Top Fest premton spektakël të paharrueshëm

Të dielën mbrëma, 31 maj, do të zhvillohet finalja e edicionit të 12 e Top Fest, që do të jetë edhe edicioni i fundit i këtij festivali të famshëm të muzikës moderne.
Janë 12 artistë në garë për po 12 çmime të kategorive të ndryshme, plus atë për “Best video artist”, raporton Top Channel.
Në skenën e Pallatit të Kongreseve artistët e kualifikuar në finale do të performojnë këngët e tyre, performanca të cilat do të shoqërohen edhe nëpërmjet teknologjisë më të fundit.
Sipas televizionit që organizon këtë spektakël, do jenë 400 robotë që do të ndriçojnë skenën ku do të përformojnë artistët.
Kur jemi te teknologjia, Top Fest këtë vit ka qenë shumë aktiv në rrjetet sociale. Këngët e këtij edicioni kanë arritur të kenë në Youtube deri mbi pesë milionë klikime. Disa prej gjysmëfinalistëve u zgjodhën pikërisht prej numrit të madh të klikimeve të publikut në internet.
Për çmimin “Most social artist”, votimi është ende i hapur. Për t’u fituar ky çmim, përpos votës në faqen web te Top Fest, do të mblidhen edhe klikimet në rrjetet sociale.




















































