Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë në Moskë me një propozim për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Më pas, ata pritet të shkojnë edhe në Kiev për të zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.


Trump i cilësoi Witkoff dhe Kushner si “negociatorë të mëdhenj” dhe tha se ata kanë bërë një punë të shkëlqyer në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike.

“Po sjellin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, tha ai, pa zbuluar detajet e planit amerikan. Ai shtoi se ekziston mundësia që përpjekjet e reja diplomatike të sjellin rezultat.

Duke folur për vështirësitë në arritjen e një marrëveshjeje, 80-vjeçari e lidhi ngërçin edhe me marrëdhëniet personale mes liderëve të dy vendeve.

“Është një problem personal mes Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti Zelensky dhe presidenti Putin vërtet e urrejnë njëri-tjetrin”, deklaroi ai.

Sipas liderit amerikan, kjo armiqësi e fortë mes dy liderëve po pengon përparimin drejt një marrëveshjeje paqeje.

Misioni i Witkoff dhe Kushner zhvillohet në një kohë kur negociatat mes Moskës dhe Kievit kanë mbetur të bllokuara, ndërsa luftimet dhe sulmet ajrore vazhdojnë. Vizita në Moskë pritet të pasohet nga një takim në Kiev, ku dy të dërguarit amerikanë do të zhvillojnë për herë të parë bisedime me Zelenskyn në Ukrainë.

Trump ka shprehur optimizëm për mundësinë e një marrëveshjeje, por deri tani nuk janë bërë publike kushtet konkrete të propozimit dhe mbetet e paqartë nëse Moska dhe Kievi janë të gatshëm ta pranojnë atë si bazë për negociata. /Telegrafi/