LAJMI I FUNDIT:

Thaçi në Drenicë përmend korrigjimin e kufijve, kryeministri thotë se kufijtë nuk preken

Thaçi në Drenicë përmend korrigjimin e kufijve, kryeministri thotë se kufijtë nuk preken

Heronjtë Ilaz Kodra, Mujë Krasniqi dhe Abedin Rexha, i janë bashkuar sot bashkëluftëtarëve të tyre në kompleksin memorial në Marinë të Skënderajt, kompleks ky që është inauguruar sot.

Në këtë kompleks tashmë pushojnë eshtrat e 158 dëshmorëve të zonës së Drenicës, e që të gjithë sot nga presidenti i vendit Hashim Thaçi janë shpallur “Heronj të Kosovës”.


Me këtë rast presidenti tha se inaugurimi i Kompleksit Memorial të Dëshmorëve në Marinë po rrumbullakohet më rivarrimin e tre komandantëve të UÇK-së.

Thaçi deklaroi se UÇK ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar.

Presidenti tha se Kosova sot po punon në konsolidimin e rrafshit të jashtëm dhe të brendshëm, ndërkohë që edhe një herë ka përmendur idenë e tij për korrigjimin e kufijve me shtetin serb.

“Po punojmë intensivisht për anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Presim me të drejtë në muajt e ardhshëm liberalizimin e vizave. Po punojmë fuqishëm në koordinim me miqtë tanë, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, NATO-n, për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, në ushtri të Kosovës. Forcat e Armatosura të Kosovës, ushtarët tanë të cilët do ta ruajnë kufirin Kosovë Serbi. Si dhe në kuadër të dialogut të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, do të punojmë në mënyrë unike që të arrijmë marrëveshje paqësore, duke nënkuptuar njohje reciproke, njohje nga 5 vendet e BE-së, anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. Dhe në kuadër të marrëveshjes për korrigjimin e kufijve, korrigjime historike përfshi edhe për bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me territorin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Kësaj deklarate të presidentit, i është përgjigjur menjëherë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, nën patronatin e të cilit edhe është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Kompleksit Memorial.

Haradinaj tha se e kanë borxh ndaj dëshmorëve për ta ruajtur Kosovën me këta kufij, pasi sipas tij, ata kanë rënë për këta kufij.

“Çfarë borxhi tjetër iu kemi këtyre që kanë rënë për liri, është e thjeshtë, iu kemi borxh me e forcua lirinë, atë për të cilën ata kanë rënë, me forcua shtetin. Me u forcua si popull në ekonomi, politikë të brendshme e të jashtme. Me e rujt Kosovën, me e rujt në territorin e vet dhe kufijtë e vet me i rujt të paprekshëm prej kurrkujt. Qoftë ai këtu me ne, qoftë tjetërkund, për shkak se këta kufij na i kanë lënë amanet këta që po i rehatojmë. Të gjithë duhet ta dimë se rritja jonë na pëlqen të gjithëve, por kurrë njëherë nuk guxojmë me livrit ose me luajt, ose me ngacmua atë që është arritur me gjak”,  tha Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka deklaruar se toka e Kosovës është larë me gjakun e dëshmorëve për t’u arritur liria dhe shteti i pavarur.

Kryeparlamentari Veseli u shpreh se askush nuk duhet të lejojë që të cenohet sovraniteti dhe integriteti i vendit, derisa ka ftuar për bashkim të gjithë.

Ai ka thënë se edhe sot Kosova ka djem të fortë të cilët kanë mbetur gjallë nga lufta, e të cilët nëse është nevoja prapë do t‘i thonë jo Serbisë.

“Ajo çka na duhet më shumë është të jemi më të bashkuar mes veti, mos t’i hapim fjalë njëri tjetrit, për arsye se kjo tokë është e shenjtë. Ky vend i kolosëve e përçon pikërisht këtë mesazh, kjo tokë është e shenjtë, kemi dhënë shumë sakrifica. Duhet të punojmë edhe më shumë që të ecim përpara. Po presim shumë shpejt një vendimmarrje e cila është çështje e ditëve, çështje jave, do ta kemi edhe transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ushtri të Kosovës”, tha Veseli.

Në këtë inaugurim ka folur edhe kryetari i Skenderajt Bekim Jashari, i cili tha se që nga sot Marina po hyn në hartën e kombit si vend ku pushojnë viganët e lirisë. Jashari u shpreh se duke qenë anëtar i familjes Jashari me të ardhur në krye të komunës i kishte dhënë detyrë vetës që të kujdesej për ata që kishin dhënë jetën për liri.

“Nuk mund të lejoja që në shënimin e përvjetorëve të dëshmorëve, të ditës së flamurit, ditës së pavarësisë dhe Epopesë së UÇK-së të vendosnim lule pranë varreve të dëshmorëve ku nuk mund të dalloheshin emrat e tyre të shënuar në dërrasa druri. Nuk mund të më lejonte ndërgjegjja ime që të qëndroja në atë karrigen në zyrën time, ndërsa varret e dëshmorëve të mos dihen se ku janë, pa trajtimin e duhur institucional. Ndërsa tani pas 20 viteve këta heronj dhe dëshmorë të lirisë sonë do të pushojnë përjetësisht në vendin e tyre”, tha Jashari.

Procesi i zhvarrimit të dëshmorëve ka filluar më 19 qershor dhe ka përfunduar më 31 korrik të këtij viti, ku në fazën e parë janë zhvarrosur nga varrezat e Polacit 112 mbetje mortore të dëshmorëve dhe prej tyre 101 janë rivarrosur në Marinë, ndërsa në Vushtrri janë rivarrosur dy, në Landovicë dy, në Kleçkë një, pesë në Shtime dhe një në Ferizaj.

Në fazën e dytë janë zhvarrosur trupat e 53 dëshmorëve nga fshatrat e Drenasit dhe Skenderajt dhe janë rivarrosur në Kompleksin Memorial në Marinë. /KP/Telegrafi/