Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2018 ishin partneri më i madh për eksportet e mallrave të Bashkimit Evropian ku përbënin 21 për qind të eksporteve jashtë unionit.

Duke parë periudhën 2008-2018, BE-ja kishte një tepricë të tregtisë së mallrave [eksporti më i madh sesa importi] me SHBA-në. Edhe pse ky suficit tregtar është luhatur por në përgjithësi është rritur, ku në vitin 2018 kjo vlerë arriti në 139 miliardë euro.

Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, eksportet dhe importet e BE-së me SHBA-në dominojnë në makineri dhe automjete, kimikate dhe mallrat të tjerë, ku së bashku këto përbënin 89 për qind të eksporteve dhe 80 për qind të importeve evropiane.

Në mesin e shteteve anëtare, për vitin 2018, Britania e Madhe ishte importuesi më i madh i mallrave me 55 miliardë euro nga SHBA-ja, ndërsa Gjermania ishte eksportuesi më i madh i mallrave me 114 miliardë euro. /Telegrafi/