LAJMI I FUNDIT:

Unioni Doganor për Ballkanin Perëndimor – perspektivë apo zvarritje?

Unioni Doganor për Ballkanin Perëndimor – perspektivë apo zvarritje?

Historia e njerëzimit nuk njeh model më të zhvilluar të integrimit rajonal sesa Bashkimin Evropian (BE). Ish-kancelari gjerman, Helmut Schmidt, në fjalimin e tij historik të mbajtur në dhjetor të vitit 2011 para Socialdemokratëve (SPD), derisa po fliste për një Evropë më të unifikuar dhe më të fortë, thoshte që “Evropa gjithmonë ka vuajtur nga tendosjet konstante mes periferisë dhe qendrës”. Zaten këto tendosje edhe kanë orientuar zhvillimin e Evropës, ku herë është zhvilluar periferia e herë qendra, por asnjëherë të dyja së bashku. Se a do të mund të mund të avancojë BE-ja në federatë siç është SHBA mbetet të shihet.

Edhe pjesë tjera të botës vazhdimisht përpiqen të arrijnë modelin e BE-së, të tilla si: Association of South East Asian Nations (ASEAN) në përbërje nga Vietnami, Tajlanda, Singapori, Filipinet, Birmania, Malajzia, Laosi, Indonezia, Kamboxhia e Brunei; Unioni Afrikan (UA) me 55 shtete anëtare; Gulf Cooperation Council (GCC) në përbërje nga Bahrejni, Katari, Omani, Arabia Saudite, Kuvajti e Emiratet e Bashkuara Arabe; dhe Mercado Común del Sur (MERCOSUR) në Amerikën Latine në përbërje nga Brazili, Argjentina, Paraguaji, Uruguaji (Venezuela është suspenduar në dhjetor 2016).


Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, të gjitha iniciativat e lartpërmendura nuk kanë arritur progresin e BE-së. ASEAN është më i avancuari në këtë drejtim dhe rregullisht dërgon delegacione në Bruksel për të mësuar nga përvoja e BE-së. E, nëse ASEAN do të ishte një ekonomi e përbashkët, atëherë do të ishte e gjashta në botë pas SHBA, Kinës, Japonisë, Gjermanisë dhe Francës. Megjithatë, ASEAN vazhdon të mbetet vetëm në suazat e një entiteti ndër-qeveritar pa dhënë shenja për interesimin e shteteve anëtare për bartje të sovranitetit në nivel supra (mbi) nacional, siç ia ka dalur BE-ja.

Kurse, BE që nga viti 1951 ka arritur të krijojë një bazë të avancuar ligjore (traktatet dhe legjislacioni sekondar), ashtu sikundër që ka themeluar institucionet supra (mbi) nacionale që merren me krijimin e politikave, legjislacionit dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit si në nivel të Institucioneve të BE-së (niveli komunitar) ashtu edhe në nivel të shteteve anëtare të saj. Pastaj, BE ka ndërtuar unionin doganor, tregun dhe valutën e përbashkët përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Duke qenë vetë e suksesshme, BE vazhdimisht ka promovuar dhe mbështetur politika që thellojnë bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore. Në këtë drejtim ka pasur një sërë mekanizmash të promovuar nga BE dhe Shtete Anëtare të saj, ndër të tjera, si: Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe pasuesi i tij Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council), Procesi i Stabilizim Asociimit, CEFTA (Central European Free Trade Area) e cila fillimisht (që nga 1992) përfshinte Poloninë, Çekinë, Sllovakinë dhe Hungarinë, më pas Slloveninë, Bullgarinë, Rumaninë, kurse pas anëtarësimit në BE të këtyre shteteve të lartë-përmendura, CEFTA u zhvendos në Ballkan Perëndimor plus Moldavinë.
Duke parë nevojën për përshpejtim të reformave dhe zhvillim ekonomik, BE dhe shtetet anëtare kanë shtuar përpjekjet duke nxitur dhe promovuar iniciativa të ndryshme rajonale si Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe Procesi i Berlinit. Në këtë kuadër është promovuar ideja e thellimit të integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor duke krijuar Zonën Ekonomike Rajonale, e cila sipas Komisionit Evropian “do të rriste atraktivitetin e rajonit duke inkurajuar investime dhe hapje të vendeve të punës”. Në takimin e Sarajevës, të marsit 2017 është diskutuar edhe ideja e krijimit të një Unioni Doganor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Krijimi i një unioni doganor në situata normale do të ndikonte në nxitjen e zhvillimit ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare pa detyrime doganore, rritjen e konkurrencës dhe natyrisht rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë funksionon edhe BE-ja, e cila në kufirin e jashtëm të saj (përfshirë aeroportet) ka një Tarifë të Jashtme të Përbashkët, të cilën duhet paguar mallrat që futen në BE nga vendet e treta, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Të hyrat nga këto tarifa shkojnë direkt në buxhetin e BE-së. Përderisa BE e ka të rregulluar mënyrën e funksionimin të unionit doganor, përfshirë dhe mekanizmat që mbikëqyrin funksionimin e tij, Ballkani Perëndimor nuk ka asnjë mekanizëm që siguron funksionimin e këtij unioni.

Përgjithësisht opinioni publik në Kosovë është dyshues për suksesin e një unioni doganor rajonal. Dyshimi këtu është kryekëput te Serbia penguese. Mendohet që nëse Serbia hyn në union doganor do të jetë më e fortë dhe do t’i dominojë të gjitha shtetet anëtare, e më së shumti do të mund ta dëmtojë Kosovën, dyshim ky i bazuar i Kosovës si rezultat i përvojës së keqe historike me Serbinë.

Por, nuk duhet harruar që në çdo union doganor ka pasur, ka dhe gjithmonë do të ketë shtete të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara. Gjermania qysh prej fillimeve të BE-së e deri më sot përbën shtetin më të zhvilluar ekonomikisht brenda unionit doganor të BE-së dhe kjo nuk pritet të ndryshojë edhe për një të ardhme të pacaktuar në aspektin kohor. Edhe SHBA-të janë shteti më i zhvilluar brenda NAFTA (North American Free Trade Agreement) ku bëjnë pjesë Meksika, SHBA dhe Kanada. Edhe Brazili është shteti më i zhvilluar brenda MERCOSUR-it, pra dallime në zhvillim ka çdo kund nëpër zona të ndryshme të botës.

Bota e zhvilluar është në pritje të themelimit edhe të dy Zonave të Tregtisë së Lirë, më të mëdhatë që njerëzimi ka njohur deri me tani, siç janë: Trans-atlantic Trade and Investment Partnership (TTIP) në përbërje të BE-së dhe SHBA-së duke synuar liberalizimin e 1/3 së tregtisë globale; dhe Trans-Pacific Partnership (TPP) mes SHBA-së, Australisë, Bruneit, Kanadasë, Kilit, Japonisë, Malajzisë, Meksikës, Zelandës së Re, Perusë, Singaporit dhe Vietnamit. TPP synon të orientojë shtetet pjesëmarrëse kah SHBA-të përballë Kinës e cila përmes iniciativës Belt and Road synon të shtrijë ndikimin e saj në Euroazi dhe më gjerë. Pra, edhe pse në brendinë e të gjitha iniciativave globale të lartpërmendura do të ketë shtete të zhvilluara dhe më pak të zhvilluara, përpjekjet për thellim të integrimit rajonal do të vazhdojnë.

Vlen të theksohet se brenda unionit doganor të BE-së është edhe Greqia, Bullgaria, Rumania e Kroacia, të cilat për kah niveli i zhvillimit ekonomik dallojnë sa nata me ditën me Gjermaninë, Holandën ose Suedinë. Në përgjithësi jugu i BE-së është më pak i zhvilluar sesa veriu i BE-së, por që BE jeton me këtë fakt dhe unioni doganor i saj funksionon. Pra, fakti që Serbia do të jetë më e forta brenda unionit doganor nuk do të duhej të përbënte problem në rrethana normale. Ama duke ditur vështirësitë politike që ka Kosova me Serbi dhe Bosnje Hercegovinë është pak e pabesueshme që një union i tillë do të mund të funksiononte. Kjo sepse, edhe po të formohej unioni doganor, njerëzit dhe mallrat e Kosovës do të kenë vështirësi për të hyrë në Serbi dhe Bosnje Hercegovinë si rezultat i mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga këto dy shtete dhe problemeve që rrjedhin nga kjo mosnjohje.

Pra, vështirësitë në krijimin dhe funksionalizimin e unionit doganor mes vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të natyrave të ndryshme si politike ashtu edhe ekonomike. Duke ditur që këto vende janë më shumë konsumuese sesa eksportuese, atëherë të hyrat që sigurohen përmes doganave do të zvogëlonin dukshëm buxhetet e vendeve anëtare. Çfarëdo ri-orientimi i politikave fiskale dhe doganore do të merrte kohë, do të kërkonte reforma të dhimbshme dhe të kushtueshme si p.sh. rritje progresive të taksave të bizneseve dhe ulje të atyre doganore.

Ndërkohë që duke ditur që Kosova rreth 30 % të importit e merr nga vendet e CEFTA-s (shtetet e Ballkanit Perëndimor e Moldavia), atëherë një union doganor do të thoshte zvogëlim progresiv i të hyrave doganore dhe rrjedhimisht zvogëlim i buxhetit vjetor të Kosovës. E Kosova edhe përmes MSA-së është e detyruar që në mënyrë progresive të reduktojë në zero tarifat doganore për mallrat që importohen nga vendet e BE-së. E duke qenë se të hyrat doganore të Kosovës janë mbi 1 miliard EUR, atëherë humbjet nga MSA dhe unioni doganor i Ballkanit Perëndimor do të mund të dëmtonin buxhetet vjetore të Kosovës në plan afatshkurtër dhe afatmesëm.

Vështirësitë tjera janë të natyrës krejt teknike, por që lidhen me problemet politike. Në mënyrë që një union doganor të formohet dhe funksionalizohet duhet të nxirret baza ligjore (marrëveshje mes shteteve) dhe të themelohen mekanizmat që garantojnë mbikëqyrje të zbatimit të asaj marrëveshjeje. Arritja e një marrëveshjeje të tillë do të merrte tepër shumë kohë duke ditur që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë në obligime kontraktuale me BE-në përmes MSA-ve si dhe duke ditur që vendet kanë preferenca të ndryshme tregtare. Nëse do të kishim union doganor rajonal, atëherë mallrat e BE-së që do të hynin në unionin doganor të Ballkanit Perëndimor do të ishin të detyruara të paguanin vetëm Tarifën e Jashtme të Përbashkët dhe detyrime tjera sipas marrëveshjes.

Ka mundësi që të arrihet marrëveshje që shkëmbimi i mallrave mes unionit doganor të BE-së dhe atij të Ballkanit Perëndimor të bëhet me zero detyrime doganore, ashtu siç edhe parashihet në MSA-të e nënshkruara mes BE-së dhe vendeve të rajonit veç e veç, por duhet ditur që vendet e Ballkanit Perëndimor bëjnë tregti edhe me shtete jo-evropiane (si. p.sh. Kina, Turqia, etj.), e në këtë rast duhet që patjetër të ketë instrumente të ngjashme si Tarifat e Jashtme të Përbashkëta dhe mekanizma që i zbatojnë ato. Pra, në çdo variant do të duhej që të krijoheshin politikat, marrëveshjet dhe mekanizmat që sigurojnë zbatimin e atyre marrëveshjeve për mirëfunksionimin e këtij unioni doganor. E Unioni doganor do të funksiononte sikur të gjitha shtetet të ndiheshin të barabarta në aspektin politik dhe reprezentativ, sepse vetëm kështu do të ecte unioni e rajoni përpara.

E aspekti praktik thotë se nëse mallrat hungareze (pjesë e unionit doganor të BE-së) do të hynin në Serbi (pjesë e unionit doganor të Ballkanit Perëndimor) do të paguanin në kufi të Serbisë vetëm Tarifën e Jashtme të Përbashkët të unionit doganor të Ballkanit Perëndimor. Dhe pastaj Serbia këto të hyra të tarifave të jashtme do të duhej t’i derdhte në një fond të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mund të krijohej me marrëveshje. Për mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e këtij fondi do të duhej të kishte një mekanizëm rajonal nën mbikëqyrje të BE-së për të mbështetur projekte të përbashkëta me karakter rajonal si p.sh. për infrastrukturë transporti apo të energjisë.

Aspekti politik i çështjes ka të bëjë edhe me drejtimin e mekanizmave që do të menaxhonin dhe mbikëqyrnin funksionimin e unionit doganor. Përderisa Komisioni Evropian negocion në emër të BE-në me mekanizma ndërkombëtarë si p.sh. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), një mekanizëm i tillë vështirë që do të merrte besimin dhe përkrahjen e vendeve të rajonit për të negociuar me mekanizma ndërkombëtarë në emër të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke parë polarizimet që ekzistojnë mes shteteve, është e vështirë të besohet që një mekanizëm i tillë do të mund të formohej dhe funksiononte.

Një element që do të mund të ishte pengesë e patejkalueshme në mbarëvajtjen e unionit doganor është korrupsioni i theksuar në Ballkan Perëndimor. Askush nuk do të mund të na siguronte që zyrtarët doganorë të një vendi anëtar të këtij unioni do të zbatonin të njëjtat standarde të dakorduara me marrëveshje mes shtetesh si p.sh. në Podgoricë apo Shkup e Prishtinë. Korruptimi i zyrtarëve doganorë do të joshte firmat e huaja që të fusin mallra përmes kanaleve të ndryshme pa iu nënshtruar mekanizmave të përbashkët doganorë. E kjo do të mund të dëmtonte ekonomitë e rajonit ashtu sikundër që do të zbehte qëllimin e unionit.

Aktualisht problemet politike duken të jenë të patejkalueshme sidomos ato mes Kosovës me Serbi dhe Bosnje Hercegovinë. Pa tejkalimin e problemeve politike do të jetë e vështirë, në mos e pamundshme, që të ecet përpara me themelimin e këtij unioni. Arritja e themelimit dhe funksionalizimit të një unioni të tillë doganor në një rajon kompleks siç është Ballkani Perëndimor, jo vetëm që do të thoshte tejkalim i problemeve politike, por kjo në të njëjtën kohë do të trasonte rrugën për anëtarësim në bllok në BE nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe BE-ja nuk do të duhej të kishte asnjë hezitim në këtë drejtim.

Sigurisht që dakordësimi i të gjitha shteteve për krijimin e këtij unioni doganor do të ishte një e arritur e madhe drejt thellimit të integrimit rajonal. Por, edhe nëse kjo ndodh, anëtarësimi në bllok në BE duket të jetë i vështirë pa njohjen e shtetit të Kosovës nga 5 Shtetet Anëtare të BE-së dhe zgjidhjen e problemit të emrit të Maqedonisë të kontestuar nga Greqia. Nga kjo mund të përfundohet se suksesi i unionit doganor varet nga vullneti i shteteve negociuese dhe mbështetja shumëdimensionale e BE-së në këtë proces. E nëse krijimi i një unioni doganor do të merrte pambarimisht kohë, atëherë kjo vetëm sa do të zvarriste jo vetëm integrimin rajonal por edhe atë evropian.