LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë po e vuajnë recesionin social

Të rinjtë po e vuajnë recesionin social
Foto: Martins Rudzitis/Getty Images

Nga: Sarah O’Connor / The Financial times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Në mua ende qëndrojnë dy imazhe të jetës gjatë izolimit të vitit 2020. Njëri është ai kur nëpër gjithë vendin – në mbrëmjet e pranverës, në fillim të pandemisë – së bashku përplasnim tiganët dhe duartrokitnim për t’i mbështetur punonjësit shëndetësorë. Tjetri është ai nga restoranti ynë i afërt i takos, në netët e lagështa të dimrit, kur afrohej dhe rrinte jashtë dritares në shi, vargani i shoferëve që shpërndanin ushqim e që punonin për aplikacionet e tilla si “Deliveroo”.

Pa fjalë i preknin telefonat e tyre për xham, në mënyrë që dikush nga brenda të mund ta shihte numrin e porosisë që shfaqej aty. Pas pak, një dorë dilte nga dera – bashkë me një torbë. Ishte gjë e sigurt dhe efikase në kohën kur virusi tërbohej, por gjithashtu ndihej si vetmi e thellë.


Edhe para Covidit-19 kishte shenja se shtetet, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, po bëheshin më të vetmuara meqë kapitali social kishte filluar të rrënohej. Zyra statistikore e Mbretërisë së Bashkuar e përshkruan kapitalin social si “shtrirjen dhe natyrën e lidhjeve tona me të tjerët dhe qëndrimet dhe sjelljet kolektive midis njerëzve që mbështesin një shoqëri që funksion mirë dhe që është ngushtë e lidhur”. Megjithëse ky koncept është shumëplanësh dhe amorf, viteve të fundit statisticienët e Mbretërisë së Bashkuar janë përpjekur të përdorin një sërë metrikash të ndryshme për ta matur kohë pas kohe atë.

Disa nga këto metrika përkeqësoheshin përpara pandemisë. Mes viteve 2014-15 dhe 2017-18, përqindja e njerëzve që thanë se ndaleshin rregullisht për të biseduar me fqinjët, ra pothuajse me gjashtë për qind nga 62 përqindëshi. Përqindja e atyre që thanë se mendonin se i përkisnin zonës së tyre lokale ra në sasi të ngjashme. Përqindja e njerëzve që ishin anëtarë të organizatave politike, vullnetare, profesionale dhe rekreative, ra nga 53 në 48 për qind. Tom Clark, bashkëpunëtor në fondacionin “Joseph Rowntree”, ka shtruar pyetjen nëse këto tendenca mund të arrijnë në “recesion social”.

A e përmirësoi etapa e parë e pandemisë kapitalin tonë social duke na përkujtuar varësinë nga njëri-tjetri, duke nxitur akte dashamirësie dhe kujdesi? E përkeqësoi atë, duke i lënë më shumë njerëz të izoluar dhe të vetmuar dhe duke i përshpejtuar ndryshimet teknologjike që depersonalizojnë ndërveprimet tona?

Statistikat e Mbretërisë së Bashkuar sugjerojnë se përgjigja varej nga kush dhe ku ishit. Përqindja e njerëzve që thonë se huazojnë dhe shkëmbejnë favore me fqinjët është rritur midis viteve 2019 dhe 2021, ndoshta një shenjë kjo se lidhjet lokale janë forcuar. Por, rritja ishte shumë më e madhe mes grave sesa burrave, dhe ishin gjithashtu gratë ato që raportuan një ndjenjë më të lartë besimi te njerëzit – deri në vitin 2021.

Nuk është për t’u habitur se gjithashtu u rrit përqindja e atyre që janë të vetmuar. Por, derisa shumëkush në fillimin e pandemisë shqetësohej për vetminë mes të moshuarve, vetëm tre për qind e 65-74-vjeçarëve dhe gjashtë për qind e atyre e mbi 75-vjeç thanë se shpesh ose gjithmonë ndiheshin të vetmuar më 2020/21 – krahasuar me 11 për qind të atyre të moshave 16 deri në 24-vjeçare. Në mënyrë të ngjashme, analiza e autoriteteve lokale tregon se zonat me përqendrim më të lartë të të rinjve kishin shkallë më të lartë të vetmisë mes tetorit 2020 dhe shkurtit 2021. Zonat me papunësi më të lartë dhe me paga mesatare më të ulëta ishin gjithashtu më të vetmuara.

Efekti i pandemisë tek të rinjtë është shqetësim i veçantë, sepse nivelet e tyre të vetmisë veçse ishin në rritje – dhe jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar. Një studim i botuar vitin e kaluar i shqyrtoi të dhënat e anketës së mbledhur nëpër shkolla nga OECD, për nxënësit 15 dhe 16-vjeçar, në një sërë vendesh në vitet 2000, 2003, 2012, 2015 dhe 2018.

Sondazhi përmbante gjashtë pyetje në lidhje me vetminë në shkollë, të tilla si “ndihem si i huaj (ose i përjashtuar nga gjërat) në shkollë” dhe “ndihem i vetmuar në shkollë”. Në një kampion prej një milion adoleshentëve, vetmia në shkollë u rrit mes viteve 2012 dhe 2018 në 36 nga 37 shtete. Adoleshentët gati dy herë më shumë ndienin nivele të larta vetmie në vitin 2018 sesa në vitin 2012. Studiuesit zbuluan se vetmia në shkollë ishte më e lartë kur më shumë nxënës kishin qasje në telefonat e zgjuar dhe kur e përdornin internetin më shumë orë gjatë ditës. Nëse interneti i bënë të rinjtë të ndihen të vetmuar, nuk është çudi se pandemia i bëri ata edhe më të vetmuar.

Vetmia është e keqe për shëndetin tuaj: studiuesit kanë gjetur lidhje mes vetmisë kronike dhe sëmundjeve të zemrës, demencës, depresionit dhe ankthit. Mund ta ndryshojë gjithashtu perceptimin tuaj për botën përreth. Një studim në Mbretërinë e Bashkuar i pyeti të rinjtë për miqësinë në lagjet e tyre: zbuloi se të rinjtë e vetmuar i vlerësonin lagjet e tyre më keq sesa vëllezërit dhe motrat e tyre që nuk ishin të vetmuar.

Nëse dikush është në recesion social, ai është i riu. Përveçse t’i ndihmojmë ata t’ia dalin mbanë me punën e humbur në shkollë, duhet të mendojmë urgjentisht se si t’i ndihmojmë të ndihen më të lidhur me njëri-tjetrin – në mënyrë thelbësore, në mënyrat që nuk i përfshijnë telefonat e tyre. /Telegrafi/