Trajner i ri, e njëjta Angli: Skuadra e Tuchelit nuk dallon nga ajo e Southgate


“Futbolli po kthehet sërish në shtëpi, me Tommy Tuchel”, ishte kënga që dëgjohej jashtë stadiumit në Atlanta, ndërsa mijëra tifozë anglezë festonin fitoren 2-1 ndaj Kongos.
Atmosfera ishte festive. Anglia fitoi, Kongo u eliminua dhe “Tre Luanët” tani ndodhen vetëm katër fitore larg trofeut të parë të Kupës së Botës pas plot 60 vitesh.
Ka arsye për të ëndërruar. Kjo është pjesa më emocionuese e turneut. Megjithatë, nëse situata analizohet më ftohtë dhe në mënyrë objektive, del në pah një problem i madh që mund ta pengojë Anglinë të shpallet kampione: pas 18 muajsh nën drejtimin e Thomas Tuchel, në aspektin e lojës në turne të mëdhenj, shumë pak gjëra kanë ndryshuar.
Pavarësisht entuziazmit pas suksesit ndaj Kongos, kishte po aq arsye për shqetësim. Paraqitja të kujtonte shumë ekipin e Gareth Southgate, një skuadër që nuk bind me lojë, por shpëtohet nga cilësia individuale e yjeve të saj.
Nëse ardhja e Tuchel pritej të ndryshonte pikërisht këtë aspekt, atëherë është e vështirë të thuhet se ku qëndron përmirësimi real. Trajneri ka ndryshuar, por Anglia në fushë vazhdon të duket pothuajse e njëjtë.

Mësimet nga Euro 2024
Euro 2024 ishte një turne i pazakontë për Anglinë. Gareth Southgate u kritikua vazhdimisht nga tifozët dhe mediat për stilin e kujdesshëm të lojës, ndaj vendosi t'u besonte njëherësh pothuajse të gjithë lojtarëve ofensivë.
Rezultati? Anglia arriti në finale pa zhvilluar asnjë ndeshje vërtet bindëse.
Faza e grupeve solli dy barazime dhe një fitore minimale 1-0 ndaj Serbisë. Në fazën me eliminim direkt, Jude Bellingham shpëtoi ekipin ndaj Sllovakisë me gol në kohën shtesë, më pas Anglia kaloi Zvicrën vetëm pas penalltive dhe siguroi finalen falë golit të vonshëm të Ollie Watkins kundër Holandës.

Edhe pse paraqitja më e mirë erdhi në finale, Spanja ishte skuadra më e mirë dhe fitoi me meritë.
Sekreti i rrugëtimit anglez ishte i thjeshtë: skuadra ishte shumë e vështirë për t'u mposhtur, por në shumicën e rasteve mbështetej te momentet magjike të futbollistëve si Bellingham, Harry Kane, Bukayo Saka apo Cole Palmer.
Frika në momentet vendimtare
Megjithatë, në ndeshjet më të rëndësishme, edhe kur individët shkëlqenin, skuadra si tërësi dukej sikur dorëzohej nën presion.
Shembulli më i mirë ishte finalja e Euro 2024 kundër Spanjës. Pas barazimit 1-1, në 15 minutat e fundit Anglia pothuajse u zhduk nga loja.
Spanja realizoi 105 pasime, ndërsa Anglia vetëm 27. Spanjollët bënë 39 pasime në të tretën sulmuese, kundrejt vetëm 10 të anglezëve, ndërsa pasimet përpara ishin 63 me 15 në favor të Spanjës.

Lojë tepër konservatore, mungesë guximi dhe intensiteti. Në fund, Spanja e ndëshkoi me golin vendimtar në minutën e 86-të.
Vetë Southgate pranoi pas ndeshjes se momenti kyç ishte kur Anglia, në vend që të mbante topin pranë zonës kundërshtare, vendosi të luante prapa dhe më pas nuk e rimori kontrollin e lojës.
Shenja të ngjashme u panë edhe në fitoren ndaj Kongos
Anglia e nisi ndeshjen pa ritëm dhe pati vështirësi në qarkullimin e topit. Declan Rice gaboi disa pasime të thjeshta, Harry Kane humbi topa të lehtë, ndërsa Kongo kaloi në avantazh që në minutën e shtatë pas një kundërsulmi të shpejtë.
Fokusi pas golit ishte te mbrojtja e Djed Spence, por në realitet problemi kishte nisur shumë më herët, me humbjen e kontrollit në mesfushë.

Vetëm pasi mbeti në disavantazh, Anglia u zgjua disi, por edhe atëherë loja vazhdoi të dukej tepër e kujdesshme. Madje, Kongo ishte pranë golit të dytë kur Yoane Wissa goditi shtyllën. Edhe në fazën sulmuese mungonin idetë.
Në shumë momente strategjia dukej të ishte thjesht - "Jepjani topin Jude Bellinghamit dhe shpresoni”
Marcus Rashford ishte aktiv, por pa konkretizim, Noni Madueke përsëriste të njëjtat lëvizje, Elliot Anderson nuk arriti të ndikonte në mesfushë, ndërsa Ezri Konsa, një mbrojtës qendre, ishte lojtari që dërgoi më shumë pasime në zonën sulmuese.
Varësia te Harry Kane
Në fund, ishte sërish Harry Kane ai që bëri diferencën, duke shënuar dy gola në 15 minutat e fundit dhe duke i dhënë Anglisë fitoren.
Pas ndeshjes, Tuchel u pyet nëse skuadra ndjeu peshën e fanellës në periudha të caktuara të lojës.

Tekniku gjerman e hodhi poshtë këtë ide.
"Unë nuk pashë asgjë të tillë sot. Do të ishte shumë e lehtë ta pranoja atë narrativë, por nuk e shoh fare", deklaroi Tuchel.
Megjithatë, pavarësisht fitores dhe kualifikimit, mbetet pyetja kryesore: a ka ndryshuar vërtet Anglia me Thomas Tuchel, apo vazhdon të mbështetet vetëm te shkëlqimi i yjeve të saj në momentet vendimtare?














































