Manchester Unitedi e ka filluar sezonin e ri të Ligës Premier me fitore, duke e mposhtur Chelsean në Old Trafford me rezultat 4-0.

Golin e parë për Djajtë e Kuq e realizoi Marcus Rashford nga penalltia në minutën e 18-të, pas ndëryrjes së palejueshme që bëri Kurt Zouma në zonën e rreptësisë.

Pjesa e parë përfundoi me epërsinë minimale të vendasve, mirëpo e dyta ishte e rezervuar e gjitha për ta.

Penalltia e Marcus Rashford ndaj Chelseat (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver)

Anthony Martial e dyfishoi epërsinë për Unitedin në minutën e 65-të, pas asistimit që pranoi nga Andreas Pereiran.

Pas vetëm dy minutash që francezi realizoi golin e dytë, Rashford arriti ta shënonte  golin e tij të dytë në ndeshje dhe të tretin për Unitedin, nga asistimi i Paul Pogbas.

Goli i Anthony Martialit ndaj Chelseat (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Kur u mendua se derbi po përfundon 3-0, Daniel James i sapoinkuadrua në lojë, shënoi për 4-0 në minutën e 81-të, e që ishte gol në debutimin e tij për Djajtë e Kuq.

Pas xhiros së parë, Unitedi i bashkohet, Manchester Cityt, Liverpoolit, Arsenalit dhe Tottenham Hotspurit, që kanë fituar tri pikët e para, derisa Frank Lampard debutoi me humbje në Ligën Premier. /Telegrafi/