Ashtu siç u paralajmërua më herët, kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i ka dekoruar Njësitë për operacione speciale dhe për shpërndarje të shpejtë pranë MPB-së, me ''Medalje për merita ushtarake'', ndërkaq me ''Medalje për guxim'', pas vdekjes, janë dekoruar tetë pjesëtarët e MPB-së, të cilët u vranë në luftimet kundër ''Grupit të Kumanovës'' më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Në fjalimin e tij, kryetari Ivanov tha se njësitet e MPB-së, bashkë me ato të ARM-së, mbajnë barën e krizës së migrantëve, dhunës në kufi dhe përballen me kërcënimet e sigurisë nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, aktet e dhunshme nëpër qytete dhe me pasojat e krizës politike.


Ivanov theksoi se është koha që ta ''lëmë anash frymën ndarëse, mosdurimin dhe urrejtjen ndaj kundërshtarit politik dhe përfundimisht të pajtohemi dhe të ngjeshemi rreth interesit shtetërorë''./Telegrafi/