“Dirty Blonde” po korr sukses global: Albumi i ri i Bebe Rexhës renditet i katërti në botë në iTunes vetëm dy ditë pas publikimit


Artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, po shijon suksesin e albumit të saj më të ri, “Dirty Blonde”, i cili vetëm dy ditë pas publikimit ka arritur të ngjitet në klasifikimet botërore të muzikës.
Sipas të dhënave të fundit të iTunes Worldwide Album Chart, “Dirty Blonde” renditet aktualisht në vendin e katërt në nivel global, duke u pozicionuar përkrah emrave të mëdhenj të industrisë muzikore ndërkombëtare.
Ky është albumi i katërt në karrierën e Bebe Rexhës dhe njëherësh projekti i saj i parë si artiste e pavarur, pas ndarjes nga ish-shtëpia diskografike vitin e kaluar. Këngëtarja kishte folur më herët për dëshirën e saj që të kishte kontroll të plotë mbi krijimtarinë artistike, ndërsa rezultatet e para tregojnë se ky vendim po shpërblehet me sukses.

Albumi përmban 13 këngë dhe është pritur mjaft mirë nga publiku që në ditët e para të publikimit. Një nga projektet që ka tërhequr më së shumti vëmendje është “New Religion”, bashkëpunimi i saj me grupin legjendar elektronik Faithless, i cili tashmë po konsiderohet si një nga hitet kryesore të albumit.
Po ashtu, pjesë e albumit është edhe kënga “Sad Girls”, një bashkëpunim me DJ-in francez me famë botërore David Guetta. Projekti ka marrë reagime pozitive nga fansat dhe kritikët, duke forcuar edhe më tej partneritetin artistik mes dy yjeve, të cilët më parë kanë korrur sukses të madh me hitin global “I’m Good (Blue)”.

“Dirty Blonde” shënon një etapë të re në karrierën e Bebe Rexhës, e cila tashmë po dëshmon se mund të arrijë rezultate të mëdha edhe pa mbështetjen e një label-i të madh muzikor.
Ky rikthim i fuqishëm e ka rikthyer këngëtaren shqiptare në qendër të vëmendjes globale, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një prej artisteve më të suksesshme shqiptare në tregun amerikan dhe atë ndërkombëtar të muzikës.
- YouTube youtu.be
Prej më shumë se një dekade, Bebe Rexha ka qenë një emër i rëndësishëm në industrinë muzikore, ndërsa suksesi i “Dirty Blonde” tregon se ajo vazhdon të mbetet një forcë e rëndësishme në skenën botërore të pop-it. /Telegrafi/















































