LAJMI I FUNDIT:

“Talenti, kapitali im i vetëm për biznes”

“Talenti, kapitali im i vetëm për biznes”

Mariglest Memajdini ishte 12 vjeç kur bëri diferencën nga shokët e klasës me talentin e tij në pikturë, por ky do të ishte vetëm fillimi i historisë.

Në moshën pesëvjeçare, Mariglesti u largua nga qyteti i tij i lindjes Përmeti, i njohur ndryshe edhe qyteti i skulptorëve, pa e ditur që e ardhmja e tij do të ishte e rrethuar nga arti i gdhendjes i “rrëmbyer” prej kësaj zone.


Pas përfundimit të universitetit të Arteve në Tiranë, nisi të praktikonte njohuritë e marra në bankat e shkollës, të cilat i përforcuan talentin. Ai punoi në shumë kompani private në kryeqytet. E, ndërsa çdo ditë kuptonte që mund të bënte shumë më shumë se aq, si çdo artist ëndërronte që të kishte një studio arti të tijën, objektiv për të cilin luftoi që në hapat e parë të rrugëtimit.

“Unë deri në moshën pesëvjeçare jam rritur në Përmet, në fshat, pastaj familja ime është transferuar këtu në Tiranë. Shumë piktorë shqiptarë janë nga Përmeti. Mesa duket është vendi i tillë”, thotë Memajdini.

Sot ai punon pa u lodhur në studion e tij “Gesti Art”, ku u jep jetë imazheve të ndryshme, ideve të cilat nën moton “jepini formë ideve tuaja” transformohen në personazhe të dalë nga bota e filmave vizatimorë, aksesorë të ndryshëm apo forma ëmbëlsirash. I përkushtuar ndaj detajeve dhe me pasion të përditshëm për punën e tij, Mariglesti krijon personazhe nga bota e animacionit, por jo vetëm. Ai i sjell ato për individët apo kompanitë e ndryshme të eventeve, në personalizime apo pamje të pafundme të botës së internetit, të cilat studioja e “Gestit” i kthen në objekte të prekshme.

Mariglesti rrëfen hapat që ndiqen në një proces punë, kur punohet me polisterol.

“Hapi i parë i punës është ideimi, për të kaluar tek skica që qartëson idenë. Pastaj është radha e materialit të polisterolit që të gdhendet; e në fund ngjyrosja. Për ta bërë këtë, të duhet patjetër eksperienca e gdhendjes – procesi më i vështirë i ditës së punës. Nëse nuk ke talent apo nuk ke përfunduar një shkollë për skulpturë, është pak e vështirë që ta kalosh këtë proces”, thotë ai.

Ajo që e gëzon më shumë është fakti se punët e tij mund t’i shijojë kushdo, pasi janë publike dhe e lejojnë artin e tij të shkojë tek njerëzit.

“Studion e artit e kam nisur nga zeroja. Krahas talentit tim nuk kam pasur një kapital të cilin e kam hedhur tek biznesi. Pra, duke punuar mbuloj të gjitha shpenzimet. Kur vjen një klient dhe bën një porosi, fillimisht kryen një parapagesë dhe me to blej materialet. Pasi përfundoj punën dhe klienti e merr të përfunduar, bëhet edhe pjesa tjetër e pagesës”, thotë ai. “Unë merrem me të gjthë llojet e punimeve, por kërkesat janë kryesisht tek punimet me polisterol, kjo për arsye shpejtësie apo edhe të çmimeve që janë të arsyeshme. Pjesën më të madhe të porosive i kemi nga agjencitë e eventeve dhe studiove fotografike… Në studion time janë të punësuar pesë punonjës, të cilët në varësi të punimit ndahen edhe proceset, që nga pjesa e skulpturës, realizimi i formës, lyerja bazë, pikturimi, detajet etj. Gjatë verës ka shumë porosi për punime të tilla si: akullore, ëmbëlsira, gjëra me shumë ngjyra”, rrëfen Mariglesti.

Pavarësisht se studioja e tij ka afro tre vjet që është ngritur, akoma nuk është mundësuar eksporti i produkteve për shkak edhe të pagesave të larta në postën e shpejtë.

Së fundmi, studioja e tij po u jep mundësi të gjithë të diplomuarve në arte për të marrë një lloj eksperience apo të rinjve të apasionuar pas artit, që të mësojnë procese të ndryshme të punës.

Krahas skulpturës, Mariglesti pëlqen edhe të pikturojë e të luajë me ngjyrat në kuadrot e tij, një proces që e çlodh dhe i jep një tjetër kënaqësi. Në muajin shtator, do të marrë pjesë në ekspozitën kolektive “Pranverë Art” për të cilën ka nisur të punojë që tani. /atsh/