LAJMI I FUNDIT:

Turqia i kërkon SHBA-së të ndalojë mbështetjen për milicinë kurde

Turqia i kërkon SHBA-së të ndalojë mbështetjen për milicinë kurde

Turqia u kërkoi Shteteve të Bashkuara të ndalojnë mbështetjen për milicinë kurde në Siri, ndërsa intensifikoi ofensivën kundër saj.

Një zëdhënës i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i tha BBC-së se luftëtarët kurdë janë duke përdorur armë amerikane kundër trupave turke, që po bëjnë përpjekje t’i dëbojnë ata nga rajoni Afrin.


Turqia e konsideron milicinë si grup terrorist dhe si degë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila do autonomi për kurdët brenda Turqisë.

Milicia kurde në Siri e mohon çdo lidhje me PPK-në.

Kjo milici, e cila kontrollon territore të mëdha në verilindje të Sirisë, ka qenë aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik atje, transmeton Evropa e Lirë.

Ankaraja kërkon tani që t’i jepet fund aleancës, duke thënë se lufta kundër Shtetit Islamik ka marrë fund.

“Nuk mund të tolerojmë që Partia e Punëtorëve të Kurdistanit të krijojë një lloj strukture shtetërore përgjatë kufirit tonë në Siri”, tha zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin.

Forcat turke kanë nisur ofensivën kundër milicisë kurde në Afrin të shtunën. Mijëra civilë raportohet se kanë ikur nga zona.