Marina e SHBA-së ka mohuar pretendimet për ushqim me cilësi të dobët në anijet e saj luftarake të dislokuara në Lindjen e Mesme, pas publikimit të fotove virale që tregonin “ushqim të racionuar dhe me cilësi të ulët”.

Autoritetet e Marinës hodhën poshtë raportimet dhe imazhet që qarkulluan në rrjetet sociale, ku pretendohej se marinarët po përballeshin me mungesë ushqimi ose me vakte me cilësi të dobët në bord. Në disa postime, ushqimi ishte përshkruar si i pamjaftueshëm dhe me pamje jo të mirë.


Sipas Marinës amerikane, këto pretendime nuk qëndrojnë. Ajo thekson se anijet kanë furnizime të mjaftueshme ushqimore për ekuipazhet dhe se marinarët marrin vakte të plota, të rregullta dhe të balancuara nga ana ushqimore, shkruan New York Post.

Gjithashtu, Marina nënvizon se mirëqenia e marinarëve dhe marinsave mbetet prioritet dhe se çdo anëtar i ekuipazhit vazhdon të ketë qasje në ushqim të rregullt dhe të garantuar.

Reagimi vjen pas një raportimi që përfshinte fotografi të vakteve në bord, të shpërndara fillimisht nga familjarë të disa ushtarakëve. Në disa prej tyre shfaqeshin porcione të vogla ushqimi, përfshirë mish të përpunuar dhe perime në sasi minimale.

Megjithatë, zyrtarët e Marinës nuk iu përgjigjën drejtpërdrejt këtyre imazheve, por theksuan se sistemi i furnizimit logjistik është nën kontroll dhe se situata me ushqimin në anije është normale. /Telegrafi/