The Athletic zbulon prapaskenat: Mbappe irritoi Realin edhe jashtë fushës – udhëtimi që ndezi polemikat

Sipas “The Athletic”, Kylian Mbappe ka irrituar stafin e Real Madridit që punon nën drejtimin e Alvaro Arbeloas, pas një përplasjeje publike që pasoi fitoren 2-0 ndaj Real Oviedos, skuadër e rënë tashmë nga elita.
Raporti thotë se bezdia nuk lidhet vetëm me deklaratat e francezit pas ndeshjes, por edhe me sjelljen e tij në ditët para saj.
Mbappe nuk e nisi ndeshjen si titullar, u aktivizua në minutën e 69-të dhe më pas u ndal për të folur me gazetarët gjatë daljes nga stadiumi.
Ai u shpreh se është “100 për qind” i gatshëm dhe shtoi se nuk startoi sepse trajneri i kishte thënë se ishte “sulmuesi i katërt” në radhë, pas Mastantuonos, Viniciusit dhe Gonzalos.
Arbeloa reagoi menjëherë në konferencën e tij për media, duke theksuar se Mbappe duhet ta ketë keqkuptuar dhe se ai kurrë nuk e ka thënë se francezi është zgjedhja e katërt. Po ashtu, ai argumentoi se një lojtar që katër ditë më parë nuk kishte qenë mjaftueshëm i gatshëm as për ta zënë bankën rezervë, nuk duhej ta niste takimin.

“The Athletic” shkruan se tensionet kishin nisur të grumbulloheshin edhe më herët brenda klubit. Sipas burimeve, Mbappe nuk ishte konsideruar i gatshëm për t’u stërvitur deri një ditë para ndeshjes, ndërsa kishte kritika edhe për udhëtimin e tij në Itali me partneren, teksa po rikuperonte nga një dëmtim në muskujt e kofshës.
Madje, raportohet se të enjten kishte pasur edhe një bisedë mes Arbeloas dhe Mbappes para ndeshjes me Oviedon, ku lojtari ishte i pakënaqur që po lihej në bankë, ndërsa trajneri i pakënaqur me sjelljen e tij së fundmi.
Raporti e bën të qartë se çështja është më e madhe sesa një vendim për formacionin, duke reflektuar një frustrim në rritje rreth “Santiago Bernabeut”./Telegrafi/





















































