LAJMI I FUNDIT:

Tërheqja e kursimeve nga Trusti, Haxhiu: Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve për ta votuar Projektligjin në Kuvend

Tërheqja e kursimeve nga Trusti, Haxhiu: Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve për ta votuar Projektligjin në Kuvend

Pasi ndryshimi në parim i Ligjit për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti) nuk u miratua nga deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ky Projektligj do të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës pa miratimin e këtij komisioni apo Qeverisë.

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu në një prononcim për Telegrafin tha se beson që deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve për të votuar tërheqjen e kursimeve nga Trusti.


“Votat janë të deputetëve, besoj se do të dëgjojnë zërin e qytetarëve për të votuar Trustin në Kuvend”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, ai një ditë më parë për Telegrafin kishte theksuar se të enjten në orën 12:00, qytetarët në Prishtinë do të mblidhen për të protestuar, “pro tërheqjes së 30 për qindëshit të Trustit”.

Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti shkon në Kuvend pa miratimin e Komisionit për Buxhet
Lexo po ashtu Projektligji për tërheqjen e kursimeve nga Trusti shkon në Kuvend pa miratimin e Komisionit për Buxhet

Ndërsa, me 5 vota për, 5 kundër dhe një abstenim deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere nuk e kanë miratuar ndryshimin në parim të këtij Ligji.

Haxhiu gjatë prezantimit të propozimit ka thënë se qytetarët janë duke u përballur me krizë ekonomike dhe së është e nevojshme që të kalon ky ndryshim. Po ashtu, ai ka treguar se sa është përqindja që qytetarët duhet t’i tërheqin kursimet.

“Pjesëmarrësit mund t’i tërheqin kursimet nën 10 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 30 për qind, ata që kanë deri 19 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 25 për qind. Kurse ata që kanë deri 29 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 20 për qind dhe për ata që kanë deri 39 mijë euro kanë të drejtë t’i tërheqin deri 15 për qind. Më shumë se 40 mijë euro kanë të drejt t’i tërheqin deri 10 për qind”, ka treguar ai.

Çfarë parasheh Projektligji për tërheqjen nga Trusti, deputeti Bekim Haxhiu jep detajet
Lexo po ashtu Çfarë parasheh Projektligji për tërheqjen nga Trusti, deputeti Bekim Haxhiu jep detajet

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se e mbështetin këtë ndryshim.

Për deputetin e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), Pal Lekaj tha se duhet të fokusohen te qytetarët.

Kurse, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë ky propozim duhet të miratohet për të mirën e vendit.

Ndryshe, deputeti Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, më 9 mars pati dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Kujtojmë se një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti kishte njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues. /Telegrafi/