LAJMI I FUNDIT:

Të mos kuptosh realitetin për të parë Xi Jinpingun

Të mos kuptosh realitetin për të parë Xi Jinpingun

Jim O’Neill

Në javët e fundit, komentatorët e medias perëndimore janë përqendruar gjerësisht në vendimin e Partisë Komuniste të Kinës për të anuluar limitin e mandateve të presidentit, gjë që do të lejojë Xi Jinpingun të mbetet në pushtet në pafundësi. Në mënyrë josurprizuese, ata i janë përgjigjur lajmit me zhgënjim dhe skepticizëm mbi modelin politik të Kinës. Megjithatë, ajo që është surprizuese, është pretendimi se Kina po heq dorë nga një premtim i nënkuptuar që të bëhet më shumë si Perëndimi.


Shumë vëzhgues supozojnë se Kina do të përqafojë në mënyrë të pashmangshme demokracinë liberale të stilit Perëndimor. Por, megjithëse edhe unë vetë u çudita paksa nga vendimi i fundit i partisë Komuniste, unë nuk e kisha menduar kurrë si të vlefshëm këtë interpretim simplicist të Kinës moderne.

Tani, më lejoni të jem i qartë: unë nuk do të debatoj se një udhëheqësi prej të forti të pazgjedhur është një model superior ndaj demokracisë së stilit Perëndimor. Nëse unë besoja se Xi po përgatitej të sundonte Kinën me dorë të hekurt për më shumë se 20 vjet, atëherë do të kisha ndarë dyshimet me shumë komentatorë të tjerë.

Por, më lejoni të sugjeroj një interpretim më mendjehapur. Për fillestarët, siç na rikujton ne Yuen Yuen Ang e Universitetit të Miçiganit në librin e saj të shkëlqyer “Si “shpëtoi Kina nga kurthi i varfërisë”, Kina ka nxjerrë nga varfëria qindra milionë njerëz pa aderuar te përqasja Perëndimore për zhvillimin.

Në fakt, një sipërmarrës i ri me bazë në Pekin të cilin e takova së fundmi vlerëson se së paku 20 për qind e kinezëve – mbi 250 milionë njerëz – janë duke fituar tashmë mbi 40 mijë dollarë në vit. Përveç Shteteve të Bashkuara, asnjë vend tjetër në botë nuk ka kaq shumë njerëz që gjenerojnë kaq shumë pasuri personale. Pavarësisht nëse Perëndimorëve u pëlqen ta pranojnë këtë apo jo, kjo është një arritje mbresëlënëse.

Por, akoma më mbresëlënës është fakti se kjo ndodhi nën një sistem jo-demokratik, dhe se shtetasit kinezë duket se janë në përgjithësi të kënaqur. Megjithëse protestat në shkallë të vogël nuk janë të pazakonta, madje edhe mes atij 20 përqindëshit të pasur, këto protesta duken të pakta e të dobëta.

Tani, mendo për këtë. Nëse Kina mund të ruajë rritje ekonomike vjetore në masën 5.5-7 për qind për 15 vitet e ardhshme, numri i kinezëve që fitojnë më shumë se 40 mijë dollarë në vit mund të dyfishohet. Në këtë rast, ata ka gjasa nuk do të jenë veçanërisht të shqetësuar se Xi është ende udhëheqësi i vendit të tyre.

Kjo më sjell mua te një argument i dytë. Ndryshe nga pesimistët që kanë rezultuar gabim duke paralajmëruar rreziqe për rritjen ekonomike të Kinës, unë dyshoj se kolapsi i vërtetë i kinës mund të jetë sistemi i saj hukou (regjistrimi i familjeve). Ky është një sistem që i lejon migrantët nga zonat rurale të punojnë në qytetet nëpër të gjithë Kinën, por nuk i mundëson atyre të njëjtat të drejta si banorët e lindur në qytet. Hamendësimi im është se shumë pak prej këtyre kinezëve janë mes 20 përqindëshit të pasur.

Megjithëse Partia Komuniste ka eksperimentuar me anulimin e sistemit hukou në qytetet e vogla, ku dëshiron të promovojë rritjen, ajo ka ngurruar ta bëjë këtë në qytetet e mëdha. Bazuar në diskutimet private që unë kam pasur me politikëbërësit kinezë, unë e di se ata e shohin sistemin si një problem të madh. Por, ata nuk duan të përballen me të. Arsyetimi i tyre është se braktisja e këtij sistemi mund të sjellë presion të papërballueshëm në megaqytetet si Pekini dhe Shanhai.

Megjithatë, supozimi im është se diçka do të duhet të ndryshojë një ditë. Një sistem me dy kolona ku pothuajse gjysma e popullsisë shijon nivele Perëndimore të pasurisë ndërsa pjesa tjetër nuk ka të drejta për kujdes shëndetësor apo siguri shoqërore nuk mund të mbijetojë për 15 vitet e ardhshme. Dhe nëse kjo është e qartë për mua, ajo duhet të jetë e qartë edhe për udhëheqësinë kineze.

Nuk mund të thuhet se kur sistemi hukou do të ndryshojë me të vërtetë. Por, kur të ndryshojë, siç mendoj unë se duhet të ndryshojë, ai do të sjellë një ndryshim dramatik në qeverisjen politike. Duke parë këtë, unë mund të shoh se pse krerët e lartë të partisë komuniste dëshirojnë të jenë veçanërisht të kujdesshëm për ndryshimet në udhëheqësi në vitet e ardhshme.

Së paku ne harrojmë se, kur Xi erdhi në pushtet në mars 2013, disa nga krerët e partisë u përpoqën të rezistonin ndaj ndryshimeve që ai po sillte. Dhjetë vjet mund të jetë kohë e gjatë, por ka gjasa nuk është mjaftueshëm e gjatë për pyetjet themelore mbi të ardhmen e një vendi dhe një partie.

Kështu, argumenti im i tretë dhe final është që elita komuniste nuk dëshiron një presidencë të përhershme të Xi aq shumë sa dëshiron të shmangë një ndryshim të detyruar të udhëheqësisë më 2023. Rekomandimi im për komentatorët Perëndimorë, për rrjedhojë është që të përqendrohen te ajo se si do të evoluojë ekonomia kineze gjatë kësaj kohe. Komentet që ekzaminojnë rritjen në konsumin privat të Kinës si përqindje e PBB-së apo ndryshimet potenciale në sistemin hukou, do të jenë shumë më ndriçuese se sa ato që i përkushtohen personalitetit dhe ambicieve të Xi Jinping. /Project Syndicate/reporter.al/