U arrestua për spiunazh, përfundon bastisja në banesën e Fatmir Shehollit

Policia e Kosovës ka përfunduar bastisjen në banesën e Fatmir Shehollit, i arrestuar sot nën dyshimet për spiunazh.
Lajmin për arrestimin e Shehollit për spiunazh e ka bërë të ditur sot ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri Sveçla ka pohuar se pret trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, transmeton Telegrafi.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me AKI-në dhe prokurorinë ka arrestuar sot Fatmir Shehollin, me dyshimet e bazuara për përfshirje në spiunazh. Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë ka bashkëpunuar me akterë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj. Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm. Republika duhet mbrojtur me përgjegjësinë më të lartë institucionale dhe morale”, ka shkruar Sveçla.

Lidhur me arrestimin e Shehollit ka njoftuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në njoftim thuhet se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, të enjten hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës kanë arrestuar F.SH., nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”.
“I dyshuari F.SH është arrestuar në regjionin e Prishtinës, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘Spiunazh’, nga neni 124 paragrafi 3 të KPRK-së. Operacioni i arrestimit është kryer edhe me asistencë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhej se me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, dhe nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës është kryer bastisje në vendbanimin e të dyshuarit, me qëllim të sigurimit edhe të provave të tjera materiale.
Tutje në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi, për të cilat publiku do të njoftohet në kohë. /Telegrafi/




















































