LAJMI I FUNDIT:

Taksa osmane e xhizjes (kokës) – shembuj nga defteri i Gjakovës së vitit 1750

Taksa osmane e xhizjes (kokës) – shembuj nga defteri i Gjakovës së vitit 1750
Ilustrim: Kasabaja e Gjakovës (shekulli XIX)

Nga: Agron Islami

Xhizja ish taksa vjetore e cila merrej nga meshkujt jomyslimanë, nënshtetas të Perandorisë osmane. Kjo taksë – e cila mbulonte pjesën më të mirë të buxhetit të shtetit osman deri në vitin 1856 – mblidhej nën emrin xhizje, ndërsa nga viti 1856-1909 nën emërimin bedelat-i askerijje (taksa e shërbimit ushtarak) dhe më 1909, pas aprovimit të ligjit për shërbimin ushtarak të gjithë shtetasit meshkuj pa dallim feje, u largua si taksë.


Praktika e mbledhjes së xhizjes i takon perandorive dhe qytetërimeve shumë më të hershme se vetë shteti osman, sikur – bie fjala – romakët merrnin taksën e quajtur “gezîd” nga banorët e Gotëve të Francës, mbi parimin e ruajtjes së jetëve të tyre, ashtu sikurse edhe në Hungarinë e sotme merrej një flori për kokë banori nga sundimtarët e kohës. Ndërsa, sistemin e regjistrimit të tokave nëpër defterë – me qëllim identifikimi për vjeljen e taksës së tokës – e gjejmë edhe në traditën e shtetit para osman të selxhukëve.

Pas marrjes nën kontroll të një territori nga ana e osmanëve, kadiu obligohej ta bënte regjistrimin e të gjithë banorëve të cilët do të ngarkoheshin me pagesën e taksës së xhizjes. Defteri i përgatitur nga kadiu quhej “Defter-i Cizye-i Geberan” dhe përgatitej në dy kopje. Njëra kopje shkonte tek përgjegjësit e buxhetit të perandorisë, ndërsa kopja tjetër dorëzohej tek përgjegjësit e bejlerbejlikut. Për ta bërë verifikimin e të vdekurve dhe banorëve tjerë të cilët për arsye të ndryshme nuk ishin përfshirë në regjistrimin e mëparshëm (siç ishte rasti i të miturve), një herë në tre vjet bëhej krahasimi i defterëve me numrin e xhizjes paguesve.

Mbledhja e taksës së xhizjes tek osmanlinjtë ishte e rregulluar me ligjin (kanunamet) osman dhe, sipas kësaj, tagrambledhësi duhej të merrte parasysh kushtet e parapara nëpër kanunamet osmane. Në njërën nga kanunnamet osmane thuhet:

“Për plotësimin e kushtit në mbledhjen e xhizjes duhet që pasuria vjetore e banuesit (qytetarit) jomysliman të mbërrinte vlerën prej 300 akçeve (grosh), nga vlera e shtëpisë, të mbjellat e kopshtit, delet, dhitë, pijet alkoolike etj., dhe në rast se banuesi nuk e arrin shumën e 300 akçeve (groshëve), nga ai nuk mund të merret taksa e xhizjes”.

Sipas ligjeve të kohës osmane, nga xhizja ishin të falur prijësit fetarë (priftërinjtë, rabinët etj.), fëmijët, familjet e punonjësve të shtetit, të moshuarit, gratë, personat me të meta fizike, të varfrit, të papunët etj. Megjithatë, në shekujt e fundit shohim se edhe personalitetet fetare ishin bërë pjesë e rajës që paguante taksën e xhizjes apo kokës.

Pjesa e fundit e defterit të xhizjes për Gjakovën

Sipas juridiksionit osman, xhizja ndahej ne dy grupe: taksa e cila merrej njëherë në vit nga principatat e krishtera të vasalizuara; dhe, taksa e cila merrej nga raja osmane jomyslimane që ishte po ashtu vjetore dhe merrej për kokë banori. Kishte raste kur shteti obligohej që taksat t’i merrte në shuma të caktuara, si pasojë e kryengritjeve ose ndërrimit te vendbanimeve nga ana e fshatareve me qëllim të ikjes nga xhizjembledhësi (xhizjedari). Një rast të tillë e kemi në zonat e fshatrave të Kurveleshit të Shqipërisë të cilët, në vitin 1695, për t’i ikur taksës së xhizjës, në vazhdimësi kishin ndërruar vendbanim. Për rezultat, zyrtarët osmanl, me qëllim që banorët e Kurveleshit të qëndronin në vendbanimet e tyre dhe të punonin tokën e cila i sillte të mira shtetit, bënë marrëveshje me prijësit fetarë të zonës dhe sipas kësaj marrëveshjeje fshatarët nuk do të paguanin taksën e kokës (xhizjen), por do të jepnin një shumë vjetore e cila kapte shifrën prej 3031 groshë.

Vlera e xhizjes ndryshonte sipas kursit të valutës osmane – akçes – dhe për rezultat shohim se në periudha të ndryshme, kur monedha osmane devalvonte, edhe rritja e xhizjes ishte shumë e madhe. P. sh. përderisa në periudhën e Sulltan Sylejmanit – Ligjvënësit (1520-1566) vlera e xhizjes ishte mes 60-75 akçesh, në periudhën e sundimit të Muratit IV (1648-1687) ishte ngritur në 333 akçe. Duhet theksuar se deri në vitin 1690, pavarësisht gjendjes ekonomike të rajasë, xhizja merrej në vlerë të barabartë nga të gjithë pronarët e shtëpive (hane). Mirëpo, me iniciativën e sadraazamit me prejardhje shqiptare, Köprülüzâde Mustafa Pasha (1689-1691), u bë reformë edhe në mbledhjen e kësaj takse, ku nga këtu xhizja mblidhej mbi parimin e gjendjes ekonomike të rajasë. Kështu, raja do të klasifikohej në banorë të pasur; banorë me të ardhura mesatare dhe klasa e tretë me të ardhura të ulëta. Sipas kësaj ndarjeje, nga klasa e lartë (e të pasurve) do të merreshin katër monedha ari, nga e mesmja tri dhe nga e ulëta një monedhë.

Në defterin e xhizjes së Gjakovës nga viti 1750, shohim se në Lagjen e Vjetër të Gjakovës ishin 50 shtëpi të rajës së krishterë shqiptare, me 180 banorë. Prej tyre vetëm tre kryefamiljarë i takonin klasës së të pasurve, 12 të tjerë ishin me të ardhura mesatare, 63 me të ardhura të ulëta, 37 të mitur dhe tre të sëmur që nuk obligoheshin të paguanin taksën e xhizjes. Në të njëjtin vit, në fshatin Deçan janë regjistruar vetëm dy shtëpi të krishtera me shtatë banorë të cilët jepnin taksën e xhizjes sipas tarifës së ulët, meqë ishin nga familjet me të ardhura të ulëta. Ndërsa, fshati Zym në këtë kohë kishte 23 shtëpi të krishtera me 107 banorë. Prej tyre 14 i takonin klasës së mesme, 74 klasës së ulët dhe 19 ishin nga të miturit që nuk paguanin taksën.

Në këtë regjistrim të Gjakovës, me rrethinë, janë përfshirë edhe 21 banorë të ardhur nga Shkodra dhe nga Manastiri prej të cilëve merrej taksa e xhizjes dhe në defterin në fjalë janë regjistruar si jabanxhinj. Ndërsa, për sa i përket gjendjes ekonomike të tyre, shohim se 10 prej tyre janë regjistruar në kategorinë e mesme, nëntë në kategorinë e ulët dhe një i liruar për shkak të gjendjes shëndetësore. /Telegrafi/

Shënim: Defteri i plotë i rajës së Gjakovës është botuar në revistën Kosova nr. 41, Prishtinë f. 53-67

Në trend Kultura

Më shumë
“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

“Një autograf për nipin tim - skllavin tuaj”!

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
Kanti dhe çështja për paqen

Kanti dhe çështja për paqen

Analiza
QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

QYSH ATËHERË KJO VAKI PAT MBARUAR

Poezi
Realizmi magjik

Realizmi magjik

Analiza
Kalo në kategori