Presidenti amerikan, Donald Trump ka dërguar të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndrin e tij, Jared Kushner, në një mision diplomatik në Moskë dhe Kiev, me synimin për të avancuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Trump deklaroi se dy negociatorët amerikanë po udhëtojnë me një propozim për paqe. “Ata po sjellin me vete një propozim për t’i dhënë fund luftës”, tha presidenti amerikan, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e planit.


Sipas planit të raportuar, Witkoff dhe Kushner pritet të takohen fillimisht me zyrtarë rusë në Moskë dhe më pas të udhëtojnë drejt Kievit. Kjo do të jetë vizita e parë e tyre në kryeqytetin ukrainas, ndërsa të dy kanë zhvilluar më parë takime në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin.

Misioni diplomatik zhvillohet në një moment kur luftimet janë intensifikuar. Të premten, një sulm rus me dron goditi selinë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në qendër të Kievit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina është e gatshme të pezullojë sulmet ajrore ndaj Rusisë gjatë vizitës së të dërguarve amerikanë. Ai i ka kërkuar Moskës të ndërmarrë të njëjtën masë dhe të ndalojë sulmet ndaj Ukrainës gjatë kohës së negociatave.

Megjithatë, rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë. Rusia vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territoret e pretenduara nga Moska dhe nga synimi për anëtarësim në NATO, ndërsa Kievi i kundërshton këto kërkesa, duke i konsideruar të papranueshme.

Në këto kushte, misioni i Witkoff dhe Kushner shihet si një përpjekje e re e administratës Trump për të ringjallur negociatat dhe për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës, por ende nuk është e qartë nëse palët do të jenë të gatshme për kompromis. /Telegrafi/