LAJMI I FUNDIT:

Themelet e UÇK-së

Themelet e UÇK-së

“Përpjekja jonë si lëvizje ka qenë që t’i bashkojmë grupet të cilat kanë qenë të interesuara dhe të cilat kanë marrë pjesë në sulme të herë pas hershme që kanë ndodhur të shkëputura nga një organizim çfarë ka qenë UÇK-ja… Data është 17 nëntor 1994, data që është emërtu Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa po them që si proces ka fillu shumë herët, ka fillu shumë herët”, ka thënë ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti.

26 vjet pas, vendi ka ndryshuar shumë.


Mirëpo, jo edhe aq ndjesia që ka Xhevahir Geci.

Si një 30 vjeçar, ai u bë pjesë e ngjarjes historike, të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një ndër ushtarët e parë.

“Kemi qenë në rroba civile normal, por kemi qenë të armatosur me pushkë automatike dhe kemi qenë të obliguar edhe ta mbrojmë ceremoninë e varrimit. Pjesa tjetër, në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin ka qenë në këtë pjesën lartë, prej ku duket e gjithë rruga që të sjellë nga Skenderaj në Llaushë”, ka thënë Geci.

Kësaj ngjarje, i parapriu një sulm i forcave serbe në shtëpinë e komandantit Abedin Rexha, i cili më 25 nëntor, bashkë me shokë dhe familjarë arritën që me sukses të luftonin kundër tyre.

“Unë me Rexhep Selimin kemi shku në Prekaz, e kemi marrë si detyrë me e njoftu komandantin legjendar Adem Jashari për rrjedhën e luftës së 25-tit dhe për planet se si do të rrjedhë dita e nesërme e 26-tit për t’u mbrojtë nga forcat policore serbe”, ka shtuar Geci.

Nën urdhëratë e komandantit legjendar Adem Jashari, dhjetëra pjesëtarë të UÇK-së u vendosën në këto kodra në Llaushë, për t’ua zënë pritën serbëve, një aksion që do të rezultonte me shumë sukses.

Megjithatë, gjatë kthimit prapa, forcat serbe sulmojnë shkollën e fshatit Llaushë, duke plagosur dy mësues, mes tyre mësuesin Halit Geci, i cili nga plagët e marra do të ndërronte jetë më pas.

Përveç rënies heroike, mësuesit Geci do t’i organizohej edhe një varrim historik, në të cilin do të prezantohej për herë të parë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Filluan duartrokitjet, brohoritjet UÇK, UÇK, UÇK, që ndoshta nuk e kemi pasur atë ndjenjë asnjëherë”, ka treguar ai.

Mirëpo, themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin vendosur disa vite më përpara se 28 nëntori i vitit 1997.

“Përpjekja jonë si lëvizje ka qenë që t’i bashkojmë grupet të cilat kanë qenë të interesuara dhe të cilat kanë marrë pjesë në sulme të herë pas herëshme që kanë ndodhur të shkëputura nga një organizim çfarë ka qenë UÇK-ja… Data është 17 nëntor 1994, data që është emërtu Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa po them që si proces ka fillu shumë herët, ka fillu shumë herët”, ka thënë ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti.

Në mesin e grupeve që u bënë bashkë në ushtrinë që do t’ia sillte çlirimin Kosovës, ishte edhe ai që në atë kohë veçse po e përjetonte një luftë, atë mes Kroacisë dhe Serbisë.

Ndër ta ishte edhe gjenerali Agim Çeku.

“Unë qysh në fillim kam fillu që ta përkrah UÇK-në, ta mbështesë UÇK-në, të punoj për UÇK-në dhe kam shpreh gatishmërinë që kurdo që të luftojnë, unë do ta lë ushtrinë kroate dhe do t’i bashkohem edhe fizikisht UÇK-së dhe pikërisht atëherë kur jam ftu edhe ju kam bashku. Kam qenë edhe pjesëmarrës i konferencës së Rambujesë dhe e kam pasur shumë të qartë që problemin e Kosovës ta zgjidhë me luftë, që nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen e Rambujesë dhe atëherë e kam parë që tash jemi para një luftë të madhe dhe kam kërkuar lirimin nga ushtria kroate”, ka theksuar Çeku.

Ushtria që nisi me pak persona, më pas do të bëhej me mijëra ushtarë.

Kështu, u bë i domosdoshëm edhe një proces tjetër, ai i financimit të UÇK-së.

“Ata që i kanë dhënë, secili ka marrë nga një dokument për kontributin që e ka dhënë dhe të gjithë e dijnë kush sa ka dhënë dhe po besoj se edhe shënimet ekzistojnë për ata që kanë kontribuar sa i përket luftës dhe dua të them edhe ndihmave në fusha të tjera sepse është dashtë edhe ushqim, veshmbathje, është dashtë shumë gjëra me i pas për me realizu diçka të tillë”, ka thënë Haliti.

Pos, mobilizimit nga brenda shumë shqiptarë të cilët ishin të vendosur jashtë Kosovës, vendosen të lënë jetën e tyre të rehatshme e ti bashkohen luftës.

Ndër ta, ishte edhe Agim Çeku që u bë edhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Gjeneral Çeku, ishte befasuar edhe me mobilizimin e gjithë popullatës që kishte ndodhur brenda Kosovës.

“Ka qenë një organizim i jashtëzakonshëm edhe i ushtarëve, por sidomos i popullatës civile në ato zona. Çdo herë e përmendi, sa më ka bërë përshtypje popullata civile që është zhvendosur nga vendbanimet e tyre, kanë ardhur në zonat ku kontrollohen nga UÇK, sa mirë e kanë organizu jetën në ato kushte, ka qenë një jetë e organizuar, ka pasur edhe auto-ambulanca, ka pasur mjek, ka pasur kuzhina të përbashkëta, ka pasur njëfarë vullneti për të mbijetuar, për të qëndruar, pa ndonjë frikë, pa ndonjë panik, pra kjo ka qenë një heroizëm në vete nga qytetarët”, ka shtuat Çeku.

Çeku që gradën e gjeneralit e kishte fituar në ushtrinë kroate, atje ku kishte luftuar kundër Jugosllavisë, tregon se organizimi i luftës në Kosovës, ishte shumë më i vështirë.

“Ushtria kroate e ka përfunduar luftën si një ushtri shumë e fuqishme, shumë e organizuar dhe unë e kam përcjellë kam qenë i atij evolucioni të ushtrisë kroate dhe shumë përvoja i kam përcjellë edhe në Kosovë. Normal që ka qenë një dallim shumë i madh edhe nga organizimi, por edhe nga vet situata në teren. Në Kroaci ne e kemi pasur një vijë të frontit të definuar dhe në prapavijë është zhvillu një jetë normale, këtu ka qenë vetëm nëpër pjesë të ndryshme që nuk kanë qenë të lidhura njëra me tjetrën ku ka vepruar UÇK-ja dhe ka qenë vështirë edhe komunikimi edhe koordinimi”, ka thënë Çeku.

Ushtria Çlirimtare Kosovës ishte prijëse e luftës së popullit të Kosovës për Liri. Nga një organizatë të cilën e themeluan një grumbull njerëzish u shndërrua në mekanizmin kryesor rreth së cilës u bashkuan mijëra ushtarë, të cilët pa u trembur luftuan për lirinë e atdheut. /Dukagjini/