LAJMI I FUNDIT:

Të pushosh, duke komunikuar lirë!

Dilema e kosovarëve për të komunikuar kur vijnë me pushime në Shqipëri: të mbajnë numrin e tyre apo të blejnë një kartë shqiptare. Një guidë tarifash që ndihmon të bëhet zgjedhja më e zgjuar, ajo e të paguarit më pak dhe të folurit sa më shumë.

Radhët në kufirin kosovar ishin shumë të gjata në fundjavën përvëluese që sapo lamë pas. Nga plazhet e Shëngjinit, të Durrësit (që tashmë janë “privatizuar” nga shteti fqinjë) e deri në Jugun e vendit, që dy vitet e fundit po bëhet mjaft i preferuar, kosovarët që pushojnë janë të shumtë. Të dhënat më të fundit nga Ministria e Turizmit bëjnë të ditur se rreth 34% e turistëve të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë 6 muajve të parë të vitit ishin nga Kosova.

Rruga ka afruar mjaft distancat mes Shqipërisë dhe Kosovës, por akoma më i shpejtë dhe me më shumë alternativa është dhe komunikimi. Numri i operatorëve në Shqipëri ka arritur në katër (Vodafone, AMC, Eagle, Plus), konkurrenca mes tyre është shtuar dhe të gjithë po tentojnë të ofrojnë tarifa sa më të lira për klientët e tyre, si shqiptarë ashtu dhe potencialë kosovarë.

Për një pushues kosovar, që zgjedh të kalojë pushimet në Shqipëri, alternativat janë të shumta, duke filluar nga përdorimi i numrave celularë që ata kanë (përmes roaming-ut) e deri te blerja e një karte telefonie mobile të operatorëve shqiptarë.
Jeni në dilemë se cila alternativë është më e lirë dhe më e përshtatshme? Një testim tregu nga ana e gazetarëve tanë tenton t’ju japë disa këshilla të thjeshta për të zgjedhur rrugën që ju jep mundësi që të flisni sa më shumë dhe të mos keni aspak surpriza të pakëndshme për sa i përket kostos së këtij komunikimi.

Dy alternativat

Ju mund të zgjidhni të kryeni thirrjet nga telefoni me numër Kosove, apo të blini një kartë shqiptare për përdorim të përkohshëm (që ndoshta mund t’ju bëjë punë dhe verën e ardhshme, apo ndonjë fundjavë që mund të vini jashtë sezonit).
Më poshtë jepen të detajuara kostot si për njërin variant (mbajtjen e numrit), apo variantin tjetër (blerjen e një karte shqiptare). Kini parasysh që për momentin, 1 euro këmbehet me 140-141 lekë, ndërsa çmimet e një minute bisedë janë pa përfshirë TVSH-në (e cila është 20%). Është mjaft e lehtë të blesh një numër shqiptar. Praktikisht e gjen jo vetëm në dyqanet e vetë operatorëve të telefonisë së lëvizshme, që janë në çdo qendër turistike, jo vetëm në dyqane të specializuara telefonie, por edhe në pika si UnionNet/Western Union apo në pika shitjeje të çfarëdoshme. Një kartë ju kushton nga 100-400 lekë.

Nëse zgjidhni numrin shqiptar

Në momentin që keni aktivizuar numrin tuaj shqiptar është e pashmangshme që do të kryeni thirrje drejt Kosovës, për të folur me të afërmit tuaj. Këtu duhet t’i bëni llogaritë mirë. Çmimet nuk janë nga më të lirat, ndonëse këtë vit ka më shumë alternativa se vjet, dhe nëse do të dini të zgjidhni, mund të reduktoni ndjeshëm faturën e komunikimit, në krahasim me pushimet e një viti më parë.

Le të flasim konkretisht për tarifat. Me një numër AMC Karta (068), një minutë drejt operatorëve të Kosovës Vala&PTK dhe IPKO kushton 116.4 lekë; nga Vodafone Card (069) 75 lekë/min; nga Eagle Mobile (067) standard me parapagim 55 lekë/min dhe nëse keni marrë një numër Plus (066), duke shfrytëzuar programin “Miqtë Plus” mund të flisni me 45 lekë për minutë me operatorët e Vala dhe 87 lekë/min me operatorët e IPKO. Klientët kosovarë që blejnë numra Plus, në momentin e aktivizimit kanë 100 lekë kohë bisede dhe mund të zgjedhin midis disa opsioneve si 10 minuta falas me Kosovën, ose 10 minuta me të gjithë operatorët kombëtarë në Shqipëri (përfshirë Plus), ose 30 minuta brenda rrjetit Plus.

Nga kërkimi ynë na rezulton se oferta më e mirë në treg për komunikim Shqipëri – Kosovë (VALA & PTK) duket të jetë Plus (066) ndërsa për komunikim Shqipëri-Kosovë (IPKO) duket të jetë Eagle (067).

Kujdes! Nëse do të duhet të merrni disa numra celularë për pjesëtarët e familjes apo të grupit tuaj me të cilët keni zgjedhur të bëni pushimet, zgjedhja më e zgjuar dhe më e përshtatshme, që ju mundëson të paguani pak e flisni shumë, është të blini numra SIM nga i njëjti operator. Në këtë mënyrë personat e një familjeje nuk do të “humbasin” lidhjet me njëri-tjetrin, duke komunikuar me kosto shumë të lirë, duke shfrytëzuar ofertat e shumta që secili prej operatorëve ka në këtë fushatë verore, përmes zgjedhjeve alternative të tilla si Vodafone Club, AMC karta, Rini Ring nga Eagle Mobile apo Miqtë Plus nga operatori më i ri në treg.

Mbajtja e kartës kosovare

Alternativa tjetër, që në pamje të parë mund të rezultojë më e thjeshta (të përdorni telefonin tuaj me numër Kosove), rezulton që të jetë dhe më e kushtueshmja dhe t’ju bëjë të pendoheni që nuk shpenzuat pak kohë për të marrë një numër shqiptar dhe për t’i informuar lidhur me tarifat që këta operatorë ofrojnë.
Gjatë gjithë pushimeve tuaja, ju nuk do të mund të shmangni që të kryeni thirrje drejt numrave shqiptarë. Për çdo thirrje që do t’ju duhet të kryeni drejt AMC, Vodafone dhe Eagle Mobile do të paguani 95.34 lekë për minutë, nëse përdorni operatorin Vala. Edhe nëse ju marrin nga këto numra duhet të paguani tarifën roaming prej 71.2 lekë/min. Ndërkaq, thirrjet drejt Plus nga Vala kushtojnë 60.2 lekë/min, ndërsa për thirrjet pritëse një minutë nga Plus kushton 30.2 lekë/min. Tarifat nëse jeni abonent i IPKO dhe flisni me roaming në Shqipëri i gjeni në tabelën 2.

Nga kërkimi ynë përmes krahasimit të tarifave, rezulton se operatorët që janë më të rinj në treg janë mjaft më agresivë në çmimet që i ofrojnë klientëve me telefon të Kosovës.
Alternativa e tretë, mbaj numrin kosovar dhe ndërro vetëm prefiksin

Bartja e numrit (ndërrimi i operatorit pa ndryshuar numrin) është një shërbim që sapo ka filluar në Shqipëri dhe ka sjellë mjaft avantazhe për klientët, të cilët vetëm duke ndërruar numrin mund të përfitojnë oferta pa fund.
Për momentin njëri prej operatorëve shqiptarë (Plus) ofron edhe mundësinë që ju të mbani numrin aktual kosovar dhe të ndërroni prefiksin duke kaluar në numuracionin e operatorit shqiptar. Kjo mund të jetë e përshtatshme sidomos për ata që udhëtojnë shpesh drejt Shqipërisë dhe në këtë mënyrë mbajnë të njëjtin numër duke ndryshuar vetëm prefiksin. Kjo është një zgjidhje e thjeshtë për të komunikuar me miqtë e shokët, pa qenë i detyruar të shpërndash një numër tërësisht të ri dhe prandaj ka mjaft që e shikojnë me interes këtë lloj zgjidhje.

Rekomandimi

Anon dukshëm nga blerja e një karte të re. Qëndrimi dhe komunikimi në Shqipëri ju kushton më lirë, nëse do të përdorni gjatë kësaj kohe një kartë celulari të një prej operatorëve shqiptarë. Po çfarë numri duhet të blini, Vodafone, AMC, Eagle, Plus? Diferenca nuk duhet të bëhet kurrsesi duke u nisur nga çmimi i blerjes (që gjithsesi pak a shumë është i njëjtë për të gjithë), por te tarifat dhe alternativat e komunikimit me Kosovën.

Nga kërkimi rezulton se operatorët e rinj Eagle e Plus ju japin më shumë mundësi për të komunikuar më shumë me kosto më të lirë. Nëse do të bëni zgjedhjen e duhur, do të shmangni pagesat e kripura të roaming-ut, do të flisni më lirë me gjithë numrat shqiptarë, por dhe me njëri -tjetrin si dhe mund të përfitoni nga ofertat e kompanive shqiptare, që në sezonin veror ofrojnë tarifa promocionale të përshtatshme.

Nëse do të insistonit të mbanit ndezur telefonin tuaj Vala apo Ipko përsëri zgjedhja do të binte te dy operatorët më të rinj, që ofrojnë roaming me tarifa më të ulëta. Për përdoruesit e VALA do të ishte Plus, ndërsa për ata të IPKO-s zgjedhja do të ishte Eagle. Një zgjedhje e zgjuar ju ndihmon të relaksoheni më shumë këtë verë dhe të mos keni surpriza të pakëndshme nga fatura e juaj e komunikimit.

Ju mund të zgjidhni dhe të bëni një pushim absolut, duke fikur fare numrin e telefonit, por në fund të fundit edhe komunikimi është argëtim! (Marr nga gazeta Shqip).