Vajza e Cobain nuk e pëlqen muzikën e babait: Ai vrau veten për fansat!

Legjenda e muzikës rok, Kurt Cobain, për një kohë të shkurtë sa jetoi bëri për vete miliona njerëz me muzikën e tij, por jo edhe vajzën e tij.
“Nuk më pëlqen muzika e ‘Nirvana’. Më vjen keq, por kështu është. Më pëlqejnë më shumë Oasis”, ka thënë Frances Bean Cobain në një intervistë për Rolling Stone.
Frances ishte vetëm 20 muajshe kur babai i saj kreu vetëvrasje, ndërsa ajo mendon se ai e bëri këtë për fansat e tij.
“Kurt mbërriti në një pikë ku i duhej të sakrifikonte gjithçka nga vetja, nga jeta e tij për artin sepse bota, fansat ia kërkonin”, është shprehur 22-vjeçarja transmeton Top Channel.
“Mendoj që kjo është arsyeja kryesore se përse ai ‘u lodh’ dhe humbi dëshirën për të jetuar dhe mendoi se mbase kështu të gjithë do të ndjeheshin më të lumtur”.
“Në të vërtetë, nëse do të kishte jetuar unë sot do të kisha një baba dhe kjo do të ishte e mrekullueshme për mua”, ka shtuar Frances.
Ajo është e vetëdijshme për problemet mes dy prindërve të saj. “E di që marrëdhënia e tyre ishte ‘toksike’ dhe lindja ime nuk është se i rregulloi gjërat. Për këtë më lindën, për të sheshuar mosmarrëveshjet e tyre”. Megjithatë, Frances thotë se asnjëherë nuk ka dyshuar tek dashuria e të atit për të. “E di prej videove dhe letrave që më ka lënë…im atë më donte”.
Kujtimet e të atit e kanë shoqëruar në gjithë vitet e jetës së vet dhe Frances është mësuar tashmë me këtë fakt.
“Isha 15 vjeçe kur kuptova që nuk mund t’i arratisesha. Edhe në makinë kur ndizja radion dëgjoja tim atë. Ai është më i madh se jeta. Njerëzit janë të fiksuar pas muzikës së njerëzve të vdekur dhe i ngrenë ata në piedestal… Sikur Kurt nuk ishte ai djalë që braktisi familjen e tij në mënyrën më të tmerrshme të mundshme”, ka rrëfyer ajo.
Kurt Cobain vrau veten më 5 prill të vitit 1994. Frances është vajza e tij nga lidhja me Courtney Love. /Telegrafi/




















































