LAJMI I FUNDIT:

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, opozita nuk e lejon presidentin Bajram Begaj të marrë fjalën

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, opozita nuk e lejon presidentin Bajram Begaj të marrë fjalën

Kjo e Hënë shënoi ditën e seancës së parë parlamentare për vitin 2024. Edhe pse seanca nisi me tingujt e Himnit të Flamurit, deputetët e opozitës ashtu siç kishin paralajmëruar më herët, bllokuan foltoren me pankarta në duar.

Teksa kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nisi të lexojë pikat e rendit të ditës, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi kundërshtoi zhvillimin e seancës në kushtet kur Garda është e pranishme. Ndërkohë kolegë të tij krijonin zhurmë duke mos lejuar Presidentin Bajram Begaj të marrë fjalën.


Ishte parashikuar që Kreu i Shtetit të mbante fjalën e tij në nisje të sesionit të ri parlamentar për të dhënë mesazhe për dialog mes palëve politike. Prej situatës së shkaktuar nga deputetët e PD-së, Begaj ka njoftuar se do e mbajë fjalën e tij në ambientet e Presidencës në orën 18:00.

Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin edhe dy ambasadorë të huaj, ai gjerman dhe britanik.

Pjesë nga nisja e seancës:

Lindita Nikolla: Qytetarët presin shumë nga ne, zini vendet që të ftoj Presidentin e Republikës. Uluni nëpër vende që edhe Garda të marrë vendin e saj.

Gazmend Bardhi: Nxirr Gardën përjashta!

Lindita Nikolla: Patjetër, pasi të uleni ju në vendin tuaj. Garda do lëvizë, ju lutem! Garda do dalë jashtë dhe ne do mirëpresim Presidentin e Republikës. Funksionimi normal i seancës fillon me secilin prej nesh, edhe ju zoti Bardhi duhet të ishit në vendin tuaj tani. Në nderim të gjithë qytetarëve që po na ndjekin, ju lutem…

Fjalimin që duhej ta mbante në parlament, Presidenti Bajram Begaj e dha nga institucioni i Presidencës, duke qenë se deputetët demokratë bllokuan foltoren.

Begaj iu drejtua deputetëve që të riorientojnë dialogun për të mirën e përbashkët, të rikthejnë bashkëpunimin parlamentar dhe të rigjejnë qëllimin e humbur. Ai u shpreh se Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve dhe jo arena e luftës ndaj kundërshtarit.

Begaj: Jam i bindur se deputetët dhe klasa politike mund të gjejë forca që konfliktin politik ta zëvendësojnë me bashkëpunim konstruktiv, përçarjen ta këmbejnë me frymën e shenjtë të parlamentarizmit demokratik dhe shtetit të së drejtës pa shuar debatin që institucionet e shtetit të forcohen. Në demokraci përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin dhe vetëpërmbajtja janë domosdoshmëri. Prandaj debati lipset konstruktiv. Kuvendi është skena e ballafaqimit të ideve, jo arena e luftës ndaj kundërshtarit. Është dora e shtrirë ndaj kompromisit dhe dialogut. Sesioni i kaluar i Kuvendit fatkeqësisht shpenzoi më shumë kohë për axhenda joparlamentare sesa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më. Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të riorientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë strategjik, SHBA-në. Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur. Të gjithë ne shqiptarët i kemi sytë nga ju. Përveç rolit të ligjbërësve keni rolin e rëndësishëm të modeleve në shoqëri.

Ndër të tjera Begaj tha se Kuvendi ka nevojë për opozitën dhe zërin e saj në përballjen me ide dhe argumente. Sipas tij, interesat partiake nuk mund të bëhen penegesë për zhvillimin e vendit.

 Begaj: Kuvendi është hapësira e debateve ku profesionistë të ndryshëm, media, studentë, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen. Kuvendi ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentat e saj, si dhe përballjen në debate me ide dhe argumente. Bashkëpunimi vullnetmirë midis forcave politike ka fuqinë të japë zgjidhje dhe të çliroje energji pozitive. Në Kuvend duhet kultivuar demokracia, frymëzimi për të tashmen dhe shpresa për të ardhmen. Demokracia është një proces që jetësohet nga përkushtimi për konsolidimin e saj. Pa diskutimin e vazhdueshëm midis ofertave politike dhe dakordësinë e palëve që ato ti shërbejnë të mirës së qytetarëve dhe prosperitetit të vendit, demokracia është e cënuar. Nuk mund të ketë liri, përparim apo drejtësi sociale pa demokracinë në themel të ndërveprimit tonë. Klasa politike ka detyrën që të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së parimeve demokratike. Interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit socialo- ekonomik të vendit dhe, për situatën ku ndodhemi, për ecurinë e procesit integrues në BE.

Duke folur për sfidat e reja të këtij sesioni, Begaj u shpreh se ato kërkojnë përkushtim, atdhedashuri dhe kthjelltësi nga të gjithë.

Begaj: Jam i vetëdijshëm se axhenda politike e këtij sesioni kuvendor është e mbushur me sfida. Siguria, drejtësia, arsimi, shëndetësia, rritja e mirëqenies në të gjitha shtresat e popullsisë, demografia, mjedisi, drejtësia sociale janë sfida që kërkojnë përkushtim, atdhedashuri dhe kthjelltësi. Koha nuk pret.

Në trend Lajme

Më shumë
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit

Lajme
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

Lajme
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë

Lajme
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur

Kronika e Zezë
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës

Drejtësi
Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Vdes në vendin e punës punëtorja e një furre të bukës në Mitrovicën e Veriut

Kronika e Zezë
Kalo në kategori