Çapajev Gjokutaj
Shqiptarët tallen e bëjnë humor me pushtuesit italianë, por gjermanët i trajtojnë me seriozitet. Më bëri përshtypje ky konstatim i Bernd Fischer në një intervistë televizive. Historiani i njohur shtonte se ky trajtim të surprizon. Gjermanët kanë qenë shumë të rreptë, kanë bërë më tepër shkatërrime e vrasje.
Kur isha fëmijë, të rriturit flisnin shpesh për luftën dhe kishin thuajse po këtë qasje: një lloj vlerësimi për rreptësinë e gjermanëve, vlerësim që ngjante sikur e zbehte disi urrejtjen, dhe tone gjithsesi komike e deri në përçmuese për italianët. Më pas, këtë diferencë do ta vija re, sa dokudo, edhe në letërsinë dhe sidomos në filmat e kohës. Mëse njëherë e kam diskutuar me të njohur, madje edhe në auditor, kur e ka prurë rasti. Interpretimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Po sjell vetëm disa prej tyre.
Arsyen kryesore të kësaj diference, Fischer e kërkon në faktin që nazistët nuk e shpallën veten pushtues të Shqipërisë, u hoqën thjesht si kalimtarë për nevoja të luftës. Nuk është punë politikash, thonë të tjerë, por punë distancash, gjeografike e historike. Italianët i kemi fqinj dhe në folklorin e të gjithë popujve, fqinji është burim humori: dhe qullac, dhe budalla, dhe derdimen. Edhe ne kemi ndjekur këtë praktikë, kemi projektuar tek italianët tjetrin, breshkamadhin, makaronaxhiun, frikacakun që bërtet “mama mia” etj.. Gjermanët kanë qenë më të largët, më diskretë, më të prerë e më seriozë.
S’është problem distancash, por punë këndvështrimi, thonë të tjerë. Të parët tanë i kanë parë e vlerësuar të dyja palët, dhe gjermanët dhe italianët, nga pozita patriarkale. Gjermanët ishin më pranë përfytyrimit tradicional për burrin, autoritetin. Dhe, doemos, kandari patriarkal do t’i favorizonte në këtë apo atë masë. Këto janë sofistikime pacifiste, thonë të tjerë. Pushtuesi është pushtues e në çdo rast do plumb ballit. Ç’janë këto shpikje me gjermanë të egër e me italianë të butë; me osmanë barbarë të fazës së pushtimit dhe me osmanë konstruktivë të fazës së administrimit. Sofizma të tilla përdoren për të kamufluar tradhtarët e ditëve tona.
Por përgjigjen më interesante ma ka dhënë një sociolog brazilian. Gjatë një aktiviteti në Berlin, rasti e pruri të darkonim përbri. Konceptet ‘italian’ dhe ‘gjerman’, më tha, janë shumë të gjera dhe të larmishme. Merr p.sh. galerinë e italianëve që ka krijuar Dantja dhe galerinë e gjermanëve të Gëtes. Janë dy universe humane pa fund e pa anë. Vështirë se mund t’i kufizosh në boshtin: ata seriozë – këta komikë.
Parë kështu, stereotipet “ushtues italian” vs “pushtues gjerman” flasin më shumë për ne, të pushtuarit, sesa për pushtuesit. Për hir të argumentit do thënë se, stereotipizimi i popujve të tjerë ose futja në një thes e miliona njerëzve s’është dukuri thjesht shqiptare. Njeriu, kjo qenie racionale, guxon e bën thjeshtëzime të tilla për popuj të tërë dhe pastaj i përdor pa teklif. Kjo prirje vështirë se buron nga realiteti i gjerave.
Më shumë mbase vjen nga kufizime që njeriu i ka brenda vetes. Kufizime, herë në rrafshin e njohjes, të analizës dhe të sintezës dhe herë në rrafsh psikologjik. Herë vijnë nga jashtë e herë nga brenda. Vështirë të thuash p.sh. se jemi shqiptarë ngaqë shquajmë për trimëri e besë, trafik e vrasje etj., etj.. Kur flasim për bashkëkombës, mbase lidhjet duhet t’i kërkojmë jo në virtyte, vese e mitologji, por në faktin që ndajmë të njëjtin territor, të njëjtën gjuhë e histori. Edhe në rrafsh funksional, mbase dalim më të fituar kur personalitetin, shpirtin, moralitetin etj. i shohim kryesisht si përgjegjësi dhe meritë individuale. /Panorama/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëTeknologjia e vijës së portës ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri
Zelensky paralajmëron për një "Çernobil të dytë"
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE
“Do të luajë dhe do të shënojë kundër Real Madridit” – Tuchel tregon se ylli i Bayern Munich është kthyer nga dëmtimi
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
John Terry zbulon historinë e patreguar se si ai udhëhoqi kryengritjen te Chelsea ndaj një trajneri
"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani
Pasuria e guvernatorit të BQK-së, drejtorit ATK-së dhe drejtorit të Doganës
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion
Klopp e donte lojtarin që sot luan për Liverpoolin, por bordi kërkonte një tjetër - si nisi mosmarrëveshja mes tyre