LAJMI I FUNDIT:

Takimi i krerëve shtetëror, dialogu Kosovë-Serbi dhe arrestimi i 17 personave për fajde – top lajmet e javës

Takimi i krerëve shtetëror, dialogu Kosovë-Serbi dhe arrestimi i 17 personave për fajde – top lajmet e javës

Gjatë javës që po lëmë pas, krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Rusia.

Republika e Kosovës ka dënuar fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse që shpërfaqë hapur qëllimin rus për të minuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik.


Po javën që po lëmë pas u mbajt debat parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se është bërë përparim i dukshëm për të gjetur një zgjidhje finale për energjinë në veri të vendit.

Ndërkaq, të martën Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka realizuar një aksion kundër krimit të organizuar, ku k arrestuar 17 persona për fajde në Pejë dhe ka ngrirë pesë milionë euro pasuri.

Krerët shtetëror të Kosovës: Agresioni rus kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik

Krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë dalë me një deklaratë të përbashkët pas agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Rusia.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se Republika e Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse që shpërfaqë hapur qëllimin rus për të minuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Gjithashtu, Republika e Kosovës dënon njohjen ilegale të “pavarësisë” së regjioneve ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut nga ana e Federatës Ruse.

“Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantome brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore”, thuhet në deklaratë, transmeton Telegrafi.

Më tej në deklaratë thuhet se “përpjekjet revizioniste të diktatorit Putin për të minuar parimet themeltare të mishëruara në Kartën e OKB-së e që janë parimi i sovranitetit dhe barazisë së shteteve, integriteti territorial dhe e drejta e kombeve për të vendosur në mënyrë të pavarur për fatin e tyre, gërryen themelet e rendit ndërkombëtar”.

“Agresioni ushtarak kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë dhe demokracisë që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik, që më shumë se çdo gjë tjetër ishte një burg i kombeve dhe shtypës i lirisë njerëzore”.

Krerët shtetëror të Kosovës: Agresioni rus kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik
Lexo po ashtu Krerët shtetëror të Kosovës: Agresioni rus kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik

“Sot, në Ukrainë nuk mbrohet vetëm sovraniteti dhe e drejta për vetëvendosje e një populli të lirë dhe e një shteti të pavarur. Por, në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje”.

Më tej krerët shtetërorë thonë se “askush më mirë sesa populli i Kosovës nuk e njeh fuqinë e vlerave të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për vetëvendosje. Ishin këto vlera dhe parime që motivuan botën demokratike që në vitin 1999 të ndërhynte për të shpëtuar popullin e Kosovës nga rreziku i shfarosjes nga regjimi gjenocidal i Serbisë së Sllobodan Milosheviqit”.

“Tendenca e diktatorit Putin për t’iu referuar rastit të Kosovës dhe për të tërhequr paralele janë tërësisht të paqëndrueshme, abuzive dhe përpjekje për të kamufluar mungesën e çfarëdo baze dhe arsyetimi të sulmit barbar të forcave të tij kundër një shteti sovran”, thuhet në deklaratë.

“Procesi i pavarësimit të Republikës së Kosovës ka qenë rezultat i shpërbërjes së përgjakshme të Federatës Jugosllave, suprimimit të dhunshëm të statusit federativ të Kosovës, zbatimit të politikës së aparteidit ndaj popullit shqiptar përgjatë një dekade, luftës çlirimtare kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit, ndërhyrjes ndërkombëtare për ta ndalur gjenocidin, administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe procesit negociator me ndërmjetësim ndërkombëtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Për më tepër, ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si trupi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare”.

Në deklaratë thuhet se “Federata Ruse jo vetëm që nuk ka kundërshtuar asnjëherë luftërat pushtuese dhe fushatat gjenocidale të Serbisë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, por ka vazhduar të luaj rol negativ duke mbështetur pa rezervë tendencat destabilizuese dhe politikat anti-evropiane në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke shfrytëzuar shtete dhe liderë që i ka nën kontroll, për të penguar integrimin euro-atlantik të rajonit tonë”.

“Republika e Kosovës është përballur vazhdimisht me përpjekjet e Federatës Ruse për ta minuar sovranitetin dhe progresin e saj, qoftë duke bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke armatosur Serbinë dhe duke ndërtuar baza të kamufluara ushtarake në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën, apo duke orkestruar luftë speciale dhe hibride përmes propagandës dhe formave të tjera që Moska në vazhdimësi ka ndërmarrë kundër Republikës së Kosovës”.

“Republika e Kosovës do t`i bashkërendojë ngushtë veprimet e saj me shtetet liridashëse të rajonit dhe aleatët strategjik euro-atlantik, veçanërisht SHBA-të dhe BE-ja, për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë dhe për t’u përballur me pasojat, të cila mund t’i prodhojë agresioni i Moskës në rajonin tonë nëpërmjet shteteve mike të Rusisë dhe aktorëve joshtetëror. Tendencat destabilizuese të Rusisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë”, përfundon deklarata.

Dialogu me Serbinë, Bislimi: Është bërë përparim për energjinë në veri, po punojmë për takim të nivelit të lartë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se është bërë përparim i dukshëm për të gjetur një zgjidhje finale për energjinë në veri të vendit.

Kryenegociatori në dialogun me Serbinë tha se momentalisht po punohet për sigurimin e substancës së nevojshme për aranzhimin e takimit të radhës në nivel të krerëve të shtetit për të diskutuar për elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Në debatin parlamentar të së premtes, ku u diskutua për dialogun me Serbinë, Bislimi paraqiti edhe gjashtë principet e ekzekutivit në raport me dialogun.

“Me Serbinë diskutojmë vetëm për çështjet e mbetura dhe atë vetëm në kuadër një marrëveshje të tërësishme që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve e shtetin fqinj. Kjo marrëveshje duhet të trajtojë temat e pambyllura mes shteteve dhe të ndërtohet rreth njohjes reciproke si elementi kyç i saj.

Dialogu me Serbinë, Bislimi: Është bërë përparim për energjinë në veri, po punojmë për takim të nivelit të lartë
Lexo po ashtu Dialogu me Serbinë, Bislimi: Është bërë përparim për energjinë në veri, po punojmë për takim të nivelit të lartë

Në asnjë rast nuk do të diskutohet për temat që vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit, respektimin e kushtetutshmërisë dhe funksionalitetin e qeverisjes. Çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të hidhen në tavolinën e bisedimeve siç ka ndodhur më herët, ku palët kanë diskutuar për dizajnin e urave mbi lumenjtë e Kosovës.

Tema e të pagjeturve është nxjerrë nga ky princip për shkak të urgjencës që e ka dhe për të është biseduar gjatë secilit raund të negociatave.

Tre, tema e targave të veturave është biseduar jashtë kornizës për shkak të përfundimit të marrëveshjes paraprake, domosdoshmërisë së avancimit të problematikës në nivel të reciprocitetit të plotë dhe mundësisë së parë që kjo temë të rezultojë me një zgjidhje përfundimtare.

Angazhimi ynë ka ndjekur ngushtë edhe mandatin e ndërmjetësuesit Lajçak që nënkupton që kuadër të mandatit të tij për të mbështetur dhe implementuar marrëveshjet paraprake për njëjtat është diskutuar vetëm në nivel bilateral me BE-në.

Kurse në kuadër mandatit të tij për të ndërmjetësuar për marrëveshjen finale është diskutuar në forumin trelateral. Gjashtë, përmes qasjes sonë aktive dhe propozimeve kemi ndikuar në perceptimin e shteteve të BE-së për konstruktivitetin e palëve në dialog”, tha ai.

Ai tha se në takimin e 22 shkurtit është bërë përparim i dukshëm për gjetjen e një zgjidhjeje finale për energjinë në veri.

“Në kuadër të angazhimeve të deritanishme kemi përparuar dukshëm në gjetjen e një zgjidhjeje finale për energjinë në veri. Problematikë kjo e trajtuar në kuadër të dialogut që nga vitit 2013, por e pazgjidhur deri tani. Kjo temë është diskutuar me BE-në edhe në takimin e fundit, pritjet tona janë që e njëjta të finalizohet shumë shpejt. Kjo do t’i hapte rrugë futjes në sistem legal të gjithë shfrytëzuesve të energjisë duke vendosur parimin e barazisë”, tha ai.

Bislimi tha se po punohet për aranzhimin e një takimi të nivelit të lartë në dialog.

Krahas këtyre, Bislimi tha se vazhdimisht në takimet e Brukselit ka ngritur çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

17 të arrestuar për fajde dhe pesë milionë euro pasuri e ngrirë  

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, ka realizuar të martën një aksion kundër krimit të organizuar, ku ka arrestuar 17 persona për fajde në Pejë.

Sahide Gashi, prokurore e çështjes nga Departamenti për Krimet e Rënda ka bërë të ditur se ka pasur hetime disa mujore lidhur me rastin.

“Hetime disa mujore dhe pas aksionit e kontrollit dhe sekuestrimit të kryer nga Drejtoria e për Hetime e Krimit të Organizuar në Prishtinë, kjo prokurori ka arritur të arrestojë 17 persona të dyshuar për vepër penale për fajde dhe detyrim si dhe janë ngrirë pasuri të cilat janë përllogaritur gjerë në këtë fazë që tejkalon shumën prej 5 milionë euro”, tregoi Gashi në konferencën e jashtëzakonshme të Prokurorisë së Pejës.

“Pas marrjes së informatave në fillim të nëntorit të 2021 ku sipas këtyre informatave ishin të përfshirë mbi 20 persona në këto vepra penale, kryeprokurori ka formuar një ekip hetues dhe kemi filluar hetimet zyrtare”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Ymer Ymeri nga Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës në konferencën e jashtëzakonshme që u mbajt këtë të martë në Prokurorinë e Pejës, ka treguar se janë bastisur 17 shtëpi banimi, dhe katër biznese.

Si provë materiale janë sekuestruar 12 armë, prej tyre 8 armë të vogla dhe katër armë të gjata. Po ashtu u sekuestruan 10 vetura dhe 45 mijë e 700 euro para kesh.

Ymeri tregoi edhe pasuritë që u janë ngrirë personave të dyshuar për veprën penale fajde detyrim.

17 të arrestuar dhe pesë milionë euro pasuri e ngrirë – gjithçka nga aksioni i së martës kundër fajdeve në Pejë
Lexo po ashtu 17 të arrestuar dhe pesë milionë euro pasuri e ngrirë – gjithçka nga aksioni i së martës kundër fajdeve në Pejë

“Gjatë kontrollimit dhe bastisjeve të kryera në 21 lokacione, prej tyre 17 kanë qenë, prona shtëpi banimi ndërsa katër prej tyre kanë qenë biznes, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruara sot 12 armë, prej tyre 8 armë të vogla dhe katër armë të gjata.

Gjithsej kanë qenë fishekë të kalibrave të ndryshëm 544, 10 vetura, dokumente të ndryshme, bëhet fjalë për fatura, kontrata dhe fletore të ndryshëm relevante për rast si dhe 45 mijë e 700 euro para kesh. Lidhur me rastin në fjalë. Por tek ato të ngrira janë, 20 banesa, janë diku 104 parcela tokë, 80 parcela ku ndahen 21 parcela tokë ndërtimore ndërsa pjesa tjetër e parcelave është tokë bujqësore”, tregoi Ymeri.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 16 të pandehurve për fajde e detyrim. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

FSK zgjedh ushtarin më të mirë për vitin 2024

Siguri
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Tentim-vrasja në Dragash, dhëndri plagos ish-vjehrrin jashtë objektit të gjykatës

Tentim-vrasja në Dragash, dhëndri plagos ish-vjehrrin jashtë objektit të gjykatës

Kronika e Zezë
Gjenden pa shenja jete dy personaa, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Gjenden pa shenja jete dy personaa, njëri në Fushë Kosovë e tjetri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Plagoset një person në Dragash

Plagoset një person në Dragash

Kronika e Zezë
Kalo në kategori