Vanessa Trump për betejën me kancerin e gjirit: Së shpejti filloj me fazën e dytë të trajtimit


Vanessa Trump ka ndarë informacione të reja lidhur me betejën e saj kundër kancerit të gjirit, pasi muajin e kaluar bëri të ditur se ishte diagnostikuar me këtë sëmundje.
Në një postim të fundit në Instagram, ajo tregoi se ka kaluar katër javët e fundit duke u rikuperuar nga një operacion dhe se gjendja e saj po përmirësohet.
Trump bëri të ditur gjithashtu se së shpejti do të nisë fazën e dytë të trajtimit, megjithëse nuk specifikoi se për çfarë lloj trajtimi bëhet fjalë.

“Dëshiroja të ndaja me ju një përditësim për betejën time me kancerin. Katër javët e fundit jam rikuperuar nga operacioni dhe jam mirënjohëse që gjithçka po shkon mirë. Së shpejti filloj fazën e dytë të trajtimit. Dërgoj dashuri, forcë dhe shpresë për të gjithë ata që po kalojnë të njëjtën sfidë”, shkroi ajo.
Muajin e kaluar, 48-vjeçarja zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer gjiri dhe se po bashkëpunonte ngushtë me ekipin e saj mjekësor për të përcaktuar planin e trajtimit.
Ajo falënderoi mjekët për kujdesin dhe mbështetjen e ofruar, duke theksuar se po përballet me këtë periudhë e rrethuar nga dashuria e familjes, fëmijëve dhe njerëzve më të afërt.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se çfarë lloj operacioni ka kryer si pjesë e fazës së parë të trajtimit pas diagnozës së kancerit të gjirit. /Telegrafi/















































