LAJMI I FUNDIT:

Trepça ’89, kampion në Superligën e Kosovës

Trepça ’89, kampion në Superligën e Kosovës

Pas 30 xhirosh Trepça ‘89 e ka siguruar matematikisht titullin e kampionit edhe pse janë edhe tre ndeshje për tu luajtur.

Skuadra e Zekerija Ramadanit shënoi fitore si mysafirë i Besës që këtë ndeshje e zhvilloi me njomakë (0-2), pasi skuadra e parë janë në bojkot.

Otto John shënoi golin e parë në fund të pjesës së parë, ndërsa Muharrem Jashari shënoi një super gol për ta mbyllur këtë ndeshje.


Trepça ‘89 ka tubuar deri më tani 74 pikë, që janë 13 më shumë se përcjellësi i parë Feronikeli.

Më meritori për titullin e parë të mitrovicasve në histori ishte padyshim sulmuesi nigerian John Otto John që shënoi 24 gola.

Festa e lojtarëve të Trepçës 89 në një nga ndeshjet

Paraqitje të jashtëzakonshme kishin edhe Shpëtim Idrizi, Florent Hasani, Përparim Islami, Arbër Potoku, Ylber Maloku, Fiton Hajdari, Ilir Izmaku e portieri Bledar Hajdini.

Trepça ’89 këtë kampionat u udhëheq nga tre trajnerë. Fillimisht e nisi Bekim Shotani i cili kishte sukses, por që për çështje familjare dha dorëheqje.

Pas tij deri në stinorin pranveror në krye të skuadrës u vendos Veton Çitaku, i cili me sukses i shpalli ‘minatorët’ kampion vjeshtor.

Në pranverë erdhi shkupjani Zekerija Ramadani, i cili për asnjë moment nuk e vuri në pikëpytje titullin e kampionit, duke i fituar ndeshjet një nga një me radhë.

Trepca ’89 nëse i plotëson kushtet e kërkuara nga UEFA do të jetë klubi i parë nga Kosova që do ta përfaqësojë shtetin tonë në Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/