LAJMI I FUNDIT:

Turqia shpreson në rinovimin e marrëveshjes me Rusinë për grurin e Ukrainës

Turqia shpreson në rinovimin e marrëveshjes me Rusinë për grurin e Ukrainës

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan i ka kërkuar Rusisë të kthehet te marrëveshja që e lejon Ukrainën të eksportojë drithërat, duke lehtësuar një krizë botërore ushqimore, mirëpo Moska kërkon lëshime që vetëm Perëndimi mund t’i ofrojë.

Erdogan shprehu optimizëm rreth rivendosjes së një marrëveshjeje vendimtare të grurit të ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, pas bisedimeve me homologun rus Vladimir Putin.


Moska e braktisi marrëveshjen, e cila krijoi korridore për eksportet ushqimore të Ukrainës mes një mungese botërore ushqimi, në fillim të korrikut. Rusia u ankua se Perëndimi po bllokonte eksportet e veta të grurit dhe plehut.

Në një konferencë shtypi pas tre orë bisedimesh në vendpushimin rus të Soçit në Detin e Zi, presidenti turk tha se besonte se së shpejti mund të gjendej një zgjidhje për të ringjallur marrëveshjen. Me propozimet e reja nga OKB që kanë për qëllim adresimin e shqetësimeve të Rusisë, Erdogan tha se shpresonte të arrihej sa më shpejt një zgjidhje e mundshme.

“Kemi përgatitur një paketë të re propozimesh në konsultim me OKB-në. Besoj se është e mundur të arrihen rezultate. Unë besoj se do të arrihet së shpejti një zgjidhje që do të përmbushë shpresat e Turqisë. Nuk mund të ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme”, tha Erdogan duke shtuar se alternativat ndaj marrëveshjes origjinale të grurit që janë hedhur nga Moska dhe Kievi.

Putin tha se Rusia ishte gati të ringjallte marrëveshjen sapo të hiqeshin kufizimet ndaj eksporteve të saj.

“Ne do të jemi gati të shqyrtojmë mundësinë e ringjalljes së marrëveshjes së drithit. Dhe do ta bëjmë këtë sapo të zbatohen plotësisht të gjitha marrëveshjet për heqjen e kufizimeve ndaj eksporteve bujqësore ruse”, tha Putin.

Erdogan takohet me Putinin, paralajmëron rikthimin e marrëveshjes së drithërave
Lexo po ashtu Erdogan takohet me Putinin, paralajmëron rikthimin e marrëveshjes së drithërave

Pse është e rëndësishme marrëveshja?

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga OKB dhe Turqia, i mundësonte Ukrainës vazhdimin e eksportimit të grurit që nga vera e vitit 2022 duke siguruar zinxhirët e furnizimit botëror.

Që kur u tërhoq nga marrëveshja, Rusia ka nisur një breshëri sulmesh ndaj depove të drithërave dhe infrastrukturës portuale të Ukrainës, e cila është një nga furnizuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Ajo ka thënë se do t’i konsiderojë anijet që udhëtojnë për në dhe nga portet ukrainase si anije që mund të transportojnë mallra ushtarake, pra, si objektiva të ligjshme sulmi.

Sulmet kanë përfshirë edhe dy portet e brendshme në Danub, Reni dhe Izmail, të dyja janë në kufi ujore me Rumaninë dhe kanë kanë fituar rëndësi në rritje për eksportin ukrainas.

Presidenti i Turqisë i ka bërë thirrje Rusisë të heqë bllokadën e saj, duke nënvizuar rëndësinë e marrëveshjes për stabilitetin ushqimor anembanë botës në zhvillim. Ai ka theksuar se marrëveshja është thelbësore edhe për të ruajtur sigurinë në vetë rajonin e Detit të Zi.

Erdogan është përpjekur të mbajë lidhje të mira si me Moskën, ashtu edhe me Kievin gjatë luftës 16-mujore në Ukrainë dhe ka refuzuar të bashkohet me anëtarët e tjerë të NATO-s në sanksionimin e Rusisë.

Rusia po e përkeqëson urinë botërore

Ndërkohë, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock akuzoi Putinin se po luante lojëra “cinike”.

“Rusia po e përkeqëson urinë botërore. Vetëm për shkak të Putinit transportuesit e mallrave nuk mund të kalojnë lirshëm”, tha Baerbock.

Ajo shtoi megjithatë se përpjekjet e Erdoganit për të “kthyer marrëveshjen në udhën e duhur” janë të rëndësishme.

Putin tha pas bisedimeve me presidentin e Turqisë se Moska ishte pranë arritjes së një marrëveshjeje për të siguruar grurë për gjashtë vende afrikane. Ai tha se Rusia do të furnizojë ushqimin dhe do të kryejë logjistikën pa pagesë, duke shtuar se furnizimet “do të fillojnë në dy javët e ardhshme”.

Kritika të ashpra ndaj Kremlinit për moszgjatjen e marrëveshjes së grurit me Ukrainën
Lexo po ashtu Kritika të ashpra ndaj Kremlinit për moszgjatjen e marrëveshjes së grurit me Ukrainën

Çfarë kërkon Rusia?

Putin thotë se që Rusia të kthehej në marrëveshje do të duhej të përmbusheshin disa kushte. Këtu përfshihet heqja e pengesave ndaj eksporteve ushqimore ruse, duke përfshirë edhe sanksionet perëndimore mbi pagesat, logjistikën dhe sigurimin e anijeve.

Erdogan ka treguar simpati për qëndrimin e Putinit. Në korrik, ai tha se Putin kishte “disa pritmëri nga vendet perëndimore” lidhur me marrëveshjen e Detit të Zi. Ai shtoi se është “vendimtare për këto vende të ndërmarrin hapa lidhur me këtë”.

Kohët e fundit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i dërgoi ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov “propozime konkrete” për të sjellë eksportet ruse në tregjet botërore. Por, ai tha se Moska nuk ishte e kënaqur me letrën.

Sipas burimeve zyrtare ukrainase, Rusia kishte nisur në prag të bisedimeve një sulm “masiv” me dronë ndaj rajonit të Odesës, duke duke dëmtuar infrastrukturën në Izmail.

Rruga ujore e Danubit është tani kanali më i rëndësishëm i Ukrainës për të eksportuar grurë, me anijet që nisen për në Detin e Zi nëpërmjet portit rumun të Konstancës, duke anashkaluar kështu bllokadën e Rusisë ndaj porteve ukrainase. /Deutsche Welle/