LAJMI I FUNDIT:

Thikat me dy presa të Alban Ramosajt

Thikat me dy presa të Alban Ramosajt

Alban Ramosaj gjeti, ndoshta, mënyrën më të mirë pas ndarjes. Shkroi një histori, e bëri hit dhe u bë i preferuari i të gjithëve

Larg trishtimit që përcjell balada “Thikat e mia”, Albani me këngën e tij nguli një histori suksesi në profilin e tij artistik: “Për mua, kjo këngë ishte “mesazhi” apo “telefonata” ime, një mesazh që e kam lënë të kuptohet se isha i ndërgjegjshëm për llojin e lidhjes që kishim dhe që reflektova, me pak fjalë. Por nuk është e synuar si tentativë që të rikthehemi, pavarësisht se kemi dashuri pa kushte në mes. Madje, falë kësaj të fundit, mbajmë dhe kontakte shoqërore (kënga i ka pëlqyer, ia kanë përkthyer shoqet shqiptare).”


Pra, “Thikat” duket se e bënë punën e tyre. Por nuk iu ngulën vetëm një njeriu – asaj që ishte personazh në këngë. Ai ua nguli të gjithëve që më prezantimin e parë të këngës së tij në Këngën Magjike, ndërsa në natën finale, të gjitha thikat emocionale iu kthyen mbrapsht.

Momentalisht është mbi re dhe me këmbë në tokë. Nga trofeu i Këngës Magjike, në Spanjë dhe në Turqi. Çmimi i parë ishte vetëm fillimi. Në një rrëfim të gjatë dhe ekskluziv, Albani mes të thënave e të pathënave.

Çfarë të ka ndodhur pas fitores së “Këngës Magjike”, ishte surprizë ky triumf për ty apo thellë-thellë e prisje?

Të jem i sinqertë, siç jemi gjithmonë (qesh), çdo pjesëmarrës ka një ose dy momente kur mendon që mund ta rrëmbejë trofeun. Kam pasur dhe unë nga këto momente, por nuk doja t’i jepja vetes shpresë, sepse parimisht qëllimet e pjesëmarrjes sime ishin të nxirrja nga vetja këtë histori që kisha kaluar dhe shkruar në letër e ta dija që “thika” të ishte ngulur tek dedikimi i synuar dhe, sigurisht, të rikthehesha. E kisha menduar që këngës t’i xhiroja edhe videoklip, madje kam ende skenarin dhe shënimet regjisoriale në laptop, por e pashë më të arsyeshme skenën e Këngës Magjike.

Nuk e di nëse janë yjet e planetët që janë radhitur mirë apo është fati që të sjell fitorja e Këngës Magjike, por po më shkojnë gjërat vaj. (Preke pak hundën). Momentalisht jam kokë e këmbë i fokusuar te shkrimi i këngëve në çdo studio, si në Kosovë, edhe këtu në Shqipëri. Ndihem më me vetëbesim për historitë dhe stilin e muzikës sime. Një gjë më ka çuditur vërtet, për mirë. Kam shkruar 6 këngë nga momenti i fitores deri tani. Bashkë me ato që kisha shkruar më parë, bëhen rreth dhjetëra këngë të papublikuara. Edhe kjo është hall më vete, por do më duhet të mësohem të mos jem kaq perfeksionist e detajist, në mënyrë që të publikoj sa më shpesh.

Është e vërtetë që “Thikat e mia” është një histori personale, çfarë të bëri që ta bëje publike një “zemërim” të tillë?

Të gjithë veprojmë në mënyrat tona pas ndarjeve, dikush vendos “të zhdukë” partnerin/en në momentin kritik të ndarjes, dikush thyhet e shkruan, thërret apo kërkon takim, dikush tjetër bën diçka tjetër e kështu me radhë.

Për mua, kjo këngë ishte “mesazhi” apo “telefonata” ime, një mesazh që e kam lënë të kuptohet se isha i ndërgjegjshëm për llojin e lidhjes që kishim dhe që reflektova, me pak fjalë. Por jo, nuk është e synuar si tentativë që të rikthehemi, pavarësisht se kemi dashuri pa kushte në mes. Madje, falë kësaj të fundit, mbajmë dhe kontakte shoqërore (kënga i ka pëlqyer, ia kanë përkthyer shoqet shqiptare). Për ta përmbledhur, është thjesht rritje, maturitet personal. Fundja, artistë jemi, do përfitojmë edhe nga këto emocione e do i hedhim në letër.

Ndër të paktat raste në festivalet tona kur publiku, juria dhe rrjeti voton unanim. Si të bën të ndihesh kjo?

Mbi re. Jam realisht shumë mirënjohës për vlerësimet e të tria palëve. Ma tha me shaka një shok “përse nuk kandidon për deputet?” (qesh). Por shakatë mënjanë, ndihem mirë që ishte projekti i duhur dhe u lançua në momentin e duhur. Besoj se kisha dhe fat, çdo gjë në kohën e duhur dhe rezultoi të kishte sukses.

Kujt i “trembeshe” më shumë në garë, nëse nuk do ishte ti fituesi kush mund të ishte sipas teje?

Shijet e mia janë paksa të çuditshme, siç është dhe muzika ime në krahasim me tregun këtu. Trembesha nuk do thoja, sepse nuk e ndjej kurrë si ndjesi në raport me kolegët e mi, por do të thoja që do kisha qenë shumë i lumtur sikur të merrnin vlerësimin e duhur këngët si “Jetike” e Semi Jaupajt dhe “Pa T’pa” e Linditës. (Për momentin, këto me vijnë në mend, e di që ka dhe të tjera)

Cili ishte mesazhi më i bukur që ke marrë pas fitores, nga kush?

Realisht, në atë moment vulnerabël, çdo mesazh më është dukur më i bukur se tjetri. Reagimet e familjes kanë qenë të paharrueshme. Më e bukura është që kudo që jam, kudo që shkoj, pavarësisht moshës apo gjinisë së njerëzve që takoj, duke nisur nga policët e aeroporteve deri tek njerëz në rrugë, më ndalojnë dhe pasi më thonë “fitore e merituar”, më thonë “por më shumë na është bërë qejfi për mamin.”

Pas zhurmës që u krijua në rrjet në lidhje me komentet e disa prej anëtarëve të jurisë, ka diçka që mendon se duhet prerë me thikë?

Një shprehje më vjen në mend tani, ‘bëj ç’ke për të bërë, shko atje ku do të arrish dhe prapë do kenë ç’të thonë’. Nuk jam askush të ndërpres apo t’i ndaloj askujt shprehjen e opinionit, kështu që sa për mua, jepini më fort akoma, vetëm kujdesuni se si do reflektoheni ju tek publiku, sepse unë për vete fle i qetë natën, me ndërgjegje të pastër e me zemrën plot duke ditur që në asnjë moment nuk jam munduar të ul ose t’i hedh baltë dikujt, sidomos artistëve. Secili për vete, Zoti për të gjithë është një shprehje që e thoshte shpesh zysha ime e matematikës.

Veç muzikës, ke pasion edhe produksionin, regjinë, modelingun, madje edhe kinemanë. Ka ndonjë prej këtyre fushave të artit që po të josh pak më tepër se muzika?

Mund të më gjesh në mos në njërën, në tjetrën duke u praktikuar ose prodhuar në çdo moment të ditës. E kam thënë disa herë që kam qejf të kem “kredite” ose projekte të suksesshme në çdo fushë të artit.

Regjia, montazhi dhe kinemaja janë dashuri e veçantë per mua. Me muzikë më lejohet të shpreh botën time, ndërsa regjia me lejon të përcjell vizualitete e të manifestoj fantazinë që kam brenda kokës. Tingujt më bëjnë të shoh dhe ato pamje mundohem t’i përcjell shpeshherë nëpër videoklipe.

Me shumë dashuri dhe entuziazëm mund t’ju tregoj që jam në zhvillimin e një skenari filmik që pres ta realizoj sa më parë që të gjej kohë të lirë nga fusha e muzikës.

Të kemi parë edhe në një rol në serialin “Love Likes Tirana”, ke në plan ndonjë projekt tjetër në fushën e aktrimit?

Në fushën e regjisë, e thashë pak më herët që jam duke shkruar një film, ndërsa në aktrim do vazhdoj të jem selektiv për rolet që më ofrohen. Pa dashur të fyej askënd, çdo rol që më është ofruar deri sot ka qenë rol “karamele”, pa ndonjë angazhim emocional ose thellësi karakteri. E kuptoj që është gjëja më e lehtë për t’u shitur komercialisht, por preferoj kur të marr përsipër një rol që të më jepet mundësia, “të tjetërsohem” totalisht e të vesh personalitetin, karakterin, dëshirat, frikërat dhe këndvështrimin ndaj botës së atij roli.

Në një intervistë të fundit për Wiwibloggs, je shprehur edhe se ke dëshirë të jesh konkurrent në Eurovision, ke ndonjë plan konkret për këtë?

Dëshira është aty prej kohësh, që të performoj në skenën e Eurovizionit. Nuk funksionoj me plane, kryesisht. Por, një ditë të bukur yjet e planetët do jenë në radhitjen e duhur e do jem në momentin e duhur në vendin e duhur.

Cilat janë planet artistike për verën?

Të punoj sa më shumë që të mundem, si në prodhimtari, deri te koncertet dhe te rritja ime personale si njeri e artist. Jo vetëm këtë stinë, por në çdo stinë e çdo vit.

Po planet personale, ka të reja nga jeta private?

Sigurisht që ka, plot madje, dita-ditës. Por nuk kam kuptuar dot kurrë interesin e atyre që duan të dinë për aspektin personal të një artisti. Unë nuk jam një reality-star, nuk kam folur kurrë specifikisht për jetën time personale se me cilën dal, kush është ajo, problemet familjare, shoqërore apo edhe gjëra të tjera. Unë prodhoj krijimtari kreative, përqendrohuni aty dhe më besoni se ka më shumë se mjaftueshëm për të ngopur oreksin kureshtar.
Kur të dal në Big Brother, “Përputhen” apo “Survivors” a diçka të tillë, më pyesni apo gjykoni për ç’të doni.

Mendon se një marrëdhënie toksike si ajo e “Thikave” është e destinuar të përfundojë keq? Të ka ndodhur edhe ty kështu?

Besoj që çdo lidhjeje toksike herët apo vonë do i vijë fundi, sepse si qenie njerëzore nuk kemi fuqinë mendore apo fizike që t’i përballojmë e t’i mbajmë gjallë. Është idiotësi të qëndrosh në diçka që të lëndon ty apo partnerin/en tënd. Dashuria nuk supozohet të të lëndojë apo të të bëjë të ndihesh keq, xheloz, pa vetëbesim, të pambushur, posesiv apo edhe të të lërë pa gjumë fundja. Dashuria duhet të të bëjë të ndihesh sikur je në një shtëpi të rehatshme, diku me pushime.

Cila është “thika më e mprehtë” që mendon se duhet të ketë një dashuri e vërtetë?

Besoj, dhe fort madje, se një dashuri e vërtetë nuk duhet të ketë thikë të mprehtë. Sigurisht që deri sa të arrijë koha që ta quash atë lidhje “dashuri të vërtetë” do ketë çpime, prerje, por supozohen të jenë të vogla dhe të shërueshme kollaj nëpërmjet komunikimit të sinqertë.

Po jotja, cila është?

Nga më të ndryshmet dhe unë, si çdo njeri kam gabuar, kam mësuar nga gabimet dhe jam rritur. Nëse do më duhej të cekja një nga, do thoja fakti që jam (ose kam qenë) kontrollues deri diku në rrjedhën e komunikimit. Më duket kaq e çuditshme tani, por e ndjej veten komplet larg asaj gjësë tashmë.

Pse thika me dy presa (në dashuri, në muzikë…) në jetë?

Ndryshojnë në variacion të fushës, në dashuri realisht thika me dy presa janë, sepse aq sa lëndon, edhe do lëndohesh.

Në muzikë apo karrierë, unë prapë nuk i preferoj, por këtu herë pas here të bezdisin aq shumë me “biçakët” e tyre sa është t’u nxjerrësh ndonjë ditë një katana e t’i vendosësh në vendin e tyre nga i pari tek i fundit (qesh).

Që të kuptohemi, e gjithë kjo që po them është metaforë, sepse nuk sugjerojmë përdorimin e armëve të ftohta.

Të ka ndodhur të të godasin me thikë në jetë?

Sigurisht, thjesht kur e shoh që nuk ia vlen të merresh me “biçakët” e tyre, siç e thashë më herët, thjesht vazhdoj rrugën time, se kam synime më të mëdha për të arritur dhe koha nuk të fal.

Projekti i shpejtë që po pret për ta finalizuar?

Tani më duket se “Spanja” ime e re po bëhet “Turqia”. Kaq do them, kuptojeni, analizojeni vetë këtë gjë. Ika unë…. (Qesh)

CLASS
Foto: Orsola Mema
Retushimi: RA FilmHouse
Stilimi: Ksela Lara