targa “RKS” vetëm në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Kjo është Evropa që ia ofroi deri tash BE-ja Kosovës.

Ky është rezultati i dialogut 10 vjeçar mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është rezultati i mbi 20 “marrëveshjeve” në dialogun e deritashëm midis dy vendeve.

Rezultat i këtyre marrëveshjeve do të vazhdojë të jetë edhe bllokimi i rrugëve në veri të Kosovës nga serbët lokalë, sa herë Beogradi ua kërkon këtë.

Maratona e dialogut mund të vazhdojë deri në pafundësi. Vuçiqi do të vazhdojë bëjë lojën e djallit dhe zjarrit, duke përdorur gardianët e tij në veri – nga “rojat e urës” deri te barrikadat në rrugë – me qëllim realizimin e projektit të tij për një “Republika Srpska” në Kosovë, ose ndarjen e Kosovës.

Nuk është befasi as sensacion medial lajmi se serbëve, që po qëndrojnë pranë rrugës së bllokuar në veri, të enjten provuan t’iu bashkëngjiten spiunët rusë.

Kjo mund të mos jetë alarm, por është një sinjal i fortë, i qëllimeve të Beogradit.

Targat megjithatë nuk janë veç mjet që ngrijnë dialogun e mërdhijnë duart …

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Botë
Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Magazina
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori