LAJMI I FUNDIT:

Të shkosh për lesh!

Të shkosh për lesh!
Ilustrim

Për shumë shekuj, funksionimi i familjes kishte rregulla që zbatoheshin me përpikëri dhe drejtësi.

Asgjë nuk bëhej pa plan. Mishi copëtohej e thahej varur mbi zjarrin që ndizej në mes të shtëpisë. Lëkura zakonisht shitej menjëherë në treg. Sipas nevojës, lëkura pastrohej, terej e regjej me kujdes. Ia shkurtonin pjesët e lëkurës së këmbëve prej të cilave bënin opinga lëkure


Bukën dhe mishin në sofër, për burrat dhe djemtë që qëndronin në odë, e ndante i zoti i shtëpisë, Zakonisht gratë, vajzat dhe fëmijët e mitur deri në një moshë të caktuar, sipas rregullave hanin bukë në shtëpinë ku gatuhej ushqimi. Jo pak herë, kur ishte familja e madhe, nuk mjaftonin ato pjesë lëkure dhe ata që mbesnin pa lëkurë për opinga, duhej të prisnin kur të thernin postremën tjetër. Gati çdo familje mbante edhe dele, sipas fuqisë që kishte. Madje, në shumë raste mbanin numër delesh po aq sa kishin anëtarë të familjes. Delet i qethnin dy herë në vit dhe leshin e ndanin për çdo anëtarë të familjes, qoftë fëmijë i porsalindur apo plak. I zoti i shtëpisë përcillte me kujdes secilin anëtar se si po punon dhe sa po i kryen me nder punët e zakonshme që i kishin të caktuara.

Fjalia e urtë, “Qoftë për hise të leshit”, doli pikërisht nga ndarja e barabartë e leshit të deleve në një familje.

Në jo pak raste, i zoti i shtëpisë kur shihte se dikush nuk po punon asgjë, se nuk po i kryen detyrat e caktuara, ose me qellim po shmanget prej punëve, kur ndante leshin thoshte herë në heshtje e herë me zë: Qoftë për hise të leshit. Ashtu, i zoti i shtëpisë, derisa e ndante leshin donte të thoshte se ka padrejtësi në këtë ndarje, por për të ruajtur bashkësinë, nuk fliste më shumë për ta zbërthyer këtë shprehje. Kishin kaluar jo vetëm vitet, por edhe dekada e shumëkush as që ka kuptuar të vërtetën që ruante kjo fjali. Ishte kjo shprehje si vërejtje paraprake, por që mund të sillte edhe ndarjen e një familjeje.

Kot shohim ëndrra! Kot lutemi! Kot ikim! Nëse nuk punojmë kudo që të jemi, duke ikur për lesh, përfundojmë në lesh.

Do të shihni shpejt se vendet ku do të shkoni nuk janë krejt ashtu siç i keni parë në televizor apo siç iu kanë rrëfyer të tjerët që kanë ikur më herët. Popujt e atyre shteteve kanë punuar e kanë mësuar shumë. Ata kanë lënë asht e rrashtë nëpër kantieret e punës, në ara e livadhe, në miniera e dete aty ku kanë lindur e ku jetojnë edhe pasardhësit e tyre. Nëse nuk e kuptoni historinë e ndërtimit të atyre projekteve të mëdha që shihni atje ku keni përfunduar azil, do të shihni se keni ikur për lesh – kot. Ndodhë të mos e kuptoni kurrë as pse keni ikur.

Lexojë në gazetë shënimin: Vajza shqiptare ruan delet e grekut!

Nuk ka këtu asgjë të keqe! Në rregull është kjo punë. Për të jetuar duhet punuar. Po të ruante një vashë delet në Shqipëri apo në Kosovë, njerëzit tanë e tallin gjithë ditën.

Jo pak meshkuj tanë i shohim duke ruajtur bagëtinë në Greqi, në Itali, në Francë apo deri edhe në Ishujt Malvine të Britanisë, me mijëra kilometra larg Shqipërisë, qoftë në kullosa apo në ferma të mëdha në shumë shtete. Po pse nuk bëjmë ato punë në vendin tonë, kjo mbetet pikëpyetje e madhe dhe enigmatike.

Para çdo projekti të madh që shihni të ndërtuar, atje ku keni kërkuar azil, shihni fabrika të mëdha ku punojnë me mijëra punëtorë. Duhet ta dini se para ndërtimit të atyre fabrikave të mëdha, janë ndërtuar uzina të vogla të cilat janë rritur e përparuar vazhdimisht duke u bërë kombinate.

Kur shikoni urën e Bruklinit në Nju-Jork, pakkujt i shkon mendja për datën e ndërtimit të saj, aq më pak sa punëtorë kanë humbur jetën gjatë ndërtimit. Blini makinë dhe udhëtoni nga bregu i Atlantikut në bregun e Paqësorit. Rrallë kujt i shkon mendja se me çfarë sakrificash është ndërtuar ajo autostradë me mijëra kilometra. Madje, pak para së të arrinin ndërtuesit buzë maleve Kordilere, kishin humbur jetën aq shumë punëtorë sa përfundimi i autostradës po vihej në dyshim. Ideatorët e projektit kërkuan punëtorë nga Kina. Dhe, ashtu ndodhi. Gjatë ndërtimit të kësaj rrugë automobilistike u sollën edhe shumë punëtorë kinezë.

Për të jetuar atje ku keni shkuar azil, duhet të punoni shumë. Nëse nuk punoni, përfundoni lypës në rrugë.

Pa menduar kurrë për pasojat e ikjes, e kemi sjell atdheun në rrezik të zhbërjes. Ne nuk jemi popull njëqind milionësh. Tokat që sot mbajnë emrin Shqiptari kanë aq shumë të mira, pasuri të llojllojshme për lakmi, por punën në atdhe e konsiderojmë ligësi dhe vetëm duke menduar se është turp që bëni një punë me lopatë apo ruani delet tuaja në fsha. Qoftë mashkull apo femër, nëse merret me bujqësi mbetet edhe pa martuar. Mund të mos e pranojmë ketë fakt, por është e vërtetë.

Para se të ikni, pse nuk iu shkon mendja të numëroni çfarë pasurish ka atdheu ynë?

Askush nga ata që thonë se drejtojnë shtetin, nuk e ka marrë për detyrë të analizojë ikjen qoftë vetëm të një individi apo të një familje të vogël.

Edhe në këtë rast dëgjojmë që dikush të thotë: sa mirë që ikën! Nuk kalon edhe një ditë, e shokët apo fqinjët e tyre të mendojnë menjëherë të ikin edhe ata.

Propaganda për ikje nga atdheu nuk pushon. Ata që kanë ikur, kur vijnë për pak ditë në vendlindje nuk prajnë me lavde për parajsën që kanë gjetur atje larg dhe ashtu sikur padashur përpiqen të bindin edhe këta që kanë mbetur këtu që të ikin sa më parë. Në biseda të rëndomta dëgjojmë pyetje të zakonshme për çdo familje. Jo pak herë marrim përgjigje se bijtë e bijat tanë tashmë jetojnë e punojnë në të gjitha kontinentet. Madje, ndarjet familjare vazhdojnë më të madhe edhe atje ku kanë shkuar ata që kanë lënë atdheun.

Kthimi i të larguarve në atdhe është bërë kopallë e rëndomtë. Nga njëmijë individë që janë larguar, zor që kthehet një prej tyre. As që merret kush me kthimin e ndonjë familje a individi. Madje nëse ndodhë të kthehet dikush, atë e përqesh gjithë rrethi duke e provokuar me pyetje pa fund! “A je çmendur”? “Pse u ktheve”? “Këtu nuk jetohet”! “Qysh kthehet njeri normal në këtë vend”? “Ki me i ra pishman shumë shpejt”! “Është zor për të punuar në ara”. “Kush i ruan sot delet”? “Kush i mjel sot lopët”? “Nuk ia vlen të mbjellësh asgjë”. “Ky komshiu i preu kumbullat pasi filluan të japin fruta, se nuk i kërkonte askush për t’i blerë”! “Nëse mbjell grurë nuk ta blen askush as pesë para për kilogram”! “Udha është shtruar e ujësjellësi ka ardhur në gjithë fshatin, po u ba zor me jetue”! “Po duhet me pagua ujin, rrymën, internetin”! “Ku do t’i merresh paratë”? “Po vetëm budallai kthehet këtu”?

I kthyeri, krejt këto fjali i dëgjon brenda pak minutash pas kthimit. Harron krejt mallin që kishe për atdhe e për çdo njëri që ka njohur! Krejt këto fjali janë propagandë që nuk e bën as armiku ynë më i madh!

Kush po ik? Po ikin jo vetëm ata që thonë se këtu nuk ka punë dhe jo vetëm ata. Po ikin edhe ata që janë në punë! Çka mund të thoni kur ik një mësues? Çka i ka mësuar fëmijët deri atë ditë që iku?

Po ikin edhe ata që shkruajnë romane e poezi! Nëse këtu i këndonte atdheut, vazhdon t’i këndojë edhe nga larg, por zëri i tij më nuk arrin as si jehonë në atdhe. Mësuesi që ka ikur azil, atje ku shkon më nuk mund të punojë mësues. Nëse nuk merr punë të re përfundon në rrugë.

Po ikin edhe ata që kanë paga mjaft të mira! Po ikin ekspertët e IT-së. Ikin mjekët! Ikin edhe mjeshtrit e ndërtimit! Pastaj, ti fillon të pyesësh për ata njerëz që i ke njohur dhe ku janë ata?

Burrë e grua me një apo dy fëmijë, kur largohen lënë shteg të cilin nuk e plotëson dot shoqëria as për 30 vitet në vazhdim.

Me ikë për lesh nuk është mirë!

Secili që ikën për lesh, duhet ta di se ai ka hequr dorë nga identiteti – për lesh. Mund të tregojë përralla sa të jetë gjallë ajo familje për ruajtjen e identitetit, por shtegu që ka lënë bosh në atdhe nuk plotësohet kurrë.

Asnjë fëmijë nuk e zëvendëson tjetrin që është larguar.

Një nxënës më pak në klasë! Një bankë bosh në klasë. Një kulaç buke më pak në sofër. Një bukë e shitur më pak në furrë. Nga një familje mbetet vetëm një qen në rrugë. Kolonisë se qeneve endacak i shtohet edhe një qen, të cilin ata që ikin nga atdheu, zakonisht nuk e marrin me veti azil!