LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: Qytetarët në Prishtinë e kanë keqkuptuar heqjen e karantinës

Tahiri: Qytetarët në Prishtinë e kanë keqkuptuar heqjen e karantinës

Qarkullimi i madh i qytetarëve në Prishtinë pas largimit të karantinës ka shqetësuar organet komunale.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë për RTV Dukagjinin se heqja e karantinës si duket është keqkuptuar nga qytetarët e Prishtinës.


“Ne si komunë me sa e kemi vërejt largimi i karantinës është keqkuptuar, është marrë si çlirim nga të gjitha masat. Ky në fakt është një veprim që heq rrethimin e Prishtinës derisa masat tjera mbesin njëjtë si në gjithë territorin e Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Tahiri ka thënë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për ta mbajtur gjendjen stabile.

“Ne kemi parë qarkullim shumë më të madh gjatë ditës së djeshme i cili ka qenë shqetësues për neve dhe qysh sot jemi ri mobilizuar ku inspektorët nuk po punojnë me rotacione por të gjithë janë në punë në të njëjtën kohë në mënyrë që të mbulojmë gjithë terrenin e komunës”.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës thotë se lëvizja me dy orare për qytetarët u ka shkaktuar mjaft vështirësi edhe policëve në menaxhimin e situatës.

“Policët e kanë të pamundur të kontrollojnë secilin qytetarë që del në rrugë. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve t’i zbatojnë vendimet pasi edhe policët edhe inspektorët prej dy muajsh janë duke punuar 12 orë në ditë, dhe ata nuk janë robotë”, tha ndër të tjera Adonis Tahiri./Telegrafi/