LAJMI I FUNDIT:

Telekomi i Kosovës: Presim që përmbaruesi privat Ilir Mullhaxha të shkarkohet nga detyra për shkelje serioze

Telekomi i Kosovës: Presim që përmbaruesi privat Ilir Mullhaxha të shkarkohet nga detyra për shkelje serioze

Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se është njoftuar me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë të datës 06.12.2022, për inicimin e procedurës disiplinore dhe për suspendimin e përmbaruesit privat Ilir Mullhaxha nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat, deri në një vendim të Komisionit Disiplinor.

Telekomi i Kosovës, si propozues i kësaj procedure, e përshëndet këtë vendim të Ministrisë së Drejtësisë, dhe njëherazi me të drejtë pret që ky përmbarues të shkarkohet nga detyra për shkeljet e bëra në çështjen përmbarimore në të cilën procedurë palë debitore është Telekomi i Kosovës Sh.A.


“Telekomi i Kosovës edhe një herë e informon publikun se tashmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkeljet serioze në dëm të debitorit Telekomi, duke përfshirë procedurën përmbarimore dhe gjyqësore, e të cilat kanë rezultuar në dëme milionëshe kundër pasurisë publike të Telekomit të Kosovës si ndërmarrje publike”, thuhet në njoftim.

Më tej theskohet se pas kthimit të rastit në rigjykim nga Gjykata Kushtetuese, në aktvendimin e Gjykatës Komerciale është vërtetuar fakti që përmbaruesi ka përfshirë në urdhër përmbarimor shuma që tejkalojnë vlerën e paraparë në vendimin e Arbitrazhit.

“Është i pakontestueshëm fakti që përmbaruesi në urdhrin përmbarimor ka përfshirë shuma prej miliona euro përtej dokumentit përmbarimor (Vendimi i Arbitrazhit). Andaj ky vendim i Ministrisë, edhe pse i përkohshëm, është një hap pozitiv në drejtim të vënies së ligjshmërisë në kuadër të institucioneve të cilat kanë autorizime publike”, thuhet tutje.

Telekomi i Kosovës ka pritje që sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të ushtrojnë kompetencat e tyre dhe ndërmarrin hapat e nevojshëm të vendosjes së drejtësisë dhe sqarimit të plotë të dëmeve dhe zhvatjeve, të cilat i janë shkaktuar pasurisë publike të Telekomit, në kuadër të rasteve që veçse janë iniciuar.