LAJMI I FUNDIT:

Ta këpusim ndërlidhjen burrni-dhunë

Ta këpusim ndërlidhjen burrni-dhunë
Ilustrim

Kur isha verën e kaluar në Kosovë, një shoqja imja nisi të më tregojë “në besë” për dhunën që vuan një shoqe e saj. Unë as sot nuk di nëse rrëfimi ishte për atë vetë, apo vërtet për një shoqe. Por, e di se rrëfimi ishte si i marrë nga një galeri e tmerrit. Dhunë verbale e fizike para fëmijësh, përbuzje e përtallje në publik, dhunë seksuale. “A e ka raportuar kjo shoqja jote në polici”, ishte pyetja ime normale, si turiste nga Suedia. “U bijo, a je në vedi”, ishte përgjigja. “Ajo nuk do me bo vetëvrasje! E kujt me ia lanë fëmijët mandej?”

Dhuna e burrave kundër grave është problem shoqëror që na prek të gjithëve. Në radhë të parë ne gratë e vajzat që shpesh herë e paguajmë me jetë. Por, prek edhe shumë djem/burra, jeta e të cilëve kufizohet e ndrydhet nga pritshmëri patriarkale. Ju prek juve që jetoni në vendlindje, e na prek edhe neve që jemi në mërgim. Shumë prej nesh e marrim me vete trashëgiminë tonë patriarkale dhe atje, në viset ku jetojmë, e rietiketojmë atë si “shqiptarizëm”. Disa bien në depresion kur vërejnë se gratë dhunohen edhe në Perëndim.


Disa tjera, si unë, vendosin të hyjnë në politikën e atdheut të ri për këtë shkak. Mirëpo, natyrisht, në ferr ka rrathë të ndryshme. Grupime e gazetarë të ndryshëm feministë kanë botuar një listë me mëse 100 emra vajzash/grash shqiptare që janë vrarë prej burrash vetëm gjatë viteve të fundit. Sikur të ishin vrarë në dhunë ndëretnike, ta zëmë, a nga virusi korona, kjo shifër do të kish shkaktuar panik në publik. Por, dhuna burrnore kundër grave është aq konstante sa shkakton atë që studiuesit e quajnë “normalizim” të dhunës e topitje të publikut.

Një anketim i bërë më 2017 në Kosovë me 1315 shtetas të rritur tregoi se pothuaj shtatë gra nga 10 kanë vuajtur raste dhune, ushtruar mbi to nga prindër e nga partnerë. Por, pothuaj çdo i treti shtetas i anketuar gjykon se dhuna është “normale” në çdo relacion. Çdo i treti e quan dhunën “çështje familjare”, e nuk do ta thërriste policinë për gruan e fqinjve që rrihet nga burri, kurse çdo i pesti gjykon është “në rregull” që burri nganjëherë ta rrahë gruan.

Një anketim i ngjashëm në Shqipëri, kryer më 2013 nga INSTAT dhe UNDP me 3589 familje, tregon shifra pothuaj identike. Mëse gjashtë gra nga 10 kanë vuajtur dhunë fizike, ndërsa çdo e pesta ka vuajtur dhunë gjatë gjithë bashkëshortësisë. Mirëpo, vetëm 8.4 për qind të vajzave/grave të rrahura kërkojnë ndihmë nga familjarë a nga shteti. Shqipëria, për dallim nga Kosova, ka nënshkruar Konventën e Stambollit për Dhunën kundër Grave dhe është e obliguar si firmëtare të ndjek arsyet pse qytetarët nuk i qasen shtetit për ndihmë. Raporti vjetor më 2018 për zbatim të konventës ngre alarmin se publiku shqiptar ka keqkonceptim të dhunës patriarkale, të cilën e quan si të shkaktuar nga varfëria, e se edhe shumë ekspertë shqiptarë të fushës e ndajnë këtë qëndrim.

Nga fërkimet me familjarë e miq në Kosovë, unë e di si fakt se ky qëndrim është prevalent edhe atje. Unë që e shikoj vendlindjen nga një distancë në kohë e hapësirë, gjykoj se gjatë këtyre viteve të tranzicionit, e përkundër impenjimit të pakursyer të aktivisteve e themelatave feministe, në vendlindjen time është arritur ende shumë pak për të ndryshuar mendësitë patriarkale. Dhuna kundër grave është strukturore. Vajzat mësohen qysh herët që të shmangin rreziqet. Është pjesë e përditshmërisë dhe përgjegjësisë së çdo vajze që të mos i eksponohet dhunës, të mos dehet, të mos vesh fund të shkurtër, të mos ndodhet në vend të gabuar, te mos flasë me person të gabuar. Ndërsa, burrat ende lavdërohen nëse nuk sillen si bisha.

Unë do të doja që fokusi të vendoset më fort tek djemtë e burrat. Shoqëria duhet të punojë më fort për t’i ndihmuar djemtë/burrat që të shkëputen nga stereotipat ndrydhës të burrnisë toksike. Ndërlidhja midis burrnisë e dhunës duhet të demaskohet e të këputet. Gjykoj se na duhet një model i ri burrnie bashkëkohore, i cili arrihet vetëm nëse shoqëria punon sot për emancipim të burrave shqiptarë, ashtu si@ ka punuar dje për emancipim të grave. Kjo nuk bëhet dot pa ndërrim të sistemit të normave e vlerave publike. Them se shkolla duhet të luajnë një rol qendror, kurikulat duhet të eksplorojnë ndërlidhjen midis dhunës, seksualitetit, e gjinisë sociale. Edhe në gjyqësor na duhet një impenjim serioz. Kur lexoj si grua për raste ku gruaja ka kërkuar ndihmë disa herë para se të vritet nga burri, çuditem si nuk procedohen penalisht e nuk vuajnë burg si bashkëfajtorë zyrtarët policorë e gjyqësorë që s’kanë reaguar.

Në Suedi, unë si anëtare tek Gratë Socialdemokratike, kam vepruar që të kemi ligje nacionale që detyrojnë çdo komunë të ketë plan veprimi për parandalim të dhunës patriarkale, e resurse për strehim të grave e fëmijëve që vuajnë këtë dhunë. Kam punuar, po ashtu, që kjo punë të bëhet në mënyrë afatgjatë e me një model të njëjtë në të gjitha komunat. Nga sa kam arritur të kuptoj, ky lloj impenjimi në nivel lokal mungon ende në vendlindjen time. Ligjet ekzistojnë falë ndikimit të grupeve lokale për të drejtat e grave, por implementimi çalon. Në botën time kjo ndodh kur ka një shkëputje të hallkave midis nivelit nacional dhe atij lokal.

Të gjithë burrat nuk janë kriminelë. Politika feministe nuk ndërtohet duke fajësuar të gjithë djemtë/burrat. Por, kërkon absolutisht vetëdijesim të gjithë djemve/burrave për ato struktura ku bëjnë pjesë. Të dy gjinitë jetojmë në një botë ku burrnia ndërlidhet ende fuqishëm me dhunën, ku burrit nuk i vije era mashkull nëse nuk ka latencë të dhunës. Dhe kjo është baza kulturore mbi të cilën ndërtohet superstruktura e dhunës. Kjo është një arsye më tepër që të angazhojmë edhe burra në luftën kundër dhunës patriarkale.

Angazhimi i burrave, përmes fushatave të vetëdijesimit etj., ka qenë fokus i politikave në nivel lokal në vendin ku jetoj tash. Unë gëzohem që shoh gjithnjë e më shumë burra që pozicionohen drejt edhe në vendlindjen time. Por më mungojnë fushatat e djemve/burrave kundër dhunës. A e kuptojnë ata rolin që luajnë në patriarkat?

Më kujtohet ajo shoqja, e cila verën e kaluar po më fliste për dhunën patriarkale që ushtron burri mbi një shoqe të saj. A ka ai burrë shokë, shokë të vërtetë, që ia duan të mirën familjes së tij? A ka miq? A ka kolegë burra në punë, a drejtor, që sheh se çfarë ndodh? Mua tash, në retrospektivë më vjen keq që e pyeta aq palidhje, a e ka raportuar dhunën mbi shoqen.

Pyetjen duhet t’ia shtrojë dikush këtyre shokëve, kolegëve, drejtorëve burra. Ku jeni ju more teksa ushtrohet kjo dhunë?! Ku jeni ju, kur vajza e gra të reja organizojnë marshe proteste? Se ju na duheni, po ashtu.

Që të jem e qartë: nuk na duheni që të na drejtoni neve grave, jo. Nuk na duheni si ekspertë të vetëshpallur për të mësuar grupet feministe se çfarë duhet të bëjnë. Por, na duheni që të fshini në oborrin tuaj të pistë. Na duheni ju, burra, për të konfrontuar baballarët, axhallarët, dajallarët, shokët, e kolegët tuaj. Në mënyrë që kur të pyes unë si grua herën tjetër shoqen time, “a e ka raportuar dikush këtë rast në polici?”, ajo të mund të përgjigjet: “Po. E raportoi shoku i tij më i mirë!”

Në trend

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

E çuditur nga komentet negative, Era Istrefi reagon e revoltuar: Dikush qëllimshëm po mi shkruan

Magazina
“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

“Jam tifozi i tij më i madh” – Rakitic emëron ikonën e Barçës si lojtarin e tij të preferuar, nuk është Messi

La Liga
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Aeroplani gjigant u “përplas” dy herë në pistën e aeroportit të Kalifornisë – rrotat nxirrnin tym – pastaj u ngrit përsëri

Amerika
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Kalo në kategori