Archie Williamsit i është dhënë një mundësi e dytë në jetë, e cila i ishte mohuar para afro katër dekadash. Ai i kishte nisur interpretimet muzikore që në moshën 12 vjeçare dhe ëndrra e tij e madhe ishte që të performonte në skenën e Apollos.

Kjo ëndërr iu realizua në fund të vitit 2019, ndërsa së fundmi është paraqitur në skenën e madhe të  ‘America’s Got Talent’ duke marrë lëvdata nga moguli i spektakleve, Simon Cowell.

Është një ëndërr që u ndërpre në vitin 1983, kur Williams u dënua me burg të përjetshëm për përdhunim dhe therje me thikë – krim që nuk e kishte bërë.

Krimi i vitit 1982, sipas dokumenteve gjyqësore

(Foto: Screenshot/YouTube/America’s Got Talent)

Në dhjetor të vitit 1982, një grua nga Baton Rouge e kishte hapur derën e shtëpisë në Perkins Road, pasi dikush kishte trokitur dhe ai kishte hyrë me dhunë në shtëpi, e ka rrëzuar viktimën duke ia mbajtur thikën në qafë, e ka dërguar në dhomën e gjumit dhe e ka përdhunuar dy herë.

Pasi kishte dëgjuar ardhjen e një shoqeje të saj me vajzën e gruas, sulmuesi ia kishte ngulur thikën në bark dhe në gjoks viktimës së tij duke ia mbajtur gojën mbyllur.

Më pas, ai e kishte mbyllur shoqen e saj në banjë, ndërsa vajza kishte arritur të ikte dhe të fshihej. Derisa shoqja i thoshte agresorit që ta merrte veturën e saj dhe të ikte, te dera ishte paraqitur postieri dhe ai është detyruar të largohej.

Krijimi i të dyshuarit

(Foto: Screenshot/YouTube/America’s Got Talent)

Derisa po rikuperohej në spital, më 15 dhjetor 1982, viktima ia dha policisë përshkrimin e sulmuesit që dallonte nga vizatimi që u bë nga përshkrimi i shoqes së saj.

Gjatë ditëve në vijim, asaj i ishin treguar fotografi të personave me ngjyrë në kërkim për ta identifikuar agresorin. Ndërsa nga fotografitë e treguara më 3 janar 1983, ajo e kishte identifikuar një person që ngjante me njeriun që e kishte përdhunuar dhe therur me thikë, edhe pse nuk ishte identifikim i sigurt.

Viktima u kishte thënë detektivëve që ta kërkonin dikë që ngjante me Archie Williams duke mos e identifikuar pozitivisht atë, por pas paraqitjes me stile të ndryshme të flokëve, autoritetet kishin thënë se gruaja e ka identifikuar Williamsin si dhunuesin e saj.

Menjëherë pas, policia e arrestoi atë dhe pas nxjerrjes në vijën e identifikimit, detektivët kanë pohuar se viktima e përdhunimit e kishte identifikuar atë si kryes të krimit. Ndërsa shoqja e saj e kishte identifikuar një person tjetër.

Në gjykatë, gruaja e kishte identifikuar Williamsin si sulmuesin e saj duke iu referuar një shenje që kinse e ka vërejtur gjatë aktit të dhunës duke e ndryshuar kohë pas kohë vendndodhjen e shenjës.

Archie i kundërshtoi akuzat. Edhe nëna edhe motra e tij kishin thënë se ai ndodhej në shtëpi në North Baton Rouge duke fjetur në kohën kur ka ndodhur krimi.

Williams e humbi betejën gjyqësore dhe në prill të vitit 1983 u dënua me burg të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.

Lufta për liri

(Foto: Screenshot/YouTube/America’s Got Talent)

Në vitin 1984, Gjykata e Apelit në Louisiana e mbështeti dënimin për Williams. Në vitin 1995, ‘Innocence Project’ nga New Yorku e mori atë si klient dhe e rishqyrtoi rastin e tij, pasi ishin njoftuar përmes një letre.

Me kalimin e viteve dhe përmirësimin e teknologjisë, zyrtarët e zbatimit të ligjit fituan aftësi për të bërë testin e ADN-së të marrë nga rrobat, si edhe bënë krahasimin e shenjave të gishtave të marra nga vendi i ngjarjes.

Prokurorët kishin refuzuar që të bëheshin këto teste, mirëpo më vonë një gjykatë kishte dhënë urdhër që të kompletohej testi i ADN-së. ADN-ja që ishte marrë nga rrobat ishte e bashkëshortit të viktimës, prandaj kjo nuk dëshmonte nëse Williams ishte i pafajshëm ose fajtor.

Nga ana tjetër, asnjë shenjë e gishtërinjve që u kompletua në vitin 2009, nuk përputhej me ato të të dënuarit. Koha kalonte dhe baza e të dhënave ishte bërë me miliona. Avokatët e Archiet kërkuan sërish që të bëhej krahasimi i shenjave të gishtërinjve me ato të gjetura në skenën e krimit. Nga krahasimi u bë një listë e të dyshuarve, në veçanti përshtatja më e madhe ishte me Stephen Forbes.

I dyshuari i ri

(Foto: Spencer Platt/Getty Images/Guliver)

Stephen Forbes, një person që vuante nga problemet mendore, ishte arrestuar në qershor 1986 për hyrje me dhunë në një shtëpi në July Street në përpjekje për të përdhunuar një femër. Ai i kishte pranuar dy përdhunime në vitin 1985 dhe dy të tjera në vitin 1986.

Sipas dokumenteve gjyqësore, agresori kishte thënë se viktimat e tij i mbante me dhunë përmes thikës. Shtëpia e krimit të vitit 1982 ndodhej në qendër të vendeve, ku Forbes i kishte kryer krimet e tij.

Ai kishte pranuar se përdhunonte femra që nga mosha 14 vjeçare, gjë që përkonte me periudhën e krimit për të cilin ishte dënuar Williams. Forbes ishte deklaruar fajtor dhe kishte vdekur në burg në vitin 1996.

Nuk ka të dhëna nëse ishte pyetur se a e kishte kryer ai përdhunimin e vitit 1982, mirëpo hetuesit erdhën në përfundim se Forbes mund ta kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar Archie.

Lirimi dhe përgatitja e padisë

(Foto: Screenshot/YouTube/Your Black Ëorld)

Williams u shpall i lirë më 21 mars të vitit 2019, pasi kishte kaluar 36 vjet në burg. Me këtë rast, ai i falënderoi avokatët që e kishin përfaqësuar me dekada. Anëtarët e familjes së tij që kishin udhëtuar në Louisiana, e pritën me lot në sy.

Avokatët e tij kanë përgatitur padi ndaj shtetit të Louisianas, në mënyrë që Williams të marrë dëmshpërblim për periudhën që ka qëndruar në burg për një krim që nuk e ka bërë.

Ai është klienti më afatgjatë që i ka marrë shërbimet e ‘Innocence Project’, një organizatë që merret me rastet e dënimeve të gabuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo organizatë ka punuar në rastin e Williams që nga viti 1995.

Në fund të vitit 2019, Archie e realizoi ëndrrën e tij fëmijërore duke interpretuar në skenën e Apollos.

“Nuk mund të besoja se vërtet po ndodhte. E dija se isha i pafajshëm, nuk kisha bërë asnjë krim. Mirëpo, duke qenë një djalosh i zi, i varfër, nuk e kisha mundësinë ekonomike që të luftoja me shtetin e Louisianas”.

“Liria është në mendje. Shkova në burg, por kurrë nuk e lash mendjen time të shkonte në burg. Kur e dija se përballesha me momente të errëta, ajo që bëja ishte të këndoja. Në këtë mënyrë e gjeja paqen”, ka thënë Williams në tregimin për të, të përgatitur nga America’s Got Talent.

Ndërsa fjalët e tij të para pas lirimit nga gjykata ishin: “Duke qenë i pafajshëm, është pika ku asnjëherë nuk heq dorë nga vetvetja. Gjithmonë do të luftosh për lirinë tënde. Pavarësisht gjithçkaje. Kam luftuar për këtë moment gjatë gjithë kohës. Asnjëherë nuk u dorëzove. Sepse, (Zoti) nuk do të më lejonte të dorëzohesha”. /Telegrafi/