Trump kërkon që Jimmy Kimmel të pushohet nga puna pas një komenti ndaj Melanias

Donald Trump kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Jimmy Kimmel nga ABC dhe Disney, pas një komenti të moderatorit për Melania Trump që ka shkaktuar reagime të ashpra.
Vetëm disa orë pasi Melania reagoi në platformën X duke kërkuar që ABC “të marrë qëndrim” ndaj sjelljes së Kimmelit, Trump publikoi një mesazh edhe më të drejtpërdrejtë në rrjetin e tij 'Truth Social'.
“Jimmy Kimmel, i cili nuk është aspak qesharak, siç e tregojnë edhe shikueshmëritë e dobëta të emisionit të tij, bëri një deklaratë tronditëse”, shkroi Trump.

Ai shtoi se Kimmel kishte shfaqur një video të manipuluar ku dukej sikur Melania dhe djali i tyre Barron ndodheshin në studio, gjë që sipas tij nuk ishte e vërtetë.
Trump citoi më tej komentin e Kimmelit: “Zonja e Parë Melania është këtu. Shikojeni sa e bukur është. Zonjë Trump, ju rrezatoni si një e ve e ardhshme".
Ai vazhdoi duke lidhur këtë deklaratë me një incident që ndodhi një ditë më pas, kur një person i armatosur tentoi të hynte në sallën ku po mbahej darka e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas Trump, sulmuesi ishte i pajisur me armë zjarri dhe thika dhe kishte qëllime të rrezikshme.
“Shumë njerëz janë të indinjuar nga thirrja e turpshme për dhunë e Kimmelit. Kjo shkon përtej çdo kufiri. Jimmy Kimmel duhet të shkarkohet menjëherë nga Disney dhe ABC”, deklaroi Trump.
Reagimet vijnë pas një skeçi satirik të transmetuar në emisionin “Jimmy Kimmel Live!”, ku moderatori u tall me darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë disa ditë para se ajo të mbahej në Washington.
Gjatë skeçit, ai bëri komentin për Melania Trump që u konsiderua ofendues.
Disa ditë më vonë, eventi i vërtetë u ndërpre nga një incident me armë, ndërsa Trump, Melania dhe zyrtarë të administratës u evakuuan.
Edhe Melania reagoi ashpër, duke e cilësuar gjuhën e Kimmelit si të mbushur me urrejtje dhe përçarëse për shoqërinë amerikane.
Ajo theksoi se komentet për familjen e saj nuk janë humor, por dëmtojnë klimën politike në vend, duke kërkuar që rrjeti ABC të ndërmarrë masa. /Telegrafi/





























































