LAJMI I FUNDIT:

Ti dhe bomba atomike

Ti dhe bomba atomike
George Orwell

Nga: George Orwell (Tribune, 19 tetor 1945)
Përktheu: Granit Zela

Duke marrë parasysh sa ka gjasa që ne të gjithë të bëhemi copë e çikë prej saj brenda pesë vjetëve të ardhshme, bomba atomike nuk ka ngjallur aq shumë diskutime sa mund të pritej. Gazetat kanë botuar dia­grame të shumta, jo shumë të dobishme për njeriun mesatar, të protoneve dhe neutroneve prej të cilave përbëhen, dhe ka pasur shumë përsëritje të deklaratës së padobishme se bomba “duhet të vihet nën kontrollin ndërkombëtar”. Por, çuditërisht pak është thënë, gjithsesi në shtyp, për pyetjen që është me interes më urgjent për të gjithë ne, pikërisht: “Sa të vështira janë këto gjëra për t’u prodhuar?”


Informacione të tilla që ne – domethënë publiku i gjerë – zotërojmë për këtë temë, na kanë ardhur në një mënyrë mjaft të tërthortë, në kundërshtim me vendimin e pre­sidentit Truman për të mos ia dorëzuar disa sekrete BRSS-së. Disa muaj më parë, kur bomba ishte ende vetëm një thashetheme, besohej shumë se ndarja e atomit ishte thjesht një problem për fizikanët dhe se kur ata ta kishin zgjidhur, një armë e re dhe shkatërruese do të ishte në dispozicion të pothuajse të gjithëve. (Në çdo çast, kështu vijuan thashethemet, një i çmendur i vetmuar në një laborator mund ta bëjë qytetërimin pluhur e hi, aq lehtë sa ndezja e një fishekzjarri.)

Nëse kjo do të ishte e vërtetë, i gjithë drejtimi i histo­risë do të ishte ndryshuar papritmas.

Dallimi midis shteteve të mëdha dhe shteteve të vogla do të ishte fshirë dhe fuqia e shtetit mbi individin do të ishte dobësuar shumë. Megjithatë, nga fjalimet e presi­dentit Truman dhe komentet e ndryshme që janë bërë për to, duket se bomba është jashtëzakonisht e shtrenjtë dhe se prodhimi i saj kërkon një përpjekje të madhe industriale, siç janë në gjendje të bëjnë vetëm tre ose katër vende në botë. Kjo pikë është e një rëndësie thel­bësore, sepse mund të nënkuptojë se zbulimi i bombës atomike, aq larg nga ndryshimi i historisë, thjesht do të forcojë prirjet që kanë qenë të dukshme gjatë një duzine vitesh më parë.

Është e gjë e zakonshme të thuhet që historia e qyte­tërimit është kryesisht histori e armëve. Në mënyrë të veçantë është vënë në dukje vazhdimisht lidhja midis zbulimit të barutit dhe përmbysjes së feudalizmit nga borgjezia. Dhe megjithëse s’kam dyshim se mund të bëhen përjashtime, mendoj se rregulli i mëposhtëm do të ishte përgjithësisht i vërtetë: se epokat në të cilat arma mbizotëruese është e shtrenjtë ose e vështirë për t’u prodhuar do të priren të jenë epokat e despotizmit, ndërsa kur arma dominuese të jetë e lirë dhe e thjeshtë, njerëzit e thjeshtë e kanë një shans. Kështu, për shem­bull, tanket, luftanijet dhe aeroplanët bombardues janë në thelb armë tiranike, ndërsa pushkët, mushqetat, har­qet e gjata dhe granatat e dorës janë në thelb armë demokratike. Një armë e ndërlikuar e bën të fortin më të fortë, ndërsa një armë e thjeshtë – përderisa nuk ka një më të mirë – i jep kthetrat të dobëtit. Epoka e madhe e demokracisë dhe e vetëvendosjes kombëtare ishte epoka e mushqetës dhe e pushkës. Pas shpikjes së stra­llit dhe para shpikjes së kapsollës, mushqeta ishte një armë mjaft e efektshme dhe në të njëjtën kohë aq e thjeshtë sa mund të prodhohej thuajse kudo. Kombi­nimi i cilësive të saj bëri të mundur suksesin e revolu­cioneve amerikane dhe franceze dhe e bëri një krye­ngritje popullore një çështje më serioze sesa mund të ishte në kohën tonë. Pas mushketës erdhi pushka me fole fisheku. Ajo ishte një gjë deri diku e ndërlikuar, por ende mund të prodhohej në shumë vende, dhe ishte e lirë, kalohej lehtësisht kontrabandë dhe harxhonte pak municion. Edhe kombi më i prapambetur mund të rrokte pushkët nga një burim ose një tjetër, në mënyrë që boerët, bullgarët, abisinanët, marokenët – madje edhe tibetianët – të mund të luftonin për pavarësinë e tyre, nganjëherë me sukses.

Por më pas çdo zhvillim në teknikën ushtarake ka favorizuar shtetin kundër individit dhe vendin e indu­strializuar kundër atij të prapambetur. Ka gjithnjë e më pak vatra pushteti. Në vitin 1939 kishte vetëm pesë shtete të afta për të bërë luftë në shkallë të gjerë, dhe tani janë vetëm tri – në fund të fundit, ndoshta, vetëm dy. Kjo prirje ka qenë e dukshme prej vitesh dhe është vënë në dukje nga disa vëzhgues edhe para vitit 1914. E vetmja gjë që mund ta përmbysë këtë realitet është zbulimi i një arme – ose, për ta thënë më thjesht, i një metode luftimi – që nuk varet nga përqendrime të mëdha të fabrikave industriale.

Nga shenja të ndryshme mund të arrihet në përfundi­min se rusët nuk e zotërojnë ende sekretin e prodhimit të bombës atomike; nga ana tjetër, ka një pajtim të për­gjithshëm të opinionit publik se do ta zotërojnë brenda pak vitesh. Pra, kemi para nesh perspektivën e dy ose tre super-shteteve përbindësh, secili i zotëruar me nga një armë me të cilën miliona njerëz mund të zhduken brenda pak sekondash, duke e ndarë botën mes tyre. Është nxituar të hamendësohet se kjo nënkupton luf­tëra më të mëdha dhe më të përgjakshme dhe, ndoshta, një fund të qytetërimit të makinerive. Por supozoni – dhe me të vërtetë ky zhvillimi më i mundshmi – që kombet e mëdha të mbijetuara bëjnë një marrëveshje të heshtur për të mos përdorur kurrë bombën atomike kundër njëri-tjetrit? Supozoni se e përdorin, ose kërcë­nimin për ta përdorur, vetëm kundër njerëzve që nuk janë në gjendje të hakmerren? Në atë rast ne jemi kthyer aty ku ishim më parë, i vetmi ndryshim është se pushteti është i përqendruar në duar akoma më të pakta dhe se perspektiva për popujt e nënshtruar dhe klasat e shtypura është akoma më e pashpresë.

Kur Xhejms Bërnëm shkroi Revolucioni menaxhues, shumë amerikanëve iu duk e mundshme që gjermanët do ta fitonin fundin evropian të luftës, dhe për këtë arsye ishte e natyrshme të supozohej se Gjermania dhe jo Rusia do të dominonin masën e tokës euroaziatike, ndërsa Japonia do të mbetej zotëruese e Azisë Lindore. Ishte llogaritje e gabuar, por nuk ndikon në argumentin kryesor. Sepse fotografia gjeografike e Bërnëmit për botën e re ka rezultuar e saktë. Gjithnjë e më qartë sipërfaqja e tokës po ndahet në tri perandori të mëdha, secila e pavarur dhe e shkëputur nga kontakti me botën e jashtme, dhe secila e sunduar, nën një maskim apo një tjetër, nga një oligarki e vetëzgjedhur. Pazari se ku do të përcaktohen kufijtë vazhdon ende dhe do të vazh­dojë për disa vjet, dhe i treti nga tre super-shtetet – Azia Lindore, e dominuar nga Kina – është ende potencial më shumë sesa realitet. Por lëvizja e përgjithshme është e pagabueshme dhe çdo zbulim shkencor i viteve të fundit e ka përshpejtuar.

Një herë na thanë se aeroplani kishte “hequr kufijtë”; në fakt, vetëm pasi avioni u bë armë serioze, kufijtë janë bërë përfundimisht të pakalueshëm. Dikur pritej që radioja ta promovonte mirëkuptimin dhe bashkë­punimin ndërkombëtar; ka rezultuar të jetë një mjet për të izoluar një komb nga një tjetër. Bomba atomike mund ta përfundojë procesin duke grabitur klasat e shfrytëzuara dhe popujt e të gjitha fuqive për t’u revol­tuar dhe, në të njëjtën kohë, t’i vërë zotëruesit e bombës mbi bazën e barazisë ushtarake. Në pamundësi për ta pushtuar njëri-tjetrin, ka të ngjarë të vazhdojnë ta sun­dojnë botën mes tyre dhe është e vështirë të shihet se si mund të prishet ekuilibri përveç ndryshimeve të nga­dalta dhe të paparashikueshme demografike.

Para dyzet a pesëdhjetë vjetësh, H. G. Uellsi dhe të tjerë na paralajmëruan se njeriu rrezikon ta shkatërrojë veten me armët e tij, duke lënë pas milingonat ose disa lloje të tjera që të mbijetojnë e të na zënë vendin. Kushdo që ka parë qytetet e rrënuara të Gjermanisë do ta çoj ndër mend edhe këtë nocion. Megjithatë, duke parë botën në tërësi, zhvendosja për shumë dekada nuk ka qenë drejt anarkisë, por drejt rivendosjes së sklla­vërisë. Mund të shkojmë jo drejt shkatërrimit të për­gjithshëm, por drejt një epoke kaq tmerrësisht të qën­drueshme sa perandoritë e skllevërve të antikitetit. Teoria e Xhejms Bërnëmit është diskutuar shumë, por pak njerëz i kanë marrë parasysh nënkuptimet e saj ideologjike – domethënë llojin e botëkuptimit, llojin e besimeve dhe strukturën shoqërore që, ndoshta, do të mbizotëronte në një shtet që ishte njëkohësisht i pam­poshtur dhe në një gjendje të përhershme “lufte të ftohtë” me fqinjët.

Nëse bomba atomike do të ishte diçka aq e lirë dhe që prodhohet lehtësisht si një biçikletë apo një orë me zile, mund të na kishte zhytur përsëri në barbarizëm por, nga ana tjetër, mund të kishte nënkuptuar fundin e sovranitetit kombëtar dhe të shtetit policor shumë të centralizuar. Nëse, siç duket, është një objekt i rrallë dhe i kushtueshëm aq i vështirë për t’u prodhuar sa një luftanije, ka më shumë gjasa t’u jepet fund luftërave në shkallë të gjerë me koston e zgjatjes së pafundme të një “paqeje që nuk është paqe”. /Revista “Akademia”/Telegrafi/