Të gjithë jemi “të DJATHTË” ...

... si rezultat po e qesim Kosovën në shitje, në emër të Kapitalizmit!
Ne jemi të djathtë, realisht tek ne e majta nuk ekziston edhe pse në regjistrin e partive politike figuron një Parti Socialiste e Kosovës e cila është e sub-ordinuar ndaj partisë më të madhe në pushtet që është pozicionuar si e djathtë. Socialdemokratët shumë vite me radhë pësuan debakël në zgjedhjet e të gjitha niveleve ndërsa Partia Reformiste ORA e cila në një mënyrë përqafoi politikat sociale ngeli jashtë Kuvendit – praktikisht siguroi ulëse vetëm në zyrën e vet!
Çka mund të thuhet më shumë se shqiptarët e Kosovës kanë shpirt djathtist! Ne jemi aq rehat në aspektin social dhe standardi ynë i jetesës është aq i lartë sa që kemi marrë guximin dhe e kemi përvojën e mjaftueshme për të instaluar politika industrialiste në shtetin tonë – tigrin e ri ekonomik botëror! Ne nuk jemi sikurse Gjermania, Anglia apo Suedia të cilët kanë parti të forta të majta, aq sa kanë edhe parti të forta të djathta. Ne jemi Kosova dhe për ne të majtët janë “komunist”!
Apo është krejt e kundërta? Populli në skamjen e tij nuk e ka kohën dhe energjinë e mjaftueshme për tu marr me studimin e ideologjive politike, ata thjesht kërkojnë zgjidhje të problemeve, dhe atë imediate. Varfëria është në rritje ndërsa Bruto Prodhimi pothuajse është in-ekzistent si koncept e lëre më rritja e tij. Paratë e Konferencës së Donatorëve humbën diku nëpër botë gjatë rrugëtimit për në Kosovë ndërsa krejt çka na ka mbetur është dashuria platonike për shtetin e ri, kritikat për cilëndo parti e cila është në pushtet dhe lufta për ekzistencë. Dhe të mos harroj: një shoqëri civile pasive, në kërkim të fondeve për organizim të aktiviteteve nga të cilat ky popull ka shumë pak, e në disa raste aspak përfitim.
Tani të gjithë së bashku do të jemi protagonist edhe të një kryevepre: Koncesionimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës – ndërmarrje publike që bënë pjesë në grupin e atyre pak ndërmarrjeve që janë në pronësi të shtetit dhe që realisht janë fitimprurëse. Profiti i një ndërmarrje publike nuk bënë të shikohet vetëm nga këndvështrimi se sa të hyra neto i gjeneron ajo për një vit, profit janë edhe rrogat e shumta që Aeroporti u jep punëtorëve të cilët në fund të fundit janë qytetar të këtij shteti dhe si rezultat e zbusin krizën sociale. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Sh.A. morri shpërblimin Aeroporti më i mirë i vitit 2006 nga ‘Airport Coucils International’, ndërsa në vitin 2008 kaloi numrin e 1 milion udhëtarëve dhe 14,000 fluturimeve. Ne po e koncesionojmë për 20 vjet, me qëllim që Menaxhuesi privat i aeroportit të investoj disa miliona euro për ndërtimin e terminalit të ri dhe të marrë qindra miliona euro tjera si përfitim, duke e shijuar monopolin e të qenurit i vetmi aeroport civil funksional në vend.
Përderisa Aeroporti i Frankfurtit që bënë pjesë në aeroportet më të frekuentueshme në botë mbetet pronë e qeverisë Gjermane, të njëjtin fat e kanë edhe aeroportet më të mira në botë, siç janë aeroportet kryesore të Hong-Kongut, Koresë së Jugut etj. Këto shtete nuk e kanë vetëm një aeroport, kanë shumë, aq shumë sa që realisht kanë mundësi edhe të shesin.
A nuk do të ishte shumë më i arsyeshëm koncesionimi i Aeroportit të Gjakovës? Një koncesionim i tillë do të ishte shumë më i leverdishëm sepse gjatë 20 viteve të ardhshme ne do të vazhdonim të gjenerojmë të hyra nga Aeroporti i Prishtinës, konkurrenca e një aeroporti simotër do të detyronte Aeroportin Shtetëror në Prishtinës të përmirësojë kushtet dhe shërbimet dhe në fund të kësaj periudhe 20 vjeçare ne do të kishim 2 Aeroporte civile funksionale. Çmimet e fluturimeve do të pësonin zbritje dhe të jeni të bindur se do të fitonim edhe më shumë pasagjer të cilët destinimin e tyre final e kanë Tiranën, Shkupin, Podgoricën e pse jo edhe Nishin e Kragujevcin. Shtetin tonë të ri po e lidhim me autostrada, gjë e cila shumë lehtë do të na shndërronte në një urë-lidhëse për Ballkanin.
Apo kjo çfarë po propozoj unë është punë shumë e ndërlikuar? Më mirë të shesim këto çka i kemi dhe privatët merren me menaxhimin e tyre, ne jemi të kënaqur nga “inkasimi i bollshëm i tatimeve”! Ndoshta Gjermania e Koreja e Jugut nuk janë aq të djathtë sa të shesin aeroportet - përderisa ne jemi shpirti, gjaku dhe zemra e kapitalizmit botëror! Edhe Amerikanët po gabojnë që nuk po e shesin Aeroportin e Nju Jorkut “Xhon F. Kenedi”.






































