LAJMI I FUNDIT:

“Uliksi” – romani “katedrale”

“Uliksi” – romani “katedrale”
James Joyce

“Mendoni për romanet e mëdha të kohës sonë, mendoni për Uliksin e James Joyce-it” – Jorge Luis Borges (L’Art de poésie, Gallimard, Paris, 2000, f. 54.)

Nga: Feride Papleka

Është një rrugë në Paris, rruga Odeon, e cila mund të ishte quajtur rruga Uliks, meqë botimi origjinal i romanit monumental Ulysses (Uliksi) i James Joyce-it, u mor përsipër të botohej më 1922 nga Sylvia Beach që kishte aty librarinë Shakespeare & Company; përkthimi frëngjisht (Ulysse) doli shtatë vjet më vonë nga botuesja Adrienne Monnier, mikeshë e S. Beach. Monnier që nga viti 1916 kishte botuar disa autorë francezë, mes tyre edhe Paul Fort, Jules Romain dhe Roger Caillois, pa harruar edhe një revistë jetëshkurtër, ku botuan autorë si: Blaise Cendrars, Jean Giraudoux, Jules Supervielle, Antoine de Saint-Exupéry. Mund të përmenden edhe miqtë shkrimtarë që frekuentonin librarinë si Guillaume Apollinaire, Colette, Jean Cocteau, Jacques Prevert, Saint-John Perse e të tjerë. Me kulturë të gjerë letrare dhe me kuptimësi për rëndësinë e kësaj vepre, ajo ua besoi punën e hollë e të vështirë të përkthimit dy figurave të njohura si përkthyes të anglishtes e që u rishikua i tërë nga shkrimtari Valery Larbaud dhe nga vetë autori.

I cilësuar nga Borges-i si “katedrale e prozës” (Parathënie, Pléiade), ai është çmuar si një nga romanet më të rëndësishme të letërsisë moderne duke zënë vendin e parë në listën e 100 romaneve më të mira të gjuhës angleze në shekullin XX që hartoi The Modern Library më 1998.

Përkthimi në shqip i romanit Uliksi të Joyce-it nga Idlir Azizi dhe botimi i tij nga Shtëpia Botuese Zenit, mbetet një ngjarje kulturore. Sepse kjo vepër e Joyce-it është si një univers i pafund, me regjistrat gjuhësorë dhe stilet e të shprehurit që përmbledh ligjërimi i tij i panjohur më parë në letërsi. Përkthimi i Azizit është një aventurë e guximshme dhe e bukur, por që ka brenda edhe mundimin, si medalje e pakundërshtueshme e gjithë atyre që i kanë hyrë përkthimit të një vepre të vështirë.

Historiku i veprës

Romani Ulysses doli për herë të parë në formën e një rubrike të përjavshme në The Little Review[1], në Nju Jork, gjatë muajve mars 1918 dhe nëntor 1920, para se të botohej i plotë në Paris, në shkurt 1922, nga libraria Shakespeare & Company (ky do të mbetet i vetmi botim me tirazh të madh i librarisë). Që nga botimi i tij me fragmente në Shtetet e Bashkuara, romani nxiti diskutime, sidomos një ankesë nga New York Society për heqjen e pjesëve që u quajtën të turpshme. Madje ajo e cilësoi krejt librin të pabotueshëm. Romani u ndalua në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 1933. Pas kësaj ai u komentua pareshtur dhe do të bëhej objekt i studimeve të panumërta.

Uliksi, vepër klasike e shekullit XX

I pari që e vuri re karakterin enciklopedik të veprës së Joyce-it ishte Ezra Pound-i kur shkroi se “Joyce ka ndërmarrë artin për të vazhduar atje ku e ka lënë Floberi” (Literary Essays of Ezra Pound, ed.Faber &Faber, 1920, f. 403). Është e çuditshme kur konstaton sot se edhe Floberi i shkruan të dashurës së tij Luise Colet, një shkrimtare e kohës, kështu: “Librat, prej të cilëve rrjedh një letërsi e tërë, si Homeri dhe Rabëleja janë enciklopedi e epokës së tyre” (Flaubert, Correspondance II, Pléiade, 1980, f. 545).

Uliksi është nga ata romane që i jep formë një bote të tërë. Duke qenë një roman total, ai i shumëfishon nivelet e leximit dhe përmbush një program enciklopedik. Nëse flitet për palimpsest, ai është një roman me shumë palimpseste, sepse çdo kapitull dhe çdo episod, siç i quan autori, ka një teknikë e simbolikë të veçantë si dhe një mënyrë rrëfimtare të ndryshme. Studiuesit e veprës dhe jetës së Joyce-it, të cilët kanë parë edhe dorëshkrimin, janë mahnitur, sepse kanë gjetur aty romanin shumëpërmasor. Joyce-i i ka lëvizur nga vendi praktikat e tjera të shkrimit. Valéry Larbaud që u bë bashkëpërkthyes i botimit dhe që shkroi hyrjen, e rrallë për epokën, pyet: “Atëherë ku është çelësi”; që arrihet të shkohet përtej klisheve. Në vend të lexuesit që i hutuar nga orteku i fakteve nuk di të orientohet, ai përgjigjet : “Eh, pra, ai është, si të thuash te titulli Uliks”.

Ndikimet

Vepra e Joyce-it ka ushtruar një ndikim të madh te shkrimtarë si Samuel Beckett, Borges, Alain Robbe-Grillet, Salman Ruzhdie, Philippe Sollers, Raymond Queneau, William S. Burroughs, Kerouac, Nathalie Sarraute e të tjerë. Flann O’Brien-i, shkrimtar irlandez e ka protagonist në një roman ku hija e Joyce-it hyn në bisedë me Shën Agustinin.

Një numër i madh kritikësh kanë shkruar se vepra e tij ka nxiturfiksionin modern dhe postmodern duke krijuar breza shkrimtarësh që e braktisën gramatikën, thurjen e ngjarjes, ndonjëherë të palexueshme (si në veprën e Burroughs-it dhe të tjerë të brezit të tij). Disa shkrimtarë si Bernard Shaw ose Paule Coelho janë mjaft të rezervuar për veprën e Joyce-it.

Megjithatë, teoricienët e letërsisë strukturaliste Tzvetan Todorov dhe Gérard Genette dhe të asaj poststrukturaliste, ndër të tjerë Umberto Eco dhe Robert Scholes e shohin Joyce-in si një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit. Eco e quan Finnegans Wake si një « univers ajnshtajnis[2]. Ndikimi i Joyce-it ka lënë gjurmë edhe në fusha të tjera. Kështu fjala “kuark” Three Quarks for Mister Mark në Finnegans Wake, është në origjinë të fjalës quark (kuark) përdorur në fizikë. Fraza këndohet nga një kor zogjsh deti.

***

Vepra e Joyce-it është bërë objekt studimesh në dhjetëra e dhjetëra libra studimorë, seminare, sesione shkencore dhe konferenca.

Filozofi Jacques Derrida ka shkruar një libër për përdorimin e ligjërimit në Romanin Uliksi; filozofi amerikan Davidson e krahason Finnegans Wake me tekstet e Lewis Carrol-it; psikanalisti Jacques Lacan i kushtoi seminaret e viteve 1975 dhe 1976;

Nabokov-i e vlerësonte shumë romanin Uliksi; ai e zhvilloiatë në kurset universitare midis veprave madhore të shekullit XX, si Metamorfoza e Franz Kafka-s apo edh ndonjë tjetër.

Shumë filma janë xhiruar për jetën e Joyce-it dhe Norës, si dhe për vepra të ndryshme të Joyce-it. Midis tyre regjisori amerikan Joseph Strick, më 1983 përshtati për ekranin e madh romanet Ulysses dhe A Portrait of the Artist as a Young Man.

Është orkestruar edhe një pjesë muzikore për fëmijë, me titull Një lule për vajzën time.

Herbert Gorman më 1941 botoi biografinë e parë për Joyce-in.

Richard Ellmann më 1959 botoi një biografi dhe e pasuroi atë më 1982.

Në Dublin, Joyce-i kujtohet duke festuar çdo vit 16 qershorin “Bloomsday”.

Që nga 2011 në Monreal mbahet një festival i quajtur Joyce.

Në Dedham (Massachusetts) të ShBA-së në Shëtitoren Joyce, zhvillohen çdo vit veprimtari sportive dhe lexime të veprave të autorit.

Një kopsht në Paris quhet Kopshti James Joyce.

Për të ruajtur të gjallë kujtimin dhe veprën e shkrimtarit irlandez, në Cyrih ku ai kaloi një pjesë të rëndësishme të jetës, më 1983 është themeluar nga Fritz Senn Fondacioni James Joyce. Ai ka shkruar edhe parathënien e përkthimit të parë shqip të romanit Uliksi.

Sot është përkthyer në shqip një pjesë e madhe e veprës së Joyce-it.

Kritika franceze dhe anglo-saksone

Uliksi (Ulysses anglisht) konsiderohetsotsikryevepër që e ka merituar shugurimin letrar të Joyce-it. Ai është një roman në lëvizje të përhershme, që përshkruan jetën në një ditë të vetme, në universin e hapur të një qyteti të vetëm, Dublin. Ideja filozofike e tij se jeta është një udhëtim, realizohet edhe nëpërmjet monologut të brendshëm të quajtur përroi i ndërgjegjes (stream of consciousness) nga kritika.

Në atë përditshmëri Joyce-i përpiqet të mbërthejë “atë që quhet jetë”, në rrethanat historike të modernitetit në shekullin XX duke kapërcyer pengesat gjuhësore dhe duke e zhvendosur objektin e romanit nga rrëfimi i ngjarjeve, në vetërrëfim. Gjuha, dykuptimësia e ligjërimit dhe teknikat e ndryshme të shkrimit që ndryshojnë në çdo episod, përftuan një jehonë të gjerë qysh në fillim kur romani u botua në Francë dhe ndikuan në çmistifikimin e rrëfimit letrar tradicional. « Detyra që i kam vënë vetes teknikisht, është të shkruaj me tetëmbëdhjetë pikëpamje të ndryshme dhe me po aq me stile të gjithën, atë që duket e panjohur ose e pavënë re nga sivëllezërit e mi”[3]. Këto janë gjithashtu tetëmbëdhjetë orët e atij 16 qershori 1904 në Dublin që nis në orën tetë të mëngjesit dhe vazhdon gjer natën vonë.

Edhe pse një pjesë e kritikës e ka cilësuar romanin Uliksi si një parodi të poemës homerike, kuptimi i tij është shumë më i thellë. Vladimir Nabokov-i në kursin[4] për romanin, më 1980 shkruante: “Uliksi është një vepër e shquar e gjithëkohshme arti, por kritikët janë të interesuar më tepër për konsiderata të përgjithshme dhe ide sesa për veprën në vetvete… Unë duhet t’ju sqaroj se në zhvendosjet e Leopold Blumit atë ditë vere në Dublin, nuk duhet të shihni një parodi të ngushtë të poemës Odiseja, ku punonjësi i reklamave luajtka rolin e Odiseut, ku gruaja kurorëshkelëse e Blumit do të ishte e dëlira Penelopë, ndërsa Stiveni do ta shihte veten si Telemaku. Që ka një jehonë të vagullt të përgjithshme homerike në rastin e Blumit është e dukshme, ashtu si e thotë titulli dhe gjithashtu shohim një sërë nënkuptimesh klasike në libër, por do të ishte fare një humbje kohe, po të kërkoje paralele të ngushta me çdo personazh dhe çdo skenë… Prandaj, pas këtyre interpretimeve në shtyp, Joyce-i u detyrua t’i hiqte titujt pseudo homerikë nga kapitujt, sepse e mendoi se çfarë përfundimesh do të nxirrnin gjithë të mërzitshmit, të ditur dhe të paditur.”

Zanafilla e tekstit

Shqetësimi i Joyce-it për çështjen e formës dhe estetikën e shkrimit është shfaqur mjaft herët. Në fletoret e Parisit ai shkruan: “Ritmi duket se është raporti i parë, domethënë një raport i formës midis pjesëve të ndryshme dhe një të tëre, ose edhe midis cilësdo prej këtyre pjesëve dhe së tërës […] pjesët përbëjnë një të tërë kur ato plotësojnë një qëllim të përbashkët” (25 mars 1903)[5].

Ideja për romanin atij i lindi qëkur ishte duke shkruar Dubliners (Dublinasit) më 1903; ai deshi të shtonte edhe një tregim të titulluar Ulysses. Madje përcaktoi edhe emrat e dy personazheve kryesore: Stiven Dedalus dhe Leopold Blum. Por kjo ide u la për një vepër më të madhe.

Kemi edhe një gjenezë të dytë të romanit në vitet që u ndalua në Amerikë nga viti 1921 deri në vitin 1934 dhe në Britaninë e Madhe deri më 1936. Është një aventurë më vete shpërndarja e romanit në mënyrë të fshehtë. Në shumë tregime moderniste dhe në intervista përshkruhet sesi e kanë kaluar përtej detit romanin e botuar në Francë në një valixhe me fund të dyfishtë apo të ndarë pjesë-pjesë, futur midis rrobave duke përjetuar makthin që i mbërthente nëpër dogana. Madje edhe nga Gjermania naziste, vepra mundi të dilte e të kalonte oqeanin prej një profesori amerikan të letërsisë.

Një përmbledhje e shkurtër e përmbajtjes

Ngjarja, pra, fillon në mëngjesin e 16 qershorit. Arsyeja përse Joyce-i zgjodhi 16 qershorin është thjesht një datë simbolike e jetës së tij, data kur pati takimin e parë të dashurisë me Nora Barnacle (të cilën e kishte njohur një javë më parë), dhe që u bë bashkëshortja e tij e pazëvendësueshme.

Në dritën e imagjinatës së çliruar nga normat e ngushta letrare, personazhet kryesore jetojnë një ditë të zakonshme në qytetin e Dublinit me detin e tij, me diellin mbi det e me shkollat, me shtëpitë, me kishat dhe varrezat, me gazetat, bibliotekat, baret dhe tavernat, spitalet dhe shtëpitë publike e me të gjithë banorët. Në një anekdotë tregojnë se Joyce-i e ka përshkruar me aq saktësi Dublinin, sa po të ndodhte një apokalips, do të mjaftonte të merrnin romanin e tij për të rindërtuar qytetin ashtu si kishte qenë.

Me tetëmbëdhjetë episodet, ashtu si i ka quajtur Joyce-i, në tetëmbëdhjetë ligjërime përurohen sinoret (vend, pjesë e trupit, ngjyrë, fushë e mendimit ose e veprimtarisë), mënyrat e reja të shprehjes (tregimtari, retorikë, stil gazetarie, vazhdim i formave muzikore, evolucion i gjuhës etj.) si dhe temat që trajtojnë jetën, dashurinë dhe vdekjen, në të cilat përfshihen (shkolla, familja, arti, kultura, tradita, ëndrra, seksi, feja, gjendja politike e shoqërore… ). Uniteti i tekstit sigurohet nga përdorimi i pikave të orientimit hapësirë-kohë dhe me teknikën e monologut të brendshëm, që mundëson sjelljen e së shkuarës në të tashmen.

Stiven Dedalusi është njëri prej personazheve kryesore që shfaqet qysh në romanin Portreti i artistit në rini. Aijeton në kullën Martelo me mikun e vet Bak Maligan dhe një tjetër, pak i njohur nga Stiveni, quhet Hajnes dhe ka ardhur një natë më parë, por që del admirues i folklorit irlandez. Dedalusi është një i ri i zhgënjyer, disi pesimist dhe që e neverit shtirja e bashkëkombësve të vet si dhe rregullat e ngurta, prandaj nuk do që t’i shërbejë asnjë ideologjie, madje tallet me Rilindjen gaelike që vepron në rrethet letrare dublineze.

Kur niset atë mëngjes për në punë duke nxituar në ranishtën buzë detit edhe mendimet e tij lëkunden “si valët e detit”. Përsiatjet filozofike për realitetin e botës dhe krijimin nga ex nihilo, vazhdojnë me kujtimet e Parisit kur lexonte Aristotelin dhe Shën Thomas d’Aquin-in. Ai që kishte synim të bëhej doktor apo shkrimtar, i kupton me hidhërim dështimet dhe vetminë që e shoqëron si artist. Duke menduar për ekzistencën e njëkohshme të Atit të përjetshëm dhe unit “terr që shkëlqen në dritë”, ai përhumbet njëkohësisht në vërshimet e ndjesive të një bote në zhvillim të vazhdueshëm. Krenaria e tij e cenuar e shtyn të urrejë trupin, mishin dhe të pohojë një liri të vërtetë shpirtërore. Stiveni është mësues historie. Një nxënës që vjen vonë në klasë, i kujton fëmijërinë duke i ngjallur të kaluarën, dhe e bën të mendojë për dashurinë amnore si të vetmen gjë të vërtetë në këtë botë. Kur mbaron mësimin ai takon drejtorin, i cili i mban një ligjëratë misozhine[6] e antisemite. Në këto rrethana vjen fraza e famshme: “Historia është një makth, nga i cili dua të zgjohem”.

Leopold Blumi, personazhi tjetër, Uliksi modern, shfaqet i heshtur, por plot andralla. Gjatë një dite ai do të përjetojë emocione të shumta e të ndryshme. Autor dhe shpërndarës reklamash, ai kryen një punë si gjithë të tjerët. I ati i tij ka qenë një hebre, i ardhur nga Hungaria dhe i kthyer në protestantizëm; aty në Irlandë ai e pati ndërruar mbiemrin në Blum. Pak pas vetëvrasjes së të atit, Leopoldi përqafoi katolicizmin për t’u martuar me një këngëtare që shëtit gjithë Irlandën me grupin e saj dhe “në ndryshim nga Penelopa e Homerit, ajo kishte pasur shumë dashnorë”, thuhet në një koment, ndër dhjetëra e qindra të tillë që ka ngjallur figura e saj. Ata kanë një vajzë që ka mbushur 15 vjeçe dhe një djalë që jetoi vetëm 11 ditë. Blumi është njeri i thjeshtë, një borgjez i vogël, i sjellë, dashamirës dhe zemërgjerë dhe ne shohim sesi dita e tij ka gëzimet dhe zhgënjimet e saj. Në mbrëmje ai shkon në teatër dhe pastaj në një bordel ku edhe takohet me Stivenin. Aty përjeton disa halucinacione që Joyce-i i përshkruan me mjeshtëri.

Mund të ndalemi në ndonjë temë të poemës së Homerit që autori e risjell me një kuptim të ri bashkëkohor. Bie fjala, tema e Sirenave në të cilën jepet fuqia mizore e kumbimit tingullor, është model i krijimit ku i lihet liri imagjinatës. Për Homerin rreziku e ka burimin te kënga e dy sirenave. Sigurisht te Joyce-i “rreziku” janë dy vajza të reja, por përtej tyre, është krejt episodi që nis e këndon. Lexuesi gjendet i magjepsur si Uliksi i poemës dhe i duhet të kthjellohet që të mos tralliset nga hutimi.

Struktura

Joyce-i është ruajtur të mos ketë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me poemën Odiseja të Homerit, edhe pse në letërkëmbime ai u ka vënë tituj episodeve për ta bërë sa më të kuptueshëm tekstin. Skemat shpjeguese, të njohura si skema Linati[7] dhe skema Gorman[8] (madje është edhe një emër tjetër më pak i njohur), janë “një lloj çelësi” për të hyrë në vepër. Sipas Genette-it, kjo e bën romanin Uliksi një model të “hipertekstit”.

Rrëfimi i romanit përbëhet nga tetëmbëdhjetë kapituj, të cilat Joyce-i vetë i quajti episode (Pléiade, faqe LXXIV), të ndara në tri pjesë të mëdha: duke rimarrë emrat nga poema Odiseja, si: Telemak, Odise dhe Nostos (Pléiade, f. LXXXI-LXXXIV), ose sipas skemës tjetër me tri metafora: AuroraMëngjesiMesnata, (Pléade, f. LXXVI-LXXX).

Pjesa e parë Telamakiada (sipas skemës Linati) përmban tri episode. Veprimi përqendrohet rreth Stiven Dedalusit, personazh që përfaqëson fushat shpirtërore dhe intelektuale, pra, atë që është e palëndët te njeriu, figurë që njëjtësohet me Joyce-in, si një vazhdim i jetëshkrimit Portreti i artistit në rini (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV), i cili mbyllej me fjalët e artistit :“Do të farkëtoj në kudhrën time ndërgjegjen e paformuar të racës njerëzore.”

Pjesa e dytë zhvillohet në dymbëdhjetë episode dhe është pjesa më e rëndësishme e veprës. Aty gjejmë personazhin Leopold Blum, zëdhënës i fushës materiale dhe ndijimore të njeriut, Gjatë gjithë romanit, shtegtimet e Uliksit mund të ilustrohen në mënyrë hipotetike me zhvendosjet e Leopold Blumit në qytetin e lindjes. (Pléiade, f. LXXIV-LXXXIV).

Pjesa e fundit, e treta, përbëhet nga tri episode. Aty shfaqe sërish poeti i ri niset në kërkim të fatit. Monologu i fundmë i Mollit është quajtur më tepër një shtojcë sesa një episod.

Nga ndjesia e pikëllimit dhe zemërimit në hapje, kalohet në atë të gjendjes absurde e të lodhur në pjesën e dytë, për t’u mbyllur me pjesën e tretë muzikore. « Qëllimi im është të transpozoj mitin sub specie temporis nostris. Çdo aventurë nuk duhet vetëm ta kushtëzojë, por madje ta krijojë teknikën e vet»[9].

Veprimi në roman realizohet përmes gjuhës, nisur nga një skemë gjigante njerëzore. Disa komentues janë përpjekur ta minimizojnë fare rëndësinë e skemave të Joyce-it (Ezra Pound, kritiku i tij i parë, mendonte se është fjala për kombinime të pjesëve). Nga bisedat me Frank Budgen[10] shpërfaqet ideja se duke u nisur nga skema, Joyce-i kishte parasysh krijimin e një totaliteti imagjinativ historiko-kohor. Një skemë e tillë gjendet edhe te Komedia Hyjnore. Lacan-i ishte mahnitur nga kjo lloj skeme. « Që çdo kapitull i romanit Uliksi kërkon të mbahet me një lloj suazimi […] është domethënëse, sepse lidhet me lëndën e asaj që tregon” [11].

Interpretimi

Mëngjes qershori. Ditë me dritë të artë, me qiell të kaltër, me rrugë që zgjohen. Një ditë e re dhe një odise e re për njeriun. Stiven Dedalusi nuk ka shumë kohë që është kthyer nga studimet, ai është edhe i trishtuar edhe i gëzuar.

Ky është epilogu i romanit. Sipas kritikës kemi një lindje plot histori që e marrim vesh jo në një vijë rrëfimtare kronologjike, por në prerje horizontale. Pastaj shfaqet Leopold Blumi. Lexuesi i njeh historinë dhe jetën e personazheve si në një vepër të pikturës baroke në të cilën përdoret “edhe impresionizmi edhe kubizmi”.

Përmes monologut të brendshëm ne takojmë shumë personazhe hije, të afërt dhe miq të këtyre personazheve, të vdekurit e Blumit të atin dhe të birin, miqtë e tij të rinisë, të atin dhe të ëmën e Stivenit dhe figura të tjera episodike. Sido që monologu i brendshëm nuk është mbizotërues dhe nuk përdoret i pashoqëruar me një ligjëratë të zhdrejtë, ai në të vërtetë mbetet shenja më dalluese e romanit. Vetëm monologu i Mollit në mbyllje është mbase i vetmi monolog i pastër.

Tetëmbëdhjetë episodet e romanit që përurojnë një grup të ri elementesh, janë një konceptim i ri të shkruari në fillimet e shekullit XX. Uniteti i veprës sigurohet nga përdorimi i shenjave dalluese, hapësirë-kohë dhe nga teknika e monologut. Romani është gjithashtu shumësi simbolesh dhe nënkuptimesh për historinë e mendimit perëndimor. Uliksi vetëështë një titull simbolik, ashtu si edhe personazhi kryesor, Leopold Blumi, i cili shndërrohet në simbol. Ai është hebre, përfaqësues i një populli me fat dramatik[12]. Në parathënien[13] e botimit të parë, vendosjen e Blumit në qendër të romanit, përkthyesi I. Azizi e quan “akt themelor politik”.

Ndryshe nga bashkëkohësit e vet shkrimtarë, Joyce-i nuk rrëmbehet nga përsiatjet morale dhe shoqërore. Në roman narracioni organizohet si kaos i një subjektiviteti fatmirësisht përparimtar, me një ironi që pastron vetëdijet, me një fragmentim të ngjarjeve dhe kujtimeve, ashtu si në jetë; ky model do të arrijë kulmin me Romanin e ri në Francë. Joyce-i kryqëzon idioma, vende, fjalë, ligjërime nën diellin e patriotizmit irlandez, shtegtime, këngë të trupit dhe shpirtit njerëzor, ngjyra dhe takime qytetërimesh, në të vërtetë të përziera prej kohësh. Të gjitha nën shigjetën sarkastike të deheroizimit të jetës në një përditshmëri natyrore të vjetër sa bota dhe në një vend të përbashkët ku kryqëzohen fatet njerëzore.

Nabokov-i ishte një lexues i vëmendshëm i Joyce-it. Ai e quante dhunti të veçantë shpikjen e fjalëve, lojën dhe tingëllimin e tyre. Por një moment që i kishte lënë shumë mbresa dhe që e komentonte në kurset e tij si një ide që do të formonte breza burrash të emancipuar, është ai kur Blumi i sjell mëngjesin në tabaka Mollit. Këtë pasazh ai e quante si “më të madhin e gjithë letërsisë”. Në këtë cilësim përzihej entuziazmi i shkrimtarit, lexuesit dhe ligjëruesit në katedrën e letërsisë.

***

Kritika thotë se ka një poetikë universale ligjërimi te vepra e Joyce-it. Domethënë se mund të ekzistojë një Libër, forma e të cilit të shpjegojë ide universale. Umberto Eco e ka quajtur vetë titullin një “formë shprehëse” që flet për përmbajtjen. Kur Joyce-i kërkon të dënojë paralizën e jetës irlandeze[14] dhe, përmes saj paralizën dhe shkërmoqjen e botës, për shembull, ai regjistron fjalitë e zbrazëta të mbushura me një vetëbesim të tepruar të gazetarëve, pa dhënë vetë asnjë gjykim. Gjykimi qëndron thjesht te forma e kapitullit, në të cilin rigjejmë të gjitha figurat retorike dhe ku frazat e bisedës u përgjigjen paragrafëve, titujt e të cilëve na kujtojnë ata të artikujve të gazetave; një lloj retrospektive titujsh të gazetës viktoriane të mbrëmjes plot skandale. Umberto Eco e lidh këtë formë rrëfimi me një lloj epifanie. « Nuk bëhet fjalë më për magjepsje nga një epifani vegim, por për një epifani strukturë me përmbajtje të qartë karteziane”[15].

Forma e romanit është “ujdisur” që në kohën e Aristotelit me poetikën e një intrige që sa vjen dhe zhvillohet në kohë. Përkundrazi Joyce-i realizon një formë shkrimore me prerje horizontale, në të cilën brenda një dite ngërthehen kohërat: Antikiteti, Mesjeta, Moderniteti, madje jashtë përsiatjeve dhe bisedave nuk mbeten as Upanishadat që është faza e fundit e Vedave dhe që sipas filozofisë Hindu shpreh te njeriu esencën shpirtërore të ndarë nga trupi.

Te Uliksi veprimet pa ndonjë rëndësi të jetës së përditshme, përftojnë vlera narrative. Perspektiva aristoteliane gjendet kështu e përmbysur; ajo që më parë ishte e dorës së dytë, bëhet kryesore. Aty nuk janë më gjërat e mëdha që ndodhin, por gjërat e vogla që shumohen përbëjnë ngjarjen. Herë-herë në roman ka biseda serioze, herë-herë dëgjohen thirrma vulgare ose shprehje formale, pa kuptim, herë-herë stili kalon në Yiddish ose në një gjuhë të pakuptueshme. Vështrimi i rastësishëm, mendimet dhe gjestet e atypëratyshme, marrin formën e një lloj automatizmi të jetës dhe janë lënda e parë për shkrimtarin. Sepse “arti është mënyra njerëzore për t’i dhënë lëndës së dukshme apo të padukshme një qëllim estetik” (Joyce, Fletoret e Parisit, 1905).

Kritiku Ernst R. Curtius shkruan se “Uliksi ka në bazë një nihilizëm metafizik; te ai makrokozmosi dhe mikrokozmosi prehen në zbrazëti dhe se qytetërimi katandiset në hirnajë si në një kataklizmë kozmike. Nihilizmi i tij është i lidhur me rregullin irracional”[16].

“Çrregullimin” në veprën e Joyce-it disa studiues e quajnë art, sepse çrregullimi aty jepet sipas një rregulli. Me këtë “gjenialitet të formalizmit”, autori ia del të sigurojë ekzistencën e botës së re që ka zbuluar vetë. Pikërisht këtu qëndron shpikja kryesore në roman.

Metoda e Joyce-it që ndërton një monolog të përzier me përshkrimin e gjesteve dhe të historisë, është më afër krijimit poetik. Këtë e ka shpjeguar Budgen[17] që e vlerësonte mënyrën e paraqitjes psikologjike të personazheve te romanit. Në librin me kujtime ai shkruan “ Metoda e thurjes së elementeve në prozën e Joyce-it ishte më shumë ajo e një poeti sesa e një prozatori. Fjalët që përdorte, ai i kishte të gdhendura thellë në mendje, para se të merrnin formë në letër”. Budgen kujton edhe se, ndërsa njëherë e pyeste për ecurinë e romanit, Joyce-i i ishte përgjigjur se “kishte punuar gjithë ditën për të shkruar dy fraza”. Dhe kishte shtuar se “i kishte tashmë në kokë fjalët, por i duhej të gjente rendin ideal”. Ja dhe dy frazat: “A warm human plumpness settled down on his brain. His brain yielded. Perfume of embraces all him assailed. With hungered flesh obscurely, he mutely craved to adore. “ (Ulysses, f. 637). Por përkthimi e ka të pamundur në cilëndo gjuhë qoftë, të ruajë rendin e fjalëve për shkak të zhvendosjes të theksit. Në anglisht fragmenti paraqitet si prozë poetike.

Shembujt e ndryshëm nga romani tregojnë se më shumë është fjala për një poetikë të brendshme të frazës sesa për një teknikë të mirëfilltë poetike. Ai është një art poetik që shpaloset mezidukshëm, një art që trazon dallimet e zakonshme mes poezisë dhe prozës. Valéry Larbaud shihte në këtë teknikë mjetin që Joyce-i të shkruante në mënyrë të natyrshme dhe ta zvogëlonte sa më shumë intrigën.

“Poetika e tij e re nuk ndalet vetëm në shfrytëzimin e sferës së unit lirik në gjendje nistore si në prozën e Woolf-it”, por përfshin një material të shtrirë në hapësirë dhe kohë. Kritika shënon se shqetësimi i Joyce-it për tekstin nuk kishte të mbaruar. Ai dëgjonte me vëmendje dhe shënonte fjalë, të cilat i duheshin dhe kishte besim te ylli i frymëzimit të tij. Gjithçka që grumbullonte, e përdorte në kohën dhe në vendin e duhur. Dhe meqë Uliksi pati si temë jetën në të gjitha pamjet e saj, nuk kishte kufi në përdorimin e elementeve të ndryshme që do të luanin rol në ndërtesën e tij krijuese: ngjyrat e ditës; të qiellit; një parodi; emri i veçantë i një peshku; metodat që përdoreshin për dënimin e marinarëve në anijet shkollore; një frazë e pambaruar; ngërçi nervor i një të ftuari që vizatonte në gotën e tij rrathë bashkëqendrorë; një shaka në një sallë muzike, bisedat nacionaliste… Shkrimtari dhe kritiku Wyndham Lewis thotë: « Kjo është një metodë natyraliste e çuar gjer në makth të përkryer”. Në këtë kuptim Uliksi lajmëron Finnegans Wake. Lexuesi e vë re se gjuha është ajo që shpesh i strukturon perceptimet.

***

Joyce-i ka përfituar nga realizmi psikologjik i personazheve letrare, sidomos i atyre të shekullit XIX, por ai e ndërthur këtë në ekuacionin veprim / monolog. Ne shpeshherë lexojmë mendimet e një personazhi që përshkojnë monologun e një tjetri : përputhje të habitshme bëjnë që Blumi të mendojë atë që Stiveni kishte thënë për Shekspirin. Edhe Lacan-i e përmend këtë gjë. Ndonjë kritik hamendëson se Joyce-i ka për qëllim të vërtetojë një lloj transmetimi telepatik midis Blumit dhe Stivenit. Bie fjala, Stiveni në bibliotekë dhe Blumi në episodin “Sirenat” mendojnë pak a shumë të njëjtën gjë: poetika e trishtimit, roli i muzikës, vargje nga vepra e Shekspirit. Është fjala për një kryqëzim idesh: gjithçka ndodh sikur Joyce-i donte të thoshte se ekziston një nënvetëdije kolektive. Prandaj është e pranueshme për të gjithë kritikët xhoisjanë të flasin për një instancë të një narracioni specifik midis narratorit dhe autorit. Ai shfrytëzon mundësitë që krijon struktura e ligjërimit e bazuar mbi një lloj dialogjizmi me ndërhyrje që janë thyerje logjike në ligjërim.

Për Joyce-in “bota e re”, e re në kuptimin që të ndërmarrësh një punë që nuk është provuar gjer atëherë, është më tepër « më e mira e botëve” të përhershme që rrjedh si lumë. Humori aty është i pranishëm çdo çast edhe pse gjejmë medoemos pesimizëm, hidhërim, keqardhje apo ironi. Humori shërben për të yshtur ankthin e vdekjes. Ndaj edhe dëgjojmë pareshtur të qeshura në të gjitha tonalitetet, një e qeshur që përfshin gjithësinë.

Kjo epope e Uliksit, e simbolizuar me një çifut hungarez, i shtënë pas shkencës, të cilit i bashkohet artisti Stiven Dedalus, i përhumbur në ankthin e Historisë është e jashtëzakonshme. Një pjesë e romanit shquhet për monologun e brendshëm të personazheve, pjesa tjetër për një parodi stilistike dhe autonomie gjuhësore në raport me “subjektet”, derisa gjuha bëhet vetë subjekt. Kështu kur përshkruan një skenë në maternitet Joyce merret me evolucionin e letërsisë angleze. Të gjitha shënimet që ka lënë ai, flasin për një enciklopedi të kulturës dhe historisë. Risjellja e së kaluarës në të tashmen, na kujton formulën e Dekartit : Mendoj, pra, jam[18], mënyrë faustiane për të kapërcyer tmerrin total. Jacques Derrida tregon se Emmanuel Levinas thoshte se Uliksi është “hero shumë hegelian”. Në esenë Uliksi gramafon, ndër të tjera, Derrida shkruan: “Nga njëra anë, vepra (Uliksi) e Joyce-it është një makinë shkrimtarie, një korpus, në të cilin shpalosen dhe ndërthuren të gjitha: ligjërimet, gjuhët, dija. […] Nga ana tjetër thjeshtësia e saj dhe mënyrat e tërthorta të paraqitjes, bëjnë që të triumfojë autori dhe gjithçka merr pjesë pastaj për ta bërë të pamundur deshifrimin e tekstit. E shkruar në një përzierje gjuhësh, vepra mban gjallë pështjellimin. […] Ajo lë te lexuesi gjurmë të pashlyera duke e transformuar (nëse ia del ta lexojë; në më të shumtën e rasteve nuk ia del dot).Dhe lexuesi pret nga libri një zë profetik. Libri është si një thirrje në telefon që thotë: “Alo, jam këtu, po të dëgjoj”.

Përfundim

Duke shkruar Uliksin, James Joyce-i kreu një udhëtim gjuhësor që zgjati tetë vjet e që u kurorëzua me një kryevepër botërore. Prandaj krijesat e Joyce-it ia behin nga hapësira e rrëfimit me gjithë plotërinë e tyre duke fituar lëndën prej mishi dhe kocke, jo të një demiurgu, por të një njeriu që është i mbërthyer thellë në “jetën e vërtetë”.

Uliksi është një roman total, me një ndërtim shumëpërmasor që ka bashkuar disa regjistra shkrimorë për të shumëfishuar nivelet e leximit. Duke ecur në gjurmët e Homerit, por nga ana e kundërt e epikës, Joyce-i tregon jetën e zakonshme, komike dhe tragjike njëherësh, betejën ekzistenciale të njeriut. Uliksii sotëm përmbledh në një ditë të vetme në Dublin, dhjetë vjetët e endjes së Uliksit homerik. Epopeja moderne është “parodike […] e mishëruar te personazhi Leopold Blum, i cili nuk ka asnjë përmasë heroike në veprime, por vetëm në ëndrra. Bota në të cilën jeton ai është një pështjellim në vogëlsinë e vet dhe në përmasat mediokre”[19]. Forca e Blumit është të mos mposhtet nga negativja p<r t< siguruar vazhdimësinë e njerëzimit.

Para së gjithash romani është një sfidë vetjake për autorin, e cila mishëron një betejë gjuhësore në kërkim të fjalëve, prandaj është quajtur aventurë gjuhësore. Sintaksë, strukturë, tingull dhe stil, çohen gjer në atë pikë, sa fjalët dhe shkronjat e tyre fitojnë një jetë të pavarur. Simbolizmin që përshkon gjithë romanin dhe portretet psikologjike realizohen me anë të gjuhës. I syrgjynosur vullnetar i vendit dhe i gjuhës së tij, Joyce-i sajon gjuhën e vet, një gjuhë tjetër që e përvetëson, një gjuhë të krijuar prej tij që e shtyn lexuesin deri në kufijtë e të padukshmes. Thyerja e raporteve shkrimore të vendosura nga një traditë mijëvjeçare ishte guxim i madh krijues. Shkrimi i tij imiton shpërfaqjen e një mendimi të vetvetishëm.

Ecuri teknikash dhe lojërash gjuhësore, Uliksi i Joyce-it do të shquhet, ndër të tjera, për përdorimin e shkëlqyer të “përroit të ndërgjegjes”, që mëton të përshkruajë pikëpamjet e personazheve si një barasvlerë të mendimit të tyre.

Të lexosh Uliksin është një përvojë e papërsëritshme, sepse ai është edhe një udhëtim i brendshëm që na përball me një pjesë të unit tonë të panjohur. Joyce-i e vendos subjektin para një pasqyre në të cilën mund të humbasësh ekuilibrin nga e vërteta e zbuluar, por që është edhe e vërteta jonë. Thuhet se Joyce-i e mbrojti njëherë të vetme romanin me thënien e papërsëritshme dhe magjiplote: “Atëherë, po të mos lexohet Uliksi, duket thënë se nuk duhet të jetohet jeta”.

Efekti i “çuditshëm” i romanit lidhet me dendurinë e stilit, i cili është ekstravagant dhe plot kolorit. Këto “ushtrime” stilistike, nëse do t’i quajmë të tilla, nuk mbeten të ngujuara në një botë ëndrrash të ndarë nga jeta: ato hyjnë befasisht në mes të një historie që vazhdon të shtjellohet me gjakftohtësi në mes të një deti kulture. Dhe është kjo lëvizje kontradiktore me rënie dhe ngritje që e shndërron këtë tekst në një stinë të madhe jetësore ku jepen edhe qëndrimet kundër kishës dhe institucioneve, kryesisht ndaj Kishës katolike dhe Shtetit.

“Cilat janë arsyet e një suksesi botëror të Uliksit?”- pyet Typhaine Samoyault, kritike dhe profesore e letërsisë në universitetin Paris 8, e cila ka marrë pjesë në grupin e tetë përkthyesve të romanit për botimin e ri më 2004[20]. “Duke u bërë botëror, Uliksi është shkëputur nga kufizimet kombëtare, por gjithashtu edhe nga pozicioni i tij jashtëqendror duke e transformuar thellësisht idenë e autoritetit letrar. Joyce-i ka emancipuar gjuhën dhe kombin”,- përgjigjet vetë ajo. Kurse Philippe Forest , edhe ky profesor letërsie dhe studiues i vepërs xhoisjane në ditë tona, mendon se “Ulysse” nuk është një libër i palexueshëm”, ashtu si thuhet rëndom, “por një libër i lexueshëm; ai flet për jetën e atij që lexon dhe të atij që shkruan”.

Në të vërtetë, qysh nga botimi i pjesshëm dhe deri në ndalimin e tij të plotë kemi një mungesë perspektive botimi, por njëkohësisht edhe një veprim çlirues, thotë kritika. Censura solli një solidarësi të veçantë me librin. Kemi gra të guximshme botuese si Margaret Anderson në Amerikë dhe Silvia Beach në Francë, postierë që rrëmbejnë kopje të revistës Little Review pas dënimit ku është botuar Ulysses, ka gjyqtarë dhe botues që e mbrojnë librin. Sigurisht ka edhe doganierë që zbulojnë kopje të librit dhe i djegin.

Por është për t’u theksuar, se botues me emër kanë luftuar ta heqin censurën mbi librin duke marrë pjesë me guxim në një proces të madh gjyqësor në mbrojtje të romanit për vite të tëra. Prandaj mund të thuhet se romani mbarti një fuqi transformuese: “Uliksi ka karakter transformues, ai nuk ka ndryshuar vetëm rrjedhën e letërsisë, por edhe përkufizimin e letërsisë në sytë e ligjit”[21].

Vepra e Joyce-it karakterizohet kryesisht nga një zotërim mahnitës i gjuhës dhe nga përdorimi i formave letrare të reja, të shoqëruara me krijimin e personazheve si Stiven Dedalus, Leopold Blum dhe Molli Blum që janë individualitete të një humanizmi të thellë. /Gazeta “ExLibris”/

______

Burimet: Veprat kryesore të Joyce-it, botimet Pléiade dhe arkiva Universalis.

[1] Revistë e avanguardës amerikane me bashkëdrejtues dhe bashkëpunëtorë Gertrude Stein, Shervood Andersom, T.S. Eliot. Romanin Uliksi të Joyce-it e rekomandoi aty Ezra Pound që ishte bashkëpunëtor për Europën. Revista e cilësonte si një nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX, e cila do të transformonte krejt prozën narrative.

[2] Umberto ECO, L’Oeuvre ouverte, ndarja 1: La poétique de l’oeuvre ouverte, Seuil, Paris, 1962, f.97.

[3]  Letër dërguar H.Weaver-it, 24 qershor 1921 në Lettres 3 : 1915-1931, Paris, Gallimard, 1981, f. 194.

[4]  Vladimir NABOKOV, Littératures, Paris, Robert Laffont, 2010, f. 1214. Në kurset e letërsisë në universitetet amerikane (1941-1958), Nabokov-i ka analizuar vepra nga Dickens, Flaubert, Stevenson, Proust, Kafka, Joyce ashtu si edhe ato të autorëve rusë: Gogol, Tourgenjev, Dostojevski, Tolstoi, Çehov dhe Gorki. Ai ka bërë një studim ikonoklast për Don Kishotin. Duke hedhur poshtë shumicën e ideve të pranuara për kryeveprat e letërsisë, Nabokov-i pohon me një humor të shkëlqyer dhe ironi konceptet e veta të pavarura. “Litteratures” nuk arriti të botohej në gjallje të autorit, por në sajë të një pune të paepur dokumentuese të profesorit amerikan Fredson Bowers, skicat e Nabokovit, shpesh në dorëshkrim dhe shënimet në kopjet e librave që i duheshin për citime në auditor, formuan librin e madh të kurseve universitare, që John Updike, në parathënie i quan Ese.

[5]  Pléiade, v. II, Paris, 1995, f. 901.

[6]  Misogine (fr. me burim grek): Që urren ose përçmon gratë.

[7]  Carlo LINATI, shkrimtar dhe kritik italian (në James Joyce, Œuvres complètes, Gallimard, « Bibliothèque de la Pléiade », 1995, v. II, f. 910-911.

[8]  Herbert GORMAN, shkrimtar dhe biograf amerikan.

[9]  Letër dërguar Carlo Linati-it, 21shtator 1920 (në James Joyce, Œuvres completes… (vepër e cit.). Po aty.

[10]  Frank Spencer BUDGEN (1882 – 1971), piktor, shkrimtar dhe veprimtar socialist. Budgen dhe Joyce kanë kaluar shumë kohë bashkë në Zvicër, sidomos gjatë Luftës I botërore. Libri i tij me kujtime James Joyce and Making of Ulysses, 1934, përshkruan diskutimet e tyre të shumta rreth problemeve estetike të krijimit. Si piktor Budgen-i ka realizuar mjaft portrete të James Joyce-it.

[11]  Jacques LACAN, Le Séminaire, livre XIII, Le sinthome, Seuil, Paris, 2005, f.65.

[12]  Kur botoi Joyce-i romanin, shteti i Izraelit nuk ekzistonte.

[13]  Mendoj se ajo parathënie duhet ta shoqërojë librin në të gjitha ribotimet.

[14]  “Banorët e Dublinit janë bashkëkombësit e mi… por ata përbëjnë një racë sharlatanësh … Dublinasi e kalon kohën duke dërdëllitur dhe duke shkuar nga kafeneja në kafene, në taverna dhe në bordel…”. Citim nga një letër e Joyce-it në librin e Richard Ellmann-it, Joyce.

[15]  Umberto ECO, L’Oeuvre Ouverte, Du Seuil, Paris, f. 221.

[16]  Ernst Robert CURTIUS (1886-1956) , një prej figurave të mëdha të kulturës moderne europiane. Filolog dhe profesor letërsie në disa universitete të Gjermanisë, ai bëri studime për shumë autorë si Paul Valéry, Maurice Barrès, Valéry Larbaud, Paul Clodel, Marcel Proust, James Joyce, Emerson, T.S. Eliot, Hugo von Hofmannsthal e të tjerë. Ai është autor i veprës së shquar “Letërsia europiane dhe Mesjeta latine”.

[17] Frank Spencer BUDGEN, James Joyce et la création d’Ulysse, (përkth. nga angl.), Denoël, Paris, 2004, f.137.

[18]  Cogito ergo sum (lat.)

[19]  Robert LOUIS, James Joyce, Une epopee parodique, Magazine Littéraire, Paris, janar, 2004, f. 55.

[20]  Përkthimi i ri i romanit u bë më 2004 nga Shtëpia Botuese Gallimard, Paris, me një grup prej tetë vetësh të formimeve të ndryshme universitare, kryesuar prej Jacques Aubert.

[21]  Kevin BIRMINGHAM, The Most Dangerous Book: The Battle for James Joyce’s Ulysses, 2014, f. 92.